Për 14 viktima, Serbia paguan 210 mijë euro dëmshpërblim

Aktuale April 11, 2016 - 08:01

Gjykata Themelore në Beograd ka marrë vendim me të cilin e obligon Republikën e Serbisë që të paguajë dëmin prej 25.9 milionë dinarë (rreth 210 mijë euro) për krimin e kryer nga njësia “Shkorpionë” e MUP-it të Serbisë mbi 14 civilë, gra dhe fëmijë, në Podujevë, në marsin e vitit 1999

Fondi për të Drejtën Humanitare i Natasha Kandiqit në Beograd, ka dalë me një komunikatë për opinionin, të cilën e transmetojnë mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës, sipas të cilës, një gjykatë në Beograd ka sjellë aktgjykimin e parë, i cili drejtpërdrejt e bën përgjegjëse shtetin e Serbisë për krimet e kryera në Kosovë. Sipas komunikatës, Gjykata e Parë Themelore në Beograd ka marrë vendim me të cilin e obligon Republikën e Serbisë që të paguajë dëmin prej 25.9 milionë dinarësh (rreth 210 mijë euro) për krimin e kryer nga njësia “Shkorpionët” e MUP-it të Serbisë, pjesëtarët e të cilës kishin pushkatuar 14 gra dhe fëmijë, në Podujevë, më 28 mars të vitit 1999.

Në këtë mënyrë, Gjykata e Parë Themelore në Beograd ka bërë përgjegjëse shtetin e Serbisë për vrasjen e anëtarëve të familjeve Bogujevci, Duriqi e Gashi, para shtëpisë së familjes Gashi në Podujevë, në marsin e vitit 1999. Krimin, sipas kësaj gjykate, e kanë kryer pjesëtarët e njësisë së ashtuquajtur “Shkorpionët” të MUP-it të Serbisë, e cila ka vepruar gjatë luftës në rajonin e Llapit.

Fondi për të Drejtën Humanitare, vlerëson, se “gjykata ka sjellë vendim të drejtë, dhe se në procesin e shkallës së dytë, për shkak të natyrës së rastit, gjykata duhet që shumën e dëmshpërblimit ta harmonizojë me standardet e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut për raste të ngjashme”. 

“Ky është aktgjykimi i parë në Serbi me të cilin përcaktohet kompensimi i dëmit për shkak të përgjegjësisë së konstatuar të Republikës së Serbisë, për krimin që e kanë bërë forcat e saj ndaj civilëve shqiptarë, gjatë kohës së konfliktit në Kosovë. Përgjegjësia e shtetit bazohet në nenin 172 të Ligjit mbi marrëdhëniet obligative të Serbisë”, thuhet në komunikatën e FDH-së.

FDH-ja në këtë komunikatë ka përkujtuar, “se më 28 mars të vitit 1999, pjesëtarët e njësisë “Shkorpionët”, pasi që paraprakisht i kishin nxjerrë nga shtëpitë e tyre, në oborrin e shtëpisë së familjes Gashi në Podujevë, kanë pushkatuar 14 gra dhe fëmijë: Sala Bogujevci (39) dhe fëmijët e saj, Shpendin (13) dhe Shpëtimin (10), Shefqete Bogujevcin (43), vajzën e saj Nora (15) dhe vjehrrën Shehiden (67), Nefise Llugaliun (55) dhe renë e saj Fixhirijen (21), Fitnete Duriqin (36) dhe katër fëmijët e saj, Dafina (9), Arbëria (7), Mimoza (4) dhe Albina (2), si dhe vjehrrën e saj, Ismeten (69). Me plagë të rënda, pushkatimit i kishin shpëtuar 5 fëmijët e familjes Bogujevci, Saranda, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genci”. 

Për këtë krim makabër që nuk njeh bota e civilizuar, në procesin gjyqësor në Gjykatën për Krime Lufte në Beograd, i cili ka zgjatur 9 vjet, në vitin 2010 janë dënuar Dragan Borojeviq, Miodrag Shollaja dhe Dragan Mediq, ndërsa Zhelko Gjukiq, pas përsëritjes së procesit gjyqësor është dënuar në vitin 2011. Para tyre, për të njëjtin krim është dënuar edhe Sasha Cvjetan.

Në komunikatën e FDH-së, të cilin e transmeton portali “Kossev” në veri të Mitrovicës, dëshmitarët dhe të dëmtuarit kanë kërkuar kompensim, por që ata gjykata i kishte udhëzuar që të iniciojnë proces të veçantë, duke sqaruar se çështja për kërkim të kompensimit është vjetruar.  

“Nga inicimi i padisë në janarin e vitit 2007 është zhvilluar një luftë e vështirë juridike me përfaqësuesit e shtetit dhe të gjykatave, të cilët kërkesën për kompensimin e dëmit e kanë cilësuar të vjetruar. Qëndrimi i gjykatës ka qenë që paditësit menjëherë pasi që kanë kuptuar për vrasjen e të afërmve kanë bërë padi, por nuk është marrë për bazë se bëhet fjalë për vepër penale për krime lufte ndaj civilëve, dhe që sipas vetë Ligjit për Marrëdhënie Obligative (neni 377),  kërkesa për dëmshpërblim në këtë rast nuk vjetërsohet. Deri te ndryshmi i këtij komentimi të gabuar ka ardhur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në gushtin e vitit 2014, pas të cilit është përsëritur gjykimi”, thuhet në komunikatën e FHD-së, sipas të cilës shuma e kompensimi me këtë aktgjykim është shumë më e vogël, më e vogël edhe se gjysma e shumës që është kërkuar me padi.

“Ky zvogëlim, përveç që është marrë në mënyrë paushalle, paraqet shkelje të të drejtës në kompensim të dëmit për shkak të punës së paligjshme të organeve shtetërore, të garantuara me Nenin 35 të Kushtetutës së Serbisë, shkelje të të drejtës në këshillën juridike, si dhe shkelje të të drejtave themelore të njeriut”, thuhet në mes tjerash në komunikatë.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, vlerëson se pushteti në Serbi për shumë vjet është përpjekur t’i ikë, ose ta zvogëlojë përgjegjësinë e shtetit të Serbisë për këtë krim, me gjithë  dëshmitë e pakontestueshme që ka ofruar FHD-ja.