Bojkot presidenti (FOTO)

Aktuale April 09, 2016 - 08:07

Pas gati 18 vjetësh, në politikë Hashim Thaçi realizon ëndrrën e tij: shpalljen president i Kosovës. Me marrjen e votave të nevojshme tek në raundin tretë në Kuvendin e Kosovës ku nuk munguan as blerjet e disa prej tyre, Thaçi inauguroi veten e tij në sheshin “Skënderbe” të premten, në praninë e rreth 1000 të ftuarve.

Por ishin vetëm dy homologë të tij që e nderuan me pjesëmarrje, presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, aty nuk u pa asnjë president tjetër i shteteve të Ballkanit apo ndonjë shteti të Bashkimit Evropian. Por në ulëse u panë diplomatë të vendeve të Quint-it, SHBA-së. Kurse delegacionet tjera të niveleve jo të larta përfaqësimi ishin: nga Emiratet e Bashkuara Arabe, nga Konferenca e Vendeve Islamike, Egjipti, Gana, Jordania, Kosta Rika, Japonia, Bahrejni, Katari, Kuvajti, Arabia Saudite, Kanadaja, Latvia, Estonia, Danimarka, Austria e Malta.

Refuzimi i inaugurimit të Thaçit president me ceremoni solemne u shënua me gjuajtjen e gazit. Derisa mysafirët kishin zënë vendet e tyre, aktivistë të “Vetëvendosjes” kanë arritur që të gjuajnë gaz lotsjellës nga rruga prapa Teatrit Kombëtar në vendin ku ishin të ulur të ftuarit.

Situata u qetësua shpejt dhe pas kësaj presidentja e deridjeshme, Atifete Jahjaga, së bashku me presidentin e ri, Hashim Thaçi, dolën nga Presidenca për t’iu bashkangjitur ceremonisë. Ndërkohë që rrjetet sociale u vërshuan me qëndrime kundërshtuese duke i numëruar Thaçit dështimet si udhëheqës i Qeverisë për shumë vjet, duke ia numëruar rastet e korrupsionit, pasurimin e familjarëve dhe rrethit të tij, izolimin e Kosovës, ikjen e rreth 100 mijë kosovarëve ilegalisht në BE etj.

Jahjaga: Kushtetutën e mbrojta me tërë qenien time

Ish-presidentja Atifete Jahjaga i dorëzoi presidentit të porsazgjedhur Kushtetutën e vendit, duke i kërkuar që ta mbrojë atë.

“Kam mbrojtur këtë Kushtetutë me tërë qenien time. Ky themel i shtetit tonë ka qenë udhërrëfyes në realizimin e të gjitha veprimeve, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të ardhmen e tyre. Mbroje këtë Kushtetutë të shtetit tonë dhe synoje qëllimin e saj, që të gjithë qytetarët e saj të jenë të barabartë, të lirë dhe të duan vendin tyre. Të barabartë para ligjit”, është shprehur Jahjaga.

Ndërsa pasardhësi i Jahjagës në krye të shtetit, Hashim Thaçi, ka thënë se do të jetë gardian i kësaj Kushtetute.

“Do të jem gardian i Kushtetutës dhe të drejtave të qytetarëve të Kosovës, i Kosovës si atdhe i të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Zotohem para jush dhe qytetarëve të vendit, institucioneve të Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë, se do ta respektoj dhe do të jem roje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.

Thaçi: Jam president i heronjve

Në fjalimin e tij të parë si president i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova nuk ka kohë për të humbur, pasi, sipas tij, mjaft ka humbur deri tani. Ai më tej ka thënë se me marrjen e këtij posti, nuk po merr mantelin e heroit, pasi ai konsideron që heronj janë qytetarët e këtij vendi.

“Sot dua t’ju them se jam shumë i nderuar se jam vetëm president i heronjve, që të pamundurën e bënë të mundur, ëndrrën realitet. Hero sot është punëtori i cili ndan kafshatën e gojës për të shkolluar fëmijët. Hero është sot ndërmarrësi që punëson familje të tëra dhe paguan tatimet e shtetit. Hero është veterani që dha gjithçka për atdheun pa pyetur për shpërblim, pa menduar për rrezikun. Invalidi që dha gjymtyrët e trupit për lirinë e Kosovës. Familjet e dëshmorëve që dhënë më të dashurit për atdheun...”, është shprehur Thaçi.

Thaçi: Do të jem i paanshëm politikisht

Kreu i shtetit gjithashtu ka premtuar se do jetë i paanshëm politikisht dhe do të ofrojë një agjendë të dialogut pa dallime partiake.

“Jam i vetëdijshëm se muajt e fundit kemi pasur debate të hapura dhe me tone divergjente politike. Si roje e Kushtetutës, unë do të jem i paanshëm politikisht, do të ofroj agjendë dialogu aktiv në mes të përfaqësuesve të popullit pa dallime partiake. Do të përdorë instrumente këshillëdhënëse që të kemi dialog aktiv edhe me komunitetet joshumicë”, ka theksuar ai.

Katër prioritetet e Thaçit

Presidenti i vendit më tej ka thënë se beson se shteti ka një të ardhme të sigurt. Ndërsa theksoi angazhimin e tij që Kosova të vazhdojë rrugëtimin evropian dhe dialogun me Serbinë, me qëllim anëtarësimin në BE dhe NATO. Thaçi ka thënë se janë katër çështje që do të donte t’i ofronte si një program fillestar.

“E para ka të bëjë me Kushtetutën. Nga momenti kur e dhashë betimin dje në Kuvend, unë jam një roje, një mbrojtës i dokumentit tonë themeltar... Së dyti, do të luaj rol kushtetues në afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, në rrafshin politik, diplomatik dhe atë social... Pika e tretë ka të bëjë me dy të parat, por meriton kujdes dhe vëmendje të veçantë. Fjala është për dialogun e dyfishtë në Kosovë me komunitetet joshumicë dhe me Serbinë... Pika e katërt është e fundit, por jo më pak e rëndësishme... Do të punojmë që tranzicioni ekonomik...”, ka deklaruar ndër të tjera Thaçi.

Image

Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image