Jahjaga rithekson në SHBA si zgjidhje dialogun pozitë-opozitë

Aktuale March 24, 2016 - 15:23

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, takoi sot në Uashington Ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi,  Victoria Nuland, me të cilën diskutuan për gjendjen politike në Kosovë dhe situatën e përgjithshme në rajon.

Në njoftimin për medie të Presidencës mbi këtë takim thuhet se Jahjaga e informoi Ndihmëssekretaren Nuland për përpjekjet e saj për të ndërmjetësuar dialogun mes pozitës dhe opozitës në Kosovë dhe për të ofruar zgjidhje institucionale që do të ndihmonin në tejkalimin e situatës politike të krijuar në vend.

Ajo po ashtu diskutoi për procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, situatën e sigurisë në vend, me theks të veçantë për ekstremizmin e dhunshëm dhe kontributin e Kosovën për t'u përballur me këtë fenomen.

Jahjaga e theksoi nevojën e përgjithshme për një angazhim më të madh evropian dhe amerikan që do t'i ndihmonte shtetet e rajonit të konsolidojnë demokracitë e tyre dhe të forcojnë sundimin e rendit dhe ligjit në kuadër të integrimeve evropiane.

Ajo gjithashtu njoftoi Ndihmëssekretaren Nuland me përmbushjen e obligimeve për themelimin e Gjykatës Speciale nga institucionet e Kosovës dhe përkushtimin e Kosovës që t'i respektojë obligimet ndërkombëtare.