Aktuale

Lidhjet e Rizvanollit me rekrutuesit e ISIS-it (FOTO)

Lidhjet e Rizvanollit me rekrutuesit e ISIS-it (FOTO)
18 mars 2016 • 07 : 43 • autori: Arbana Xharra Foto: Laura Hasani

(E plotësuar)I deklaruar si banues me qira në një banesë në Prishtinë dhe ndërkohë po zhvillonte biznese jo të vogla në pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Para disa viteve ishte shitës i hamburgerëve “hallall” prapa Teatrit Kombëtar e tash një kohë të gjatë është pronar i disa autolarjeve dhe biznesit për dhënien e veturave me qira nëpër Prishtinë. Por, njëkohësisht, mik i ngushtë i udhëheqësve të grupeve radikale fetare në Kosovë dhe rekrutuesve për në “Shtetin Islamik” (ISIS).

Fatos Rizvanolli, i arrestuar të mërkurën nga Policia e Kosovës, i dyshuar për financimin e rrjetit të “Shtetit Islamik” nga Kosova dhe lidhjet e tij të ngushta me xhihadistët dhe rekrutuesit kryesorë në Kosovë, mësohet të ketë qenë që nga fillimi shumë i afërt me “liderët” shqiptarë të grupeve terroriste në Siri dhe Irak. Gazeta “Zëri” mëson detajet e aktiviteteve dhe të lidhjeve të Rizvanollit me grupet terroriste, i cili për vite me radhë kishte kamufluar aktivitetin e tij me bizneset e veturave. “Njëri nga 10 terroristët më të kërkuar në botë, Lavdrim Muhaxheri, sa ka qenë në Kosovë ka shfrytëzuar veturat e Rizvanollit dhe është mik i mirë i tij”, bën të ditur burimi i gazetës “Zëri”.

Të njëjtin shërbim ai ia ka ofruar grupit kryesor të Anamoravës, të arrestuar në gusht të vitit 2014, Zeqirja Qazimi, ish-imam nga Gjilani, i cili dyshohet për rekrutimin e shumë të rinjve nga Gjilani për në Siri, Sadat Topojani, nga Hani i Elezit, edhe Ilir Berisha nga Kaçaniku, ndaj të cilëve ende po zhvillohet procedurë gjyqësore. “Këta persona vazhdimisht kanë shfrytëzuar veturat e Rizvanollit, janë takuar shpesh dhe kanë shkëmbyer informacione në mes vete”, tregon burimi i gazetës. Ndërkohë që komunikimi i tyre përmes mesazheve telefonike është bërë në mënyrë të koduar, duke përdorur emra veturash e terme të këtij biznesi. Policia e Kosovës ka arritur që t’i dekodojë mesazhet e përgjuara të Rizvanollit dhe t’i gjejë lidhjet e tij me këto grupe.

Shukri Aliu, bashkëpunëtori i parë

Burime të “Zërit” tregojnë se personi i parë që ka udhëtuar me ndihmën e Rizvanollit drejt Sirisë është rekrutuesi dhe influencuesi i parë i radikalizmit, Shukri Aliu, i cili me veturë të Rizvanollit ishte dërguar në maj të vitit 2013 në Aeroportin e Prishtinës prej nga ka udhëtuar për në Turqi e më pas në Siri. Shukriu në një nga ligjëratat e tij pati deklaruara haptazi në mbështetje të grupeve radikale dhe një nga thirrjet e tij për shkuar në Siri e Irak ka qenë kjo “Umeti ynë është si një anije, ndërsa kjo anije lundron mbi gjakun e bijve të saj. Sa më shumë që ka gjak, aq më shpejt do të lundrojë edhe kjo anije".

Aliu është arrestuar në Kosovë më pas është liruar, ka qenë rekrutues aktiv i të rinjve nga Kosova dhe Maqedonia për në “Shtetin Islamik”. Disa herë ka lëvizur i lirë në Kosovë- Maqedoni derisa është ekstraduar nga Kosova me urdhër të shtetit maqedonas për aktivitetet e tij terroriste dhe tash ndodhet i burgosur në Maqedoni. “I pari që ka udhëtuar me ndihmën e Rizvanollit është Shkuri Aliu, duke u bërë kështu pjesë e rrjetit të dyshuar edhe nga Maqedonia”, bën të ditur burimi i “Zërit”. Ndërkohë që me vite me radhë Rizvanolli ka shpëtuar pa u identifikuar nga organet e sigurisë.

Rizvanolli i lindur në vitin 1977, nga Peja, por me banim në Prishtinë, kryesisht është falur në xhaminë e improvizuar të “Dardanisë” dhe nuk ka rënë në sy, ndonëse është njëri nga financuesit edhe organizatorët në krye të rrjetit që nga vitit 2013.  Duke qenë pjesë e rrjetit, ai ka kontribuuar vazhdimisht financiarisht. Dhe në vitet e fundit ai ka paguar qiranë prej 500 eurosh në muaj për xhaminë ilegale afër ngrohtores “Termokos”, në lagjen “Dardania” në Prishtinë, e cila është mbyllur në gusht të vitit 2014 nga Policia e Kosovës për aktivitete të dyshimta, që kanë shpënë në ekstremizëm dhe radikalizëm fetar.  Por, jo i gjithë aktiviteti i tij ka përfunduar me mbylljen e kësaj xhamie në vitin 2014. Angazhimi i Rizvanollit në financim dhe rekrutim ka vazhduar edhe gjatë vitit 2015. “Tre punëtorë të tij në autolarje bashkë me partnerët e tyre kanë shkuar në Siri gjatë vitit 2015”, ka bërë të ditur burimi i gazetës.

 Rizvanollit i konfiskohen 60 vetura

Derisa të mërkurën, më 16 mars 2016, ai rreth orës 6:00 të mëngjesit është arrestuar në Prishtinë nga Policia e Kosovës, i janë bastisur katër lokacione të tij. Kurse i janë konfiskuar 60 vetura në vlerë prej qindra mijëra eurosh. “Ka pasur në disa lokacione vetura në vlera të mëdha, të cilat Policia i ka konfiskuar”, tregon burimi.

Veprat penale në ngarkim të Rizvanollit janë: “Rekrutim për terrorizëm”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist” dhe “Financim për të lehtësuar kryerjen e terrorizimit”. Një ditë më vonë të enjten, më 17 mars, Gjykata Themelore e Ferizajt njofton se Fatos Rizvanollit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale “Rekrutim në terrorizëm”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste”. “Caktohet masa e paraburgimit ndaj F.R për veprat penale: ‘Rekrutim në terrorizëm’, ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist, nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik’ dhe ‘Shtytja për kryerjen e veprave penale terroriste’”, thuhet në komunikatën e Gjykatës. Sipas kësaj komunikate, gjyqtari i procedurës paraprake nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit, Fatos Rizvanolli. Siç njofton Gjykata, pas vlerësimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe dëgjimit të palëve, gjyqtari i procedurës paraprake konsideroi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

Image
Image
Image

 

© zëri.info