Simpatizantët e PDK-së festuan me armë (Foto+Video)

Aktuale February 27, 2016 - 08:01

Prishtina mbrëmë ishte e tëra për simpatizantët e PDK-së. Me të përfunduar raundi i tretë i votimit të deputetëve për zgjedhjen e Hashim Thaçit në krye të Presidencës, qindra simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës vërshuan Prishtinën për të shprehur gëzimin e tyre. Shumë fishekzjarrë janë lëshuar në qiellin e Prishtinës, pak sekonda pasi që është kuptuar lajmi që Thaçi do të jetë president.

Ndërkohë flamujt e PDK-së, të SHBA-ve dhe të Kosovës valonin nëpër të gjitha rrugët e Prishtinës. Skenderaj ishte një tjetër qytet ku qytetarët festuan deri në orët e vona. Të gjithë thërrisnin vetëm një emër. “Thaçi, Thaçi, Thaçi....”.

Ndërkohë përpos fishekzjarrëve, selia e Partisë Demokratike të Kosovës, nga zyrat e saj disa herë lëshoi edhe breshëri pistoletash dhe kallashnikovësh.

Urimet për presidentin e ri të Kosovës, nuk vonuan dhe erdhën nga të gjitha anët. Nga deputetët e PDK-së, ambasadorë, e ministra të huaj dërguan urimet në drejtim të presidentit të ri të Kosovës. 

Me simpatizantët në shesh mbrëmë qëndruan edhe anëtarë dhe deputetë të shumtë të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët festuan për zgjedhjen e Hashim Thaçit president.

Lirak Çelaj, këshilltar në Kuvendin Komunal të Prishtinës, e quajti Hashim Thaçin si personin më meritor për këtë post. Sipas tij, Kosova është shtet demokratik dhe nuk do të thotë që të gjithë duhet të pajtohen. “Hashim Thaçi ka qenë personi më ideal për këtë post. Normalisht në demokraci jo të gjithë pajtohen. Mirëpo, një gjë është e sigurt. Me zgjedhjen e Thaçit president, Kosovës po i hapet një rrugë e re e zhvillimit të vendit”, ka thënë Çelaj. Ndërsa Blerta Deliu tha se përfundoi një proces i rëndë, por shumë i suksesshëm, sipas saj. “Më në fund përfundoi një proces i rëndësishëm për Kosovën. Tash shpresojmë që edhe opozita do të reflektojë dhe do të ulet për të biseduar dhe për të gjetur një zgjidhje për krizën politike”, ka thënë Deliu.

Ndërkaq, Partisë Demokratike e Kosovës nga muaji prill do t’i duhet të ketë udhëheqës të ri. Lideri i saj, Hashim Thaçi, me marrjen e postit të shefit të shtetit detyrohet që, sipas Kushtetutës, të japë dorëheqje nga udhëheqja e partisë, të cilën e formoi në vitin 1999. Me këtë rast, PDK-ja shkon në zgjedhje të brendshme për të shpallur kryetarin e ri të partisë. Në garën për kreun e PDK-së deri tash nuk ka qarkulluar ndonjë emër tjetër përveç atij të kryetarit të Kuvendit, njëherësh nënkryetarit të parë të PDK-së, Kadri Veselit. Se ai mund të jetë njeriu i përshtatshëm për kryetar të partisë, e kishte thënë dy muaj më parë në një intervistë edhe vetë Hashim Thaçi.

Ndryshe, pas përplasjeve ndërmjet opozitës në Kuvend dhe jashtë tij, në raundin e tretë të votimeve, Thaçi u zgjodh president i Kosovës me 71 vota. Në raundin e parë të votimeve, Thaçi mori vetëm 50 vota në favor të tij.

Image

Image