Bashkësitë fetare në vend apel spektrit politik: Ndalni kërcënimet, filloni dialogun (VIDEO)

Aktuale February 18, 2016 - 13:54

Përfaqësuesit e tri bashkësive fetare në Kosovë i kanë bërë thirrje spektrit politik për dialog ndërmjet tyre dhe të ndërpriten deklaratat që qojnë në nxitjen e dhunës në vend.

Nga Katedralja e Kosovës, Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji, myftiu Naim Tërnava dhe përfaqësuesi i Kishës Protestante Driton Krasniqi kanë apeluar për tolerancë politike dhe shmangie të mesazheve dhe veprimeve që nxisin dhunë.  

Ata kanë ftuar spektrin politik në vend që të ndjekin shembullin e bashkësive fetare për tolerancë ndërfetare, duke apeluar që të ketë dhe tolerancë politike për të një shtet në dobi të qytetarëve sot dhe në të ardhmen.

 

Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji ka ftuar kosovarët që t’i thërrasin arsyes dhe të lënë të veprojë dashuria e zemrave për mirëkuptim, për dialog dhe për një ndërtim të përbashkët të së ardhmes të fëmijëve dhe të gjithë popullit, transmeton Zëri.info.

“Nuk mendoj se duhet të kërcënojmë njeri tjetrin as me forcën e popullit, as me forcën e pushtetit, por me forcën e dialogut dhe dashurisë së zemrave sepse rruga e vetme që na shtyn të gjithëve në paqe dhe në një shtet që meriton të ketë një qytetërim dhe një kulturë evropiane dhe një ligj i cili do të jetë i respektueshëm nga të gjithë mund të arrihet vetëm në këtë mënyrë”, ka thënë në konferencën për media Ipeshkvi Gjergji.

 

Image

Ndërsa myftiu Naim Tërnava në emër të BIK-ut ka ftuar spektrin politik të Kosovës që të gjejë kurajë, forcë, dije dhe vizion si dhe të gjejë dhe një unitet veprues për të dal nga kjo situatë në të cilën, sipas tij gjendet politika kosovare. “Të ulen dhe të merren vesh për një të ardhme sa më të mirë për vendin”, ka apeluar Tërnava.

Driton Krasniqi, përfaqësues i Kishës Protestante në vend po ashtu ka bërë thirrje për bashkim të spektrit politik. /Zëri