5 milionë euro nëse kemi zgjedhje të reja në Kosovë

Aktuale February 12, 2016 - 19:29

Partitë opozitare, Vetëvendosja, AAK-ja dhe Nisma, të pakënaqur me pushtetin aktual janë duke kërkuar dorëheqjen e Qeverisë dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shprehet i gatshëm në çdo moment për përgatitje të zgjedhjeve të reja të parakohshme me të cilat mund t’i kushtojnë vendit hiç më pak se pesë milionë euro.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në një prononcim për “Zeri.info” ka thënë se në bazë të Kushtetutës së Republikës ata janë të obliguar që në çdo moment të bëhen gati për zgjedhje eventuale, të përgjithshme apo lokale.

“Ne si Komision Qendror i Zgjedhjeve nuk kemi mundësi të shprehim dëshira a duam apo s’duam të shkojmë në zgjedhe, mirëpo ne teknikisht i organizojmë ato. Neve na çojnë njoftimin nëse janë për një gjë të tillë dhe teknikisht jemi përgjegjës t’i organizojmë”, ka thënë ajo.
 

Image


Sipas Dakës, në Kushtetutën e vendit janë përcaktuar kushtet për zgjedhjet e parakohshme, të cilat kanë kohë për organizim 30 deri në 45 ditë, ndërsa ato rregulltat 4 deri në 6 muaj. “Kostoja e zgjedhjeve i kushton vendit katër deri në pesë milionë euro”, është shprehur ajo.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës janë shprehur kundër shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme.

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka thënë se zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen në vitin 2018.

“Thirrjet për dorëheqje të Qeverisë s’i kam marrë seriozisht. Zgjedhjet do të mbahen në qershor të vitit 2018”, ka deklaruar ai për medie. /Zëri/