Gecaj: Komuna e Prishtinës dhe ato serbe të vetmet që s'e festojnë pavarësinë

Aktuale February 12, 2016 - 19:14

Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit, ka thënë se Komuna e Prishtinës është shndërruar në një kazermë ushtarësh të dhunshëm kundër Republikës së Kosovës dhe kundër partneritetit me miqtë e saj ndërkombëtarë.

Në një postim në Facebook, Gecaj ka thënë po ashtu se të vetmet komuna që sivjet nuk kanë paraparë asnjë aktivitet për të shënuar 8 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, janë Komuna e Prishtina dhe disa komuna me shumicë serbe.

“Kjo strukturë komunale në mënyrën më të pandershme të mundshme po fyen dhe po denigron djersën, gjakun dhe mundin e derdhur për arritjen e pavarësisë së Kosovës”, shkruan Gecaj, i cili është edhe zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Postimi i plotë i Gecajt:

Shënimi i 8 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, po e tregon (pa)fytyrën e vërtetë të neokomunistëve të Lëvizjes Anarkiste të Vetëvendosje (LAV) dhe luftën e tyre speciale kundër shtetit të Kosovës.

Pasi e denigruan dhe e hoqën flamurin e Kosovës nga çdo cep i objektit komunal të kryeqytetit, hodhën molotov mbi institucionet dhe mbrojtësit e Republikës, tashmë marioneta e LAV-së në Komunën e Prishtinës, Shpend Ahmeti, e mbushi sheshin kryesor të Prishtinës me parulla dhe thirrje vandale për protesta të dhunshme, të sponsoruara me para të dyshimta.

Komuna e Prishtinës nuk ka bërë as më të voglin hap për të krijuar atmosferë festive për nder të Republikës, përkundrazi po krijon atmosferë frike e dhune verbale, si dhe thirrje për shkatërrim duke vendosur nëpër shesh materiale partiake.

Të gjitha potencialet dhe resurset e Komunës së Prishtinës janë vënë në shërbim të këtij subjekti politik dhe të protestave të dhunshme të saj me synim të vetëm, ardhjen në pushtet.

Kjo strukturë komunale në mënyrën më të pandershme të mundshme po fyen dhe po denigron djersën, gjakun dhe mundin e derdhur për arritjen e pavarësisë së Kosovës.

Komuna e Prishtinës është shndërruar në një kazermë ushtarësh të dhunshëm kundër Republikës së Kosovës dhe kundër partneritetit me miqtë tanë ndërkombëtarë.

Për ironi, të vetmet komuna që sivjet nuk paskan paraparë asnjë aktivitet për të shënuar 8 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, qenkan Prishtina dhe disa komuna me shumicë serbe.