Fëmijët nuk u verbuan me qëllim

Aktuale February 11, 2016 - 07:50

Ministri kosovar i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka pranuar se mund të ketë ngecje gjatë diagnostikimit të sëmundjes së retinopatisë, që për pasojë ka verbimin. Ai ka thënë se nëse vërtetohet neglizhenca dhe lëshimi që ka mundur të evitohet, atëherë nuk është kundër ndjekjes së individëve

Në zyrën e tij, në ish-objektin e Spitalit të Mushkërive në Prishtinë, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, në një intervistë për “Zërin” ka pranuar se në rastin e neonatologjisë mund të ketë ngecje në mosdiagnostikim të saktë të retinopatisë premature dhe si pasojë edhe verbimin e fëmijëve.

“Por, unë them që kjo nuk është bërë me asnjë qëllim”, është shprehur ministri i Shëndetësisë kosovare, Imet Rrahmani, i cili tashmë ka kërkuar të dhëna për rastet nga Klinika e Neonatologjisë.

 

Rrahmani po ashtu ka folur për rastin “Stentat”, duke potencuar se nuk ka ndërhyrë asnjëherë në drejtësi.

Ministri i Shëndetësisë është shprehur se nuk e ka lexuar hulumtimin për verbimin e foshnjave në neonatologji, megjithatë ka thënë se nuk i ka pëlqyer titulli i vendosur në atë hulumtim - “Klinika ku verbërohen fëmijët”.

Ka thënë po ashtu se gazetarët nuk kanë gabuar që kanë publikuar emrat e të dyshuarve në rastin “Stentat”, por gabim kanë bërë ata që këta emra ua kanë dhënë mediave.

Sipas tij, publikimi i emrave para publikut duhet bërë vetëm atëherë kur vërtetohet fajësia.

I pari i shëndetësisë kosovare derisa ka folur për statistikat e verbimeve të fëmijëve në Amerikë si pasojë e retinopatisë, ka thënë se në Kosovë nuk kanë statistika për numrin e të verbuarve nga retinopatia.

Nuk e kam lexuar artikullin, por kishte një titull të rëndë

Zëri: Z. ministër, gazeta “Zëri” e ka publikuar para pak ditësh një hulumtim rreth verbimit të fëmijëve kosovarë për shkak të sëmundjes së retinopatisë premature. A është menduar ndonjë zgjidhje që të mos na përsëriten raste të tilla të verbimeve?

Rrahmani: Unë në fakt nuk e kam lexuar në detaje artikullin. Por, më është raportuar mënyra qysh është titulluar artikulli dhe më është dukur shumë e rëndë.

Zëri: Përmbajtjen nuk e keni lexuar, z. ministër?

Rrahmani: Përmbajtjen ma kanë komentuar të tjerët se nuk kam pasur mundësi ta shoh. Them që, të shkruhet se ky është vendi ku verbohen fëmijët është e tepërt. 

Zëri: Nuk është thënë bash ashtu. Aty janë paraqitur gjashtë fëmijë të pesë familjeve, të cilët janë verbuar si pasojë e mosrespektimit të protokolleve mjekësore?

Rrahmani: Unë desha të them se titulli ka qenë shqetësues. Unë e di që retinopatia mund të sjellë edhe çrregullime në retinën e syrit dhe nëse nuk intervenohet mund të shkohet deri në verbim.

Zëri: Z. Ministër, edhe më trishtues ka qenë kur i kemi parë ata fëmijë pa sy?

Rrahmani: Mua më vjen keq për familjarët dhe fëmijët sepse jam mjek dhe kam bashkëndier dhe i ndjej vështirësitë e familjeve kur kanë të sëmurë e sidomos fëmijët dhe me situata të tilla kur nuk sheh. Por, unë them që nëse ndalemi tek artikulli, titulli ka qenë shumë i ashpër. 

Zëri:  Të ndalemi te fëmijët…? 

Rrahmani: Po, ndalemi te fëmijët. Unë ju jap një statistikë që zyrtarisht i kam kontaktuar përgjegjësit e klinikës së neonatologjisë dhe ata më citojnë një të dhënë nga shënimet e shtetit amerikan, që po dua t’i ndaj me ju. Nga 28 mijë të lindur para kohe në vit, rreth 50 për qind e tyre kanë probleme me retinën. 

Zëri: Megjithatë, atje diagnostikohen dhe merren masa dhe të shumtën e rasteve ka sukses?

Rrahmani: Prej atyre 50 për qind, që i bie 14 deri 15 mijë, rreth 500 mbesin të verbër, pavarësisht mundësive të mëdha diagnostike dhe intervenuese që i kanë në Amerikë.

Zëri: A ka Klinika e Neonatologjisë raporte kthyese se sa fëmijë janë verbuar së paku pesë vitet e fundit, si pasojë e mosdiagnostikimit të sëmundjes?

Rrahmani: Kosova ka një mangësi në sistemin shëndetësor që po mundohemi ta eliminojmë – ekzistimin e shënimeve të sakta. Kjo do të marrë kohë derisa të evidentohet. Por, ne duhet të marrim masa që asnjë fëmijë të mos mbetet pa u diagnostikuar. Por, nuk mund të themi që të gjithë në Klinikën e Neonatologjisë dhe Oftalmologjisë nuk janë të përkushtuar për ta kryer punën si duhet.

Zëri: Kemi folur me emër dhe mbiemër, z. ministër. Ndërkohë, përgjegjësia është konkretizuar në masë të madhe. Dhe, meqë nuk e paskeni lexuar artikullin, askund nuk është thënë se sëmundja është 100 për qind e shërueshme dhe se ka raste që ajo përfundon me verbim edhe përkundër diagnostikimit?

Rrahmani: Kjo duhet të dihet, por titulli ka qenë shumë trishtues.

Zëri: Për ne si gazetarë ka qenë shumë më trishtues kur i kemi parë gjithë ata fëmijë të verbër dhe kur i kemi kontaktuar prindërit që thonë se në asnjë moment nuk janë njoftuar për rreziqet e sëmundjes. Pas fillimit të hulumtimit të këtij artikulli, njerëzit kanë filluar të informohen për pasojat e sëmundjes shumë më konkretisht? 

Rrahmani: Unë nuk e besoj që fëmijët nuk orientohen te mjeku përkatës. Mund të ketë ngecje në diagnostikim ose mosdiagnostikim të saktë dhe si pasojë edhe verbimin. Por, unë them që kjo nuk është bërë me asnjë qëllim. 

Rrahmani: Nëse vërtetohet neglizhenca dhe lëshimi që ka mundëur të evitohet, unë nuk jam kundër ndjekjes së individëve

Zëri: Nuk kemi thënë që kjo është bërë me qëllim, por kjo ka ndodhur si rezultat i mosrespektimit të protokolleve mjekësore dhe mosrespektimit të programit të skreningut?

Rrahmani: Shpeshherë protokollet mjekësore nuk mund të implementohen tërësisht edhe për shkak të mungesave teknike edhe atyre kuadrovike. Ne në MSh, siç e dini, kemi marrë masa që të formohen protokollet dhe algoritmet klinike dhe janë formuar komisionet dhe po punohen. Aq sa ka pasur mundësi të bëhet në neonatologji, aq është bërë. Tash, sa u ka ikur profesionistëve mundësia e diagnostikimit të saktë të retinopatisë premature unë nuk jam ekspert të futem aty.

Këtu e kisha parë rolin e ekspertizave profesionale, e më vonë nëse vërtetohet neglizhenca dhe lëshimi që ka mundur të evitohet, unë nuk jam kundër ndjekjes së individëve. Por jam kundër etiketimit dhe ndjekjes së grupit.

Zëri: Z. ministër ajo që na ka bërë përshtypje ishin dy raste ku fëmijët pos që kanë pësuar në aspektin oftalmologjik, kanë pësuar edhe në pikëpamje tjera. Kjo është një fotografi e një vajze që shihet që i është dëmtuar hunda si rezultat i mosvendosjes adekuate të sipapit. Në këtë fotografinë tjetër shihet se si një fëmijë i trajtuar në neonatologji ka mbetur pa dorë, si rezultat i vendosjes së një kanile dhe një infeksioni që më vonë i është shndërruar në gangrenë. A duhet që përfundimisht të japë dikush përgjegjësi për këto raste? 

Rrahmani: Po, rastet e tilla të argumentuara. Unë i ftoj që të merren hetime dhe të përgjigjen individët. Por jam kundër linçimit kolektiv. 

Zëri: A mund të ankohen prindërit pas dy vjet e gjysmë?

Rrahmani: Po, gjithmonë prindërit mund të ankohen. Nëse vërtetohet përgjegjësia unë jam për të shkuar deri në fund. Drejtësi ka në Kosovë vetëm duhet të respektohet ligji.

Zëri: Një doktor oftalmolog në Shkup, Dr. Bekim Tateshi, ka thënë se është koha e fundit që autoritetet shëndetësore në Kosovë të bëjnë diçka që trajtimi i pacientëve me retinopati të bëhet sipas protokolleve mjekësore. Ai ka shprehur gatishmëri që të trajnojë stafin kosovar për diagnostikimin dhe të kryejnë intervenimin laserik për sëmundjen e retinopatisë, që të ulet numri i personave që mund të pësojnë si rezultat i kësaj sëmundjeje?

Rrahmani: E përshëndes vullnetin e doktorit për të ndihmuar. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë. Ministria e Shëndetësisë tashmë ka formuar të gjitha trupat dhe ka filluar procesin e formimit të protokolleve dhe udhërrëfyesve klinikë. Ajo merr kohë sepse është një çështje shumë profesionale, e cila do të vërë në pah protokollet dhe udhërrëfyesit që duhet t’i përmbahen. Ne si MSh do të kujdesemi që të jemi në koherencë me shkencën dhe trendet dhe të përmbushim mundësitë teknike që këto protokolle të implementohen. Mungesa e kuadrove është vështirë të mbulohet shpejt në kohë.

Zëri: Ministër, a mund të merret çështja e retinopatisë prioritet, si çështje e interesit kombëtar?

Rrahmani: Po, mundet dhe vetë drejtoresha e neonatologjisë ka kërkuar që kjo të bëhet para disa kohësh.

 Rrahmani: Nuk ndërhyra në punët e drejtësisë në rastin “Stentat”

Zëri: Gazeta “Zëri” publikoi mbi 100 emrat e të dyshuarve në rastin “Stentat”. Prokuroria tha se Ju ndërhytë si Qeveri dhe ministër në punët e drejtësisë? 

Rrahmani: Jo. Është incizimi në Qeveri. Unë kam thënë “nuk e dij a ka mundësi që kjo punë të përshpejtohet dhe të mbyllet hetimi dhe të ngrihet aktakuza ndaj atyre që ka fakte”. Sepse, mund të dalë dikush i pafajshëm. Dhe, kam thënë nuk e di a ka mundësi. Dhe, ju nuk keni pasur faj që i keni publikuar ata emra. Faji ka qenë i atyre që jua kanë dhënë ata emra. Unë e mbroj qëndrimin se fajësia duhet të publikohet pasi të vërtetohet. Shtrohet pyetja: pse duhet një iks i dyshuar për një krim, të dalë me iniciale në shtyp ose televizion, kurse mjekët të arrestohen para kamerave?

Zëri: Nuk ndodh gjithmonë kështu z. ministër. Edhe të dyshuar për krime të rënda, kur janë të rangut të lartë dhe kur kanë të bëjnë me interesin e publikut, emrat e tyre publikohen. Po jua marr shembullin e Enver Sekiraqës, një njeri kontrovers në Prishtinë që prej momentit të parë të dyshimeve është përmendur me emër e mbiemër në gazetë?

Rrahmani: Unë do t’ju pyesja Juve: Çka nëse dalin të pafajshëm?

Zëri: Në momentin që dalin të pafajshëm, publikohet lajmi që janë të pafajshëm!  

Rrahmani: Desha të them edhe këtë. Nuk jemi kundër hetimeve, absolutisht. Ju e dini që jam i përkushtuar që të ndiqen të gjithë ata që thyejnë ligjin.

Zëri: Dy udhëheqës institucionesh janë të dyshuar në rastin “Stenta”, njëri u.d. drejtor i Spitalit të Gjilanit, kurse tjetri drejtor i Kardiologjisë. A duhet që ata të vazhdojnë të punojnë si udhëheqës të këtyre institucioneve pas gjithë këtij skandali?

Rrahmani: Derisa nuk vërtetohet fajësia kjo është çështje e tyre personale, si e marrin dhe si e ndjejnë ata. Në momentin që vërtetohet fajësia unë mendoj se nuk duhet të jenë udhëheqës.