“Shërbyesit civilë kanë rëndësi për përparimin e vendit”

Aktuale February 09, 2016 - 18:30

67 shërbyes civilë, pjesë e Zyrës së Kryeministrit, Kuvendit të Kosovës, Gjykatës Kushtetuese, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Pushtetit Lokal, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Ministrisë së Drejtësisë, Bankës Qendrore, Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, si dhe Korporatës Energjetike të Kosovës, janë certifikuar sot nga Universiteti Amerikan në Kosovë (AUK).

Të gjithë punonjësve që i janë nënshtruar trajnimit u është ofruar mësim i individual, me fokus në sfida dhe mundësi në trajtimin e politikave të synuara për zyrat e tyre specifike.

U tha se projektet ku janë trajnuar këta shërbyes civilë mund të implementohen në institucionet përkatëse të këtyre fushave.

Në ceremoninë e certifikimit prezent ishte edhe kryeministri i vendit Isa Mustafa, i cili vlerësoi lartë mbështetjen e Universitetit Amerikan në lidershipin e institucioneve të Kosovës.

E sipas tij edhe Qeveria që ai udhëheq ka dhënë kontribut ka bërë punën e saj me ndërmarrjen e reformave efektive.

“Ne kemi reflektuar në programin qeverisës në nevojën që të kemi një lidership i cili është transformues, është efikas në programin e reformave ekonomike dhe në strategjinë kombëtare të zhvillimit. Janë këto tri fusha të cilat domosdo i vlerësojmë - punën që është bërë në Universitetin Amerikan, përkrahjen që është dhënë nga USAID dhe presim rezultate konkrete të cilat do të rrisin efikasitetin tonë në lidershipin si dhe komunikimin me vartësit apo pasuesit e liderëve në realizimin e objektivave tona”, tha ai.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, gjithashtu shprehi mbështetjen për institucionet e Kosovës duke thënë se shërbyesit civilë të cilët u certifikuan sot duhet që këto mësime t’i bartin tek të tjerët në mënyrë që ato të kthehen në të mirën e vendit.

Ai gjithashtu tha se shërbyesit civilë që janë të përkushtuar dhe të shkathët janë begati e një vendi dhe se ata duhet t’i përshtatin politikat e tyre.

Lidhur me këtë ngjarje, Delawie përmendi përvojën e tij si shërbyes i disa presidentëve amerikanë në SHBA.

Ndërsa, sa i përket ndryshimeve të cilat duhet të ndodhin në Kosovë, Delawie tha se ato duhet të ndodhin nga brenda, përmes dialogut dhe asnjëherë përmes dhunës.

Besim Zeneli, drejtor i programit që mundësoi trajnimin e këtyre punonjësve të certifikuar, tha se roli i tyre është i rëndësishëm dhe se ofron vlera të rëndësishme për ta.

Në ciklin e parë të trajnimit sipas Zenelit, kishin aplikuar 251 punonjës, 67 nga të cilët u pranuan, u trajnuan dhe u certifikuan.

Ndërsa për ciklin e dytë, ai tha se aplikacionet do të pranohen deri më 17 shkurt, ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Ai tha se së bashku me USAID-in këtë program do ta ofrojnë edhe në tri vitet në vazhdim. /KP/