Uk Lushi: Republika më e rëndësishme se cilido politikan egoist

Aktuale February 09, 2016 - 15:42

Publicisti Uk Lushi përmes nja postimi në ‘Facebook’, ka thënë se pavarësisht se pushteti është i kapluar nga korrupsioni politik, ekonomik dhe moral, opozita duhet të marrë pjesë në takimet e Presidentes.

Ai thotë se opozita e ka rastin që të paraqes argumentet dhe faktet e saj për kërkesat e tyre.

Postimi i plotë i Uk Lushit:

Pushteti është stërkequr. Republikën e ka kapluar korrupsioni politik, ekonomik dhe moral. Por Opozita duhet të marrë pjesë në takimet e Presidentes, sepse duke ofruar gatishmëri për dialog ajo tregon pjekuri demokratike dhe që e ka interesin e zgjidhjes së problemeve duke pranuar të gjitha mënyrat e gjetjes se zgjidhjeve prioritet. Në takime Opozita e ka rastin të paraqes argumentet dhe faktet e saj ndërsa e ekspozon Pozitën. Shkuarja ne takimet e Presidentes nuk do të thotë heqje dorë nga protestat dhe demonstratat. Përkundrazi. Njerëzit do ta shohin që Opozita interes parësor e ka vendin dhe jo ardhjen në qeverisje të vendit. Republika e Kosovës është më e rëndësishme se Pozita, se Opozita dhe cilido politikan egoist. Për Republikën e Kosovës duhet të jemi të gatshëm edhe të vdesim në rast rrezikimi të saj, e lëre më të flasim dhe luftojmë demokratikisht me njëri-tjetrin si kundërshtarë politik.