QKUK alarmohet nga skandali i verbimit të fëmijëve (VIDEO)

Aktuale February 09, 2016 - 07:49

Sëmundja e retinopatisë, që besohet se për gjashtë vjet ka mundur të verbojë rreth 200 fëmijë kosovarë, është tejkaluar në Evropë në vitet e 40-ta.

SHSKUK-ja është mobilizuar pas artikullit të “Zërit” për të bërë një zgjidhje, që fëmijët të mos verbohen

Hulumtimi i publikuar në “Zëri” në lidhje me verbimin e fëmijëve kosovarë për shkak të mosrespektimit të protokolleve mjekësore për sëmundjen e retinopatisë premature ka ngjallur reagime të menjëhershme të menaxhmentit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK). Prindërit kanë filluar të njoftohen më në detaje për pasojat e sëmundjes, për çka janë bërë edhe njoftime në Klinikën e Neonatologjisë, që nuk kanë ekzistuar më parë.

Drejtori i SHSKUK-së, sipas zëdhënësit Shpend Fazliu, menjëherë është angazhuar në kërkim të informacioneve të detajuara nga Klinika e Oftalmologjisë dhe Klinika e Neonatologjisë në lidhje me publikimin e bërë në “Zëri”.

“Të njëjtën kohë jemi në dijeni se Inspektorati Shëndetësor po inspekton gjithë dokumentacionin mjekësor në lidhje me trajtimin e këtyre fëmijëve”, ka thënë zëdhënësi Fazliu, sipas të cilit momentin që organet tjera fillojnë hetimin, atëherë ato janë kompetente për të bërë vlerësimin. “Dhe ne presim rezultatet e inspektimeve dhe do të shohim si do të procedohet tutje kjo çështje”, ka thënë Fazliu.  

Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, ka thënë se institucionet shëndetësore duhet të marrin gjithnjë parasysh interesin më të mirë të fëmijës.

 

KOMF: Do ta monitorojmë situatën që interesi i fëmijës të jetë mbizotërues

“Është një parim që është shumë i rëndësishëm në mbrojtjen e fëmijëve e që është edhe në Konventën e të Drejtave të Fëmijës, por edhe në legjislacionin tonë, që thotë se të gjitha veprimet dhe vendimet që ndërmerren, qoftë nga prindërit, por edhe nga institucionet, duke përfshirë edhe institucionet shëndetësore, duhet të merren duke pasur parasysh interesin më të mirë të fëmijës dhe interesi më i mirë i fëmijës duhet të jetë konsideratë parësore dhe mbizotëruese në gjitha veprimet që merren”, ka thënë Kelmendi.

Sipas saj, institucionet publike në këtë rast duhet të ndërmarrin veprime që janë të parapara me ligjet në fuqi.

“Ata kanë të drejtën, por kanë edhe obligimin që të inspektojnë raste të tilla dhe duke u bazuar në të gjeturat, të cilat mund të dalin, të ndërmarrin edhe veprime të tjera, pse jo dhe sanksione të parapara me ligjet në fuqi”, ka thënë Kelmendi. Sipas saj, KOMF-i do ta përcjellë dhe do ta monitorojë këtë proces.   

Edhe dr. Rushit Arifi, i specializuar në rehabilitimin e pacientëve me sëmundje të rënda të syrit e që jeton në Suedi, ka reaguar pas hulumtimit të gazetës “Zëri”.

Ai ka thënë se fenomeni i verbimit të fëmijëve të lindur para kohe është i njohur në tërë botën. “Por, tani me zhvillim të teknologjisë dhe ngritje të njohurive të personelit mjekësor, ky fenomen është çdo ditë më i rrallë. Në botën perëndimore rregullisht fëmijët që lindin para kohe u shtrohen kontrolleve të rregullta dhe intensive të syrit në mënyrë që të identifikohen komplikimet e mundshme”, ka thënë Arifi.
Ai ka thënë se syri, si organ i rëndësishëm i foshnjës, zhvillohet në fazën e fundit të formimit të foshnjës dhe ambienti më i përshtatshëm për zhvillimin e tij është në barkun e nënës. “Dhe nëse lindja kryhet pas muajit të 9-të, prapë syri nuk është mjaft i zhvilluar dhe për disa vjet vazhdon zhvillimi i tij”, ka thënë ai.

Evropa kishte problem me retinopatinë në vitet e 40-ta

Fëmijët që lindin para kohe, sipas Arifit, e kanë retinën të pazhvilluar mjaftueshëm. Andaj, sipas tij, shpeshherë retina e këtyre fëmijëve është tepër e ndjeshme në ambientin jashtë barkut të nënës dhe i ekspozohet një ambienti, i cili mund ta rrezikojë pariparueshëm.

“Dhe këtu është i domosdoshëm kujdesi maksimal i personelit mjekësor”, ka thënë ai.

Numri më i madh i pacientëve me diagnozën ROP (retinopati premature), sipas doktorit Arifi ka shpërthyer pas viteve 40-a kur filloi edhe përdorimi i inkubatorëve për fëmijë të lindur para kohe. “Një ndër shkaktarët më të mëdhenj për verbimin e madh të fëmijëve të lindur para kohe ishte mungesa e njohurive elementare e personelit mjekësor”, ka thënë Arifi, sipas të cilit, mbi 12 mijë fëmijë ishin verbuar. “Është me rëndësi të dihet se mbi 70 për qind e fëmijëve të lindur para javës së 27-të të graviditetit apo shtatzënisë diagnostikohen me ROP dhe rreth 35 për qind e tyre kanë komplikime serioze të retinës”, është shprehur ai.

Në shtetin e Suedisë ku ai punon ka thënë se hulumtimet që janë bërë kanë treguar se rreziku më i madh për ROP është për lindjet në mes javës 22-27 dhe pastaj rreziku bie me 50% për çdo javë që shtyhet lindja.
 “Është shumë me rëndësi që pas çdo lindjeje të parakohshme të kontrollohet me kujdesin më të madh retina në sy. Në rast se vërehen anomali në retina, është me rëndësi intervenimi sa më i shpejtë. Trajtimi laserik zakonisht jep efekte të mira”, ka thënë doktor Arifi.

Ndërkohë që gazeta “Zëri” një ditë më parë ka sjellë rrëfime të pesë familjeve të ndryshme kosovare që në vitet e fundit fëmijët e tyre mbetën të verbër si rezultat i mosrespektimit të protokolleve mjekësore.

Me rastin ka konfirmuar se po merret Policia dhe Inspektorati Shëndetësor.