Përçahet opozita

Aktuale February 08, 2016 - 07:42

Një ftesë e presidentes, Atifete Jahjaga, për takim të përbashkët mes liderëve të subjekteve parlamentare ka çarë bllokun opozitar. Kjo për faktin se opozita e bashkuar nuk arriti të qëndrojë edhe ndaj kësaj ftese e bashkuar, por u ndanë në qëndrime.

Derisa “Vetëvendosja” e “Nisma” i thanë “Jo” takimit me presidenten, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk e refuzoi atë. E kjo ngjalli reagime ndërmjet opozitës dhe një mundësi për përçarje brenda spektrit opozitar.

Kreu i AAK-së ka sqaruar arsyen pse do të shkojë të presidentja, duke thënë se te e para e vendit do të prezantojë qëndrimin e opozitës, tashmë të bërë publik e të palëkundur se si të dalë vendi nga kriza institucionale politike.

“Në këtë tryezë do të kërkoj që të shpërndahet Parlamenti dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, si e vetmja mundësi kjo për të dalë nga kriza. Po ashtu do të kërkoj që zgjedhja e presidentit të bëhet me votë të drejtpërdrejtë nga populli. Do t'i njoftoj akterët e kësaj tryeze se opozita e bashkuar është e vendosur ta vazhdojë kundërshtimin politik e qytetar deri në përgjigjen pozitive për këto kërkesa”, ka thënë Haradinaj, përmes një komunikate për medie. Më tutje kreu i AAK-së ka shtuar se vetizolimi i udhëheqësve opozitarë nënkupton izolim të kauzës së drejtë të opozitës, e cila duhet të depërtojë çdokund, duke përfshirë edhe qarqet ndërkombëtare.

“Ndërkaq vlerësimet e individëve për qëndrimin tim dhe të AAK-së në raport me këtë tryezë i konsideroj ose të ngutshme, ose me agjendë. Pavarësisht prej të gjithave, AAK-ja do të mbetet e palëkundur në frontin e përbashkët opozitar të kundërshtimit të degradimit të shtetit”, ka shtuar Haradinaj.

Çaushi: Flirt i AAK-së

Mirëpo, Lëvizja “Vetëvendosje” nuk po pajtohet për pjesëmarrjen e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, në takim te presidentja, duke e quajtur takim kundër protestës së 17 shkurtit, sepse zgjidhja është në shesh e jo në zyra të mbyllura me krerët e Qeverisë.

Nënkryetari i LVV-së, Driton Çaushi, ka thënë së ky takim me Thaçin e Mustafën është shkelje e rezistencës gjashtëmujore të opozitës së bashkuar, prandaj ky takim është i gabueshëm për opozitën dhe i dëmshëm për Kosovën. “Takimi me Thaçin e Mustafën është flirtim me ta për t'iu ndihmuar ambicieve të tyre (Thaçi që do të bëhet me çdo kusht president e Mustafa të mbetet me çdo kusht kryeministër).

Takimet me ta janë afrim e bashkim me qeverisjen e tyre. Janë në kundërshtim të plotë me tërë atë që është ndërtuar deri më tash me protestën e qytetarëve, aktivistëve e deputetëve, protestë kjo e cila e ka dëshmuar qartë se interesat e regjimit në njërën anë dhe ato të Republikës e të qytetarëve në anën tjetër janë në kundërshtim me njëra-tjetrën”, ka thënë Çaushi, duke bërë të ditur se ata si “Vetëvendosje” në asnjë mënyrë nuk do të marrin pjesë në takim me krerët e Qeverisë.

“Meqë nuk kemi shkuar te presidentja para tri javëve kur na thirri vetëm neve tri subjekteve opozitare, pse do të shkonim tek ajo tash kur është bashkë me Mustafën e Thaçin? Ne duhet të punojmë me qytetarët në mbrojtje të Republikës. Protesta gjithëpopullore e 17 shkurtit do të jetë edhe më e fuqishme”, ka theksuar ai.

Dilemat e “Nismës”

Partia tjetër opozitare “Nisma për Kosovën”, deri në orët e vona të së dielës ka diskutuar rreth vendimit që kishin marrë për të mos shkuar te presidentja në takimin me liderët e të gjitha partive parlamentare.

Kryesia e “Nismës” ka qenë e ndarë nëse duhet apo jo që kreu i saj, Fatmir Limaj, të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja, Atifete Jahjaga. 

Gjatë diskutimeve që janë zhvilluar, burime të “Zërit” brenda “Nismës” kanë thënë se për shkak të qëndrimeve të barabarta për dhe kundër, për të marrë vendim do t’ia lënë në duar kreut të saj Fatmir Limajt. Rishqyrtimin e vendimit për të mos shkuar te presidentja në takim “Nisma” e bëri një ditë pas takimit që kanë pasur liderët e partive opozitare, pas së cilës “Nisma” ishte kategorike kundër një takimi të tillë.

Presidentja, Atifete Jahjaga, e ka paraparë takimin ta mbajë sot (e hënë) në zyrën e saj, në orën 09:00, në të cilin pritet të marrin pjesë edhe ambasadori i SHBA-së, Greg Delawi, dhe shefi i Zyrës së BE-së, Samuel Zbogar.