Ramushi ecën vetëm

Aktuale February 08, 2016 - 07:39

Shkuarja e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, në takimin e ftuar për të hënën (sot) nga presidentja, Atifete Jahjaga, pa dy partnerët tjerë të bllokut opozitar nga analistët politikë komentohet në mënyra të ndryshme.

Ish-politikani dhe njëherësh avokat, Azem Vllasi, ka deklaruar të dielën për gazetën “Zëri” që ky është një sinjal se mungon uniteti brenda opozitës.

“Është shenjë shumë e qartë se në mes tyre nuk ka unitet brenda bllokut opozitar”, ka thënë Vllasi, duke shtuar se në takim tek presidentja është dashur  të shkojnë që të gjithë opozitarët, sepse, sipas tij, ftesa ka ardhur nga e para e vendit.

Me komentet e Vllasit nuk pajtohet edhe analisti politik, Haki Abazi. Ky i fundit mendon se vendimi i AAK-së që të shkojë në takim te presidentja nuk duhet të konsiderohet si përçarje brenda opozitës, por që, sipas tij, është një sinjal që të dilet nga kriza dhe situata aktuale në vend.

Abazi thotë se AAK-ja në këtë rast ka sakrifikuar brenda vetes që t’i bashkëngjitet takimit me liderët e koalicionit.

“Vendimi i AAK-së për t’iu bashkuar takimit me presidenten dhe me liderët e pozitës nuk duhet të konsideruar si përçarje brenda opozitës, por sinjal që të dilet nga situata. ‘Vetëvendosja’ dhe ‘Nisma’ e kanë një nivel tjetër sepse ka ndodhur që në të kaluarën janë tradhtuar shumë herë nga këto bashkime. Më duket shumë e mençur që opozita ka bërë një formë të strategjisë se mund të jetë pjesë e diskutimit dhe t’u qëndrojë besnik qytetarëve që të dalë në protesta për kërkesat e tyre. Në këtë rast, AAK-ja ka sakrifikuar brenda vetes që të jetë pjesë e bisedimeve me liderët e pozitës”, ka thënë Abazi për gazetën “Zeri”.

I pyetur se a mund të ketë zgjerim të koalicionit qeverisës edhe me partinë e Haradinajt, Abazi thotë se gjithçka është e mundshme, por që, sipas tij, e vetmja zgjidhje do të ishin zgjedhjet e parakohshme.

“Gjithçka është e mundur, por nuk mendoj se liderët e pozitës kanë ndonjë kredibilitet që ta kthejnë situatën për 180 shkallë. Nuk do të mundë të zgjidhet problemi kështu duke ofruar poste”, ka thënë Abazi.

Edhe analisti Imer Mushkolaj është i mendimit që opozita duhet të shkojë në takim me presidenten e vendit për t’i paraqitur kërkesat e veta para saj dhe liderëve të koalicionit qeveritar. Ai thotë se shkuarja e Haradinajt në këtë takim nuk duhet të parë si fundi i unitetit brenda opozitës.

 “Nuk ka asgjë të keqe që opozita të shkojë në takimin e ftuar nga presidentja, të shkojë dhe t'i bëjë të qarta kërkesat e veta para saj dhe liderëve të koalicionit qeveritar. Pjesëmarrja në takim nuk nënkupton dorëzim, por kontribut për zgjidhjen e krizës. Edhe po të mbeten zgjedhjet opsion i vetëm, prapë nevojitet që palët të merren vesh në një takim. Andaj, pjesëmarrjen e Haradinajt në takim nuk duhet parë si fundin e opozitës së bashkuar, por si përfaqësim të opozitës për t'i bërë të qarta kërkesat e veta në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje”, ka thënë Mushkolaj.