Të harruar e të mbytur në varfëri (FOTO+VIDEO)

Aktuale February 07, 2016 - 23:38

Kjo dhomë është krejt çka ata kanë. Në ditët e ftohta, shtatë fëmijët mblidhen tek zjarri për t’u ngrohur. Shpesh të uritur, në mungesë të gjërave elementare për jetesë, fëmijët e Ajshes po luftojnë me këtë jetë. Të papunë, krejt çka ajo dhe bashkëshorti i saj kanë, janë ndihma sociale prej 115 euro, me të cilën duhet të përballojnë muajin.

Image

Askush nuk po i ndihmon ata. Të humbur e të harruar, familja Arifi e zbardhë çdo ditë në këtë barakë, në Obiliq, e cila nuk posedon as kushtet elementare për banim. I zoti i shtëpisë ka probleme me shëndet dhe nuk gjen dot punë. Derisa, Ajshja duhet të kujdeset për shtatë fëmijët që kanë.

Në një ambient të tillë, ku ata po jetojnë, ka rrezik edhe për ndonjë sëmundje për fëmijët. E kjo po e shqetëson shumë nënën e tyre.

Image

Ajshja mundohet të rrëfejë jetën e vështirë që po e bëjnë në qendër të Obiliqit. Siç thotë ajo, qindra herë kanë qenë në komunë për të kërkuar ndihmë por krejt kjo ka qenë e kotë.

Image

Ndihma sociale që merr kjo familje nuk i përballon as gjysmën e shpenzimeve për shtatë fëmijët që kanë. Sipas saj, kanë vetëm një njëri që i ndihmon herë pas here me ushqim dhe gjëra elementare; është një mik i djalit të saj.

Ajsha lutë të gjithë njerëzit qëllim-mirë, që t’i dalin në ndihmë asaj në mënyrë që të sigurojë një jetë normale për fëmijët e saj.

Image

Ajo bënë thirrje edhe tek institucionet që menaxhojnë me paranë publike, që të shohin gjendjen e familjes Arifi dhe t’iu dalin në ndihmë.

Brenga më e madhe për të është shëndeti i fëmijëve, që më i vogli i saj ka vetëm katër muaj, derisa fëmija i madhi është 18 vjeç.

Shtatë fëmijët e familjes Arifi nuk po mund të bëjnë një jetë normale, krejt kjo për shkak të mjerimit në të cilin po jetojnë./KosovaPress/