Ymeri: Serbia përgjon Kosovën me kodin telefonik 383

Aktuale January 19, 2016 - 08:07

Lëvizja “Vetëvendosje” e konsideron të dëmshme për sovranitetin e Kosovës, Marrëveshjen për Telekomunikacionin që është miratuar në Bruksel dhe që pritet të jetësohet në mars të këtij viti. Ky subjekt politik në një konferencë për media konsideron se këtë marrëveshje do ta kundërshtojë sikur marrëveshjet e tjera të arritura në Bruksel, sepse, sipas tyre, puna e operatorit të ri serb në Kosovë, rrezikon sovranitetin e vendit, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë.

Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, tha se kodi i ri telefonik në Kosovë, 383, nuk do të jetë i Kosovës, por do të jetë pronë e Serbisë, veçse Kosova do të jetë përdoruese e tij. Ai tha se kompania të cilës do t’i jepet leje për operim në Kosovë, është kompani shtetërore e Serbisë.
“Kjo natyrisht që është një çështje shtetërore dhe nuk mund të vendoset në këtë mënyrë. Aq më pak të lejohet e të durohet që një kompani shtetërore të ofrojë shërbime telekomunikimi brenda një shteti tjetër duke pasur parasysh jo vetëm aspektin e sovranitetin dhe zhvillimit ekonomik, por veçanërisht edhe atë të sigurisë. Sepse është çështje sigurie se kush dhe si i kontroll bisedat telefonike, këmbimet tjera të komunikacionit mes qytetarëve të një vendi”, tha Ymeri.

E për këtë çështje ka folur edhe Ismet Hamiti, ekspert i kësaj fushe nga Lëvizja “Vetëvendosje”. Hamiti konsideron se pasojat e marrëveshjes së kodit telefonik janë fatale për Kosovën.

“Kodi ndërkombëtar për Kosovën mund të zgjidhet pa Serbinë. Dhe këtë publiku duhet ta dijë, se pse e kanë futur këta në lojë Serbinë, unë nuk kam shpjegim. Kosova edhe pa qenë anëtare e OKB-së mund të aplikojë për kodin ndërkombëtar, këtë ia lejon Kushtetua e ITU-së… pse nuk e kanë bërë këtë, pse e kanë zgjedhur atë rrugë përmes Serbisë, unë nuk kam shpjegim dhe nuk ka asnjë shpjegim racional që të më bind se kjo ka qenë rruga e duhur. Pasojat do të jenë fatale për sovranitetin e shtetit tonë kështu duke u prekur edhe çështjet e sigurisë brenda shtetit”, tha Hamiti.

Sipas tij, një zgjidhje tjetër do të ishte zbatimi i rezolutës së Kuvendit, për aplikimin e kodit 355 të Shqipërisë në Kosovë. Ndër të tjera, Visar Ymeri bëri të ditur se do të vazhdojnë kundërshtimin e marrëveshjeve me Serbinë, përshirë edhe këtë për kodin telefonik, me metodat e njëjta siç i kanë praktikuar deri tani.

Sipas Qeverisë, fillimi i operimit të këtij operatori është në përputhshmëri me negociatat teknike që janë zhvilluar në Bruksel.