Tenderi qė e lidh Enver Hasanin me korrupsionin (Dokument)
Foto: Laura Hasani

Tenderi qė e lidh Enver Hasanin me korrupsionin (Dokument)

SHPËRNDARJE

31 Korrik 2015 • 18:15 •

Hulumtimin lidhur me dallaveret në tenderin e përkthimit të librave. Bazuar në këto fakte, sot, Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj ish-Rektorit Enver Hasanit dhe ish-Shefit të Prokurimit në UP, Hakif Veliu si dhe Albert Rakipit.

Universiteti i Prishtinës – në kohën kur udhëhiqej nga Enver Hasani – i kishte dhënë tender gjysmë milion eurosh një kompanie të papërgjegjshme, nga Tirana, për përkthimin e tetë librave. Në këtë kompani, për një kohë, u angazhua edhe vetë Enver Hasani. 

Gazeta Express raportoui se tenderi u nis si i hapur dhe përfundoi i negociuar, derisa njeriu që e nënshkroi tenderin, si përfaqësues i Rektoratit, tash punon në Gjykatën Kushtetuese. UP ia dha paratë kësaj kompanie, kurse librat e përkthyer nuk erdhën kurrë në Prishtinë. Lexojeni në Express rrëfimin për këtë tender që nxjerr për herë të parë në dritë një pjesë të punës së Enver Hasanit si Rektor i UP’së; një pjesë jo të lavdishme.

Nëse asgjë tjetër tenderi i viti 2008 i Universitetit publik të Prishtinës (UP), për përkthimin e librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe, e lidh fort ish-Rektorin Enver Hasani me korrupsionin.

Në një hulumtim, Express ka gjetur se UP nën drejtimin e Enver Hasanit e lidhi këtë kontratë me një kompani të papërgjegjshme nga Tirana dhe në të cilën, së paku për një kohë, kishte qenë i angazhuar vetë Hasani, tash kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe me drejtorin ekzekutiv të së cilës, Albert Rakipin, Enver Hsani gjendet disa herë i lidhur në projekte shkencore.

Krejt historia nisi në korrikun e viti 2008, kur UP’ja shpalli tenderin “Përkthimi i Librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe”, me të cilin u shpërblye afro katër muaj më vonë, në muajin nëntor u shpërblye kompania “Instituti i Studimeve Ndërkombëtare ” me qendër në Tiranë.

Njoftimin për dhënie të kontratës në fjalë, në emër të UP’së, e nënshkroi Hakif Veliu, shef i Prokurimit në UP, i cili po si shef prokurimi do ta ndiqte Enver Hasanin edhe kur ky u zgjodh në Gjykatën Kushtetuese, kurse nga ana e kompanisë nga Tirana, këtë dokument e nënshkroi vetë Albert Rakipi.

Për çudi, kontrata nuk pati një vlerë fikse dhe kjo kontratë u lidh me çmim për njësi, apo thënë ndryshe, sipas kontratës UP’ja do t’i detyrohej kompanisë ku për një kohë u angazhua Enver Hasani, nga 12.65 euro për çdo 1 mijë fjalë të përkthyera.

Gazeta “Koha Ditore” në prill të viti të kaluar raportoi se librat që u përkthyen me këtë tender, 8 sosh, kurrë nuk kanë ardhur në Kosovë. Gazeta shkruan që për këto tetë libra të përkthyera nga kompania private e Albert Rakipit, ku për një kohë qe i angazhuar edhe Enver Hasani e që në Shqipëri është regjistruar si OJQ, Universiteti publik i Prishtinës pagoi mbi gjysmë milioni euro.

Express ka kërkuar qasje në dosjen e këtij tenderi dhe në faturat që i janë paguar kompanisë ku u angazhua Enver Hasani, por drejtuesit aktual të UP’së deri tash nuk e kanë lejuar një gjë të tillë sikurse nuk kanë komentuar për këtë tender, duke përfshirë këtu, pos Rektoratit, edhe Këshillin Drejtues të UP’së.

Lidhja e Enver Hasanit me kompaninë që e fitoi tenderin

Deri tash në media për Enver Hasanin e Albert Rakipin ishte thënë se janë shokë të mirë, por Express zbuloi se lidhja e tyre është më e fortë. Është lidhje mes shefit dhe punëtorit si dhe bashkëpunim në projekte shkencore.

Kështu, në ueb-faqen e kompanisë “Instituti i Studimeve Ndërkombëtare”, me qendër në Tiranë, që u shpërblye në vitin 2008 nga UP’ja me tenderin për përkthimin e librave nga gjuha angleze në atë shqipe, del se Enver Hasani ka qenë i angazhuar për një kohë.

Sipas shënimeve publike në këtë faqe, Hasani ishte i angazhuar si “Senior Associate Researchers”. As Enver Hasani dhe as kompania nuk kanë dhënë përgjigje se sa kohë mbajti këtë pozitë në këtë kompani Enver Hasani dhe cila ishte shuma e kompensimit financiar që mori ai për këtë angazhim.

Por lidhje mes Enver Hasanit e drejtorit ekzekutiv të kësaj kompanie, Albert Rakipi është edhe më e fortë në projekte shkencore.

Express ka kërkuar përgjigje nga Albert Rakipi e Enver Hasani nëse ndikoi ky raport i tyre për t’u shpërblyer kompania e Rakipit, “Instituti i Studimeve Ndërkombëtare”, me tenderin që i kushtoi UP’së mbi 500 mijë euro, por asnjëri nuk u janë përgjigjur pyetjeve.

Gazeta ka kërkuar edhe një interpretim nga Agjencioni Kundër Korrupsion (AKK) nëse paraqet konflikt të interesit dhënia e tenderit publik kësaj kompanie, kur në të ka qenë i angazhuar Enver Hasani, por ky agjencion nuk ka komentuar. Për çudi, për këtë rast, AKK’ja që drejtohet qe dy mandate nga Hasan Preteni as nuk u është përgjigjur e-maileve të gazetës.

Tenderi prej 500 mijë eurosh iu dha kompanisë së papërgjegjshme, librat nuk erdhën kurrë

Afro një vit pasi që u lidh kontrata mes UP’së dhe kompanisë së Albert Rakipit, Departamenti i Mbikëqyrjes dhe Monitorimit (DMM) i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), bëri një hetim të shtatë tenderëve të UP’së. Një ndër ta ishte edhe tenderi “Përkthimi i Librave nga gjuha angleze në gjuhën Shqipe”, i shpallur më 26 nëntor të viti 2008, me Nr. i prokurimit 20/ 800/ 08/ 043/ 211.

KRPP’ja gjeti se për këtë tender UP’ja kishte bërë shkelje të një pas njëshme, por kryesorja ishte që tenderi u dha kompanisë së papërgjegjshme – në këtë rast kompanisë së Albert Rakipit dhe ku qe i angazhuar për një kohë Enver Hasani, kompania “Instituti i Studimeve Ndërkombëtare” me qendër në Tiranë.

“KRPP-ja ka analizuar procesin e vlerësimit të tenderëve të 6 aktiviteteve të prokurimit dhe ka konstatuar se autoriteti kontraktues ka bërë vlerësim të drejtë të 6 aktiviteteve të prokurimit, ndërsa për një aktivitet të prokurimit (me nr të prok. 20/800/08/043/211 ) është bërë shkelje e nenit 57 të LPP-së sepse është shpërblyer OE i pa kompletuar dhe i pa përgjegjshëm”.

Express ka kërkuar përgjigje nga KRPP’ja për këtë konstatim, por ky institucion nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës. Gazeta ka kërkuar përgjigje edhe nga nënshkruesi i njoftimit për dhënie të kësaj kontrate, Hakif Veliu dhe vetë nënshkruesi i kontratës, Albert Rakipi, por as ata nuk janë përgjigjur.

Po për këtë tender, KRPP’ja do të konstatonte që u bënë edhe shkelje të tjera.

Fillimisht ky aktivitet i prokurimit nuk ishte parashikuar, që paraqet shkelje të nenit 7 të ligjit të vjetër të Prokurimit, dhe më vonë, kompania që e fitoi tenderin, kompania e Albert Rakipit nuk e dorëzoi sigurimin e obligueshëm të tenderit.

“Nga e evidenca e kontrolluar vërejmë se për dy aktivitete të prokurimit është bërë shkelje e nenit 60 të LPP-se, sepse nuk është dorëzuar sigurimi i kërkuar i ekzekutimit (nr. prok. 20/800/08/043/211; 08/021/521 )”, konstaton KRPP’ja.

Gazeta “Koha Ditore” shkroi më vonë që librat kurrë nuk erdhën në Kosovë, derisa paratë i mori “Instituti i Studimeve Ndërkombëtare”.

Express ka kërkuar një sqarim nga Akif Veliu që nënshkroi njoftimin për dhënie të tenderit në fjalë, por i njëjti nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Por ai një vit më parë pati folur për “Koha Ditore”.

“Të gjitha shërbimet që ne i kemi paraparë kanë ardhur në Rektorat, por nuk e di se ku ka ngecur puna”, ka thënë Veliu, teksa ka shtuar se në këtë shërbim ka hyrë vetëm përkthimi, dizajni, thyerja grafike e ndonjë shërbim tjetër, por jo edhe librat e gatshëm.

Krejt çka është dashur deri në botim të librave të përkthyer është bërë dhe është hedhur në CD. Ata pastaj i janë dërguar Rektoratit. Ndërkohë është ndërruar menaxhmenti dhe nuk e di se ku ka ngecur puna, pati deklaruar Veliu.

Veliu ishte pyetur edhe për procedurën hetimore që ishte iniciuar nga menaxhmenti pasardhës i UP-së, pas atij të Enver Hasanit. Ai kishte treguar se njëherë është thirrur në hetuesi ku e ka dhënë një deklaratë dhe se nuk e di se çfarë ka ndodhur më vonë.

Ky person, Hakif Veliu duket të jetë i lidhur me Enver Hasanin. Ai kishte shërbyer si Shef i Prokurimit në UP nën drejtimin e rektorit Enver Hasani. Kur Hasani u zgjodh Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, edhe Veliu u punësua po në këtë institucion si Shef i Prokurimit.

Express ka kërkuar përgjigje nga vetë Hakif Veliu, Enver Hasani dhe Gjykata Kushtetuese se si u punësua Veliu aty: Nëse u bë transfer dhe pse, apo u punësua me konkurs publik, por asnjëri nga ta nuk ka pranuar të komentojë.

Tenderi u nis i hapur, përfundoi me negocim

UP’ja në tenderin për përkthimin e librave nga gjuha anglez në gjuhën shqipe, me të cilin e shpërbleu kompaninë e Albert Rakipit, njëherit kompaninë ku u angazhua për disa kohë edhe Enver Hasani, e nisi si tender të hapur, një procedurë që i lejon të konkurrojë secilës kompani që mund të ofrojë këtë shërbim.

Në këtë tender kishin konkurruar shtatë kompani. Çuditërisht, tenderi i nisur me procedurë të hapur, përfundoi si tender i negociuar, një formë e tenderëve që vazhdimisht do ta kritikonte Raporti i Progresit te pjesa për prokurimin publik.

Megjithëse në këtë tender konkurruan shtatë kompani dhe megjithëse në treg kishte që atëherë mjaftë kompani që ofronin përkthim, Prokurimi i UP’së i drejtuar nga Hakif Veliu la në garë më pakë se tri kompani të përgjegjshme, duke eliminuar kështu së paku pesë prej tyre. Me ligjin e vjetër të Prokurimit Publik UP’ja u detyrua t’i kërkojë Agjensionit të Prokurimit Publik (APP) që ta lejojë që ta vazhdonte tenderin si të negociuar, një kërkesë që iu refuzua.

Image

Megjithatë departamenti që drejtonte Hakif Veliu gjeti një hile tjetër ligjore, duke çuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili e lejoi këtë të fundit të negocionte për këtë tender, negociata pas të cilave u shpërblye kompania e Albert Rakipit.

Megjithëse veprim fortë i rrallë, OSHP’ja në vendimin e saj që ia lejoi UP’së negocimin e këtij tenderi (sipas ligjit të vjetër të Prokurimit- revokimin e nenit 30), nuk jep shumë detaje për arsyet që e quan në këtë vendim.

Express ka pritur për disa ditë OSHP’në por nuk ka marrë një koment nga ta në lidhje me këtë vendim.

Prokuroria heshte!

Gazeta Express ka afro një javë që i është drejtuar me pyetje Prokurorisë së Shtetit për tenderin “Përkthimi i Librave nga gjuha angleze në gjuhën Shqipe”, që UP’ja, nën drejtimin e rektorit Enver Hasani, ia dha kompanisë “Instituti i Studimeve Ndërkombëtare” – Tiranë, ku për një kohë qe i angazhuar edhe vet Hasani.

Image

Gazeta e ka pyetur nëse ishin në dijeni se tenderi i ishte dhënë kompanisë së papërgjegjshme; se Hasani kishte lidhje me kompaninë dhe me drejtorin e përgjithshëm të saj, Albert Rakipi; se tenderi u nis i hapur dhe përfundoi i negociuar, se u eliminuan së paku pesë kompani të tjera; se personi që e nënshkroi njoftimin për dhënie të këtij tenderi tash punon në Gjykatën Kushtetuese dhe se është raportuar që librat e përkthyera me këtë tender kurrë nuk përfunduan në duar të studentëve.

Gazeta e ka pyetur prokurorinë e Shtetit edhe nëse po hetojnë në këtë rast, por ky institucion nuk u është përgjigjur asnjërës nga këto pyetje.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, nëpërmjet zëdhënësit të saj, Ekrem Lutfiu kohë më parë dërgoi një komunikatë ku thuhej se “Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin se ndaj Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, z. Enver Hasani, nuk është duke u përgatitur asnjë aktakuzë gjatë kohës sa z. Hasani ishte Rektor i Universitetit të Prishtinës”.
 

Image

 

Megjithëkëtë, ky institucion nuk mund t’i mohonte denoncimet dhe së paku hetimet paraprake në këto denoncime që kanë të bëjnë edhe me punën e Enver Hasanit si Rektor i Universitetit publik të Prishtinës.

”Në prokurorinë Themelore të Prishtinës, është dorëzuar letër anonime, pranuar më datën 29.10.2012, me pretendime se zyrtarët e UP-së, kanë bërë keqpërdorime të pozitës zyrtare. Ndërsa, kjo prokurori është duke ndërmarrë veprime në drejtim të grumbullimit të informacioneve, për pretendimet e cekura në letrën anonime, për t’ia filluar eventualisht ndonjë procedurë penale ndaj keqpërdoruesve të detyrës zyrtare të Universitetit të Prishtinës”, thuhet në komunikatën e Këshillit Prokurorial.