Qeveria me strategji pėr rritjen ekonomike

Qeveria me strategji pėr rritjen ekonomike

SHPËRNDARJE

09 Korrik 2015 • 12:02 •

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në takimin iniciues për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2021.

Në kuadër të takimit, në të cilin ishin të pranishëm anëtarët e grupeve punuese nga të gjitha ministritë, që do të punojnë në hartimin e strategjisë, nga ana e Zyrës për planifikim strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, u prezantua edhe procesi dhe koncepti i strategjisë kombëtare për zhvillim dhe shtyllat në të cilat do të bazohet kjo strategji.

Gjatë takimit, grupet punuese u informuan për aspektet teknike dhe koordinuese që do të përcillen gjatë procesit të hartimit të strategjisë. Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se qeveria janë të përcaktuar që fokusi dhe kryefjala e kësaj strategjie të jetë rritja ekonomike, e cila do të mundësoj punësim më të madh, konkurrencë më të madhe në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, integrim më të shpejtë të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe ngritje të mirëqenies.

“Rritja ekonomike në periudhën e ardhshme do të synohet të arrihet nëpërmjet të renditjes së qartë dhe objektive të prioriteteve, apo thënë ndryshe të prioritetit të prioriteteve, përqendrimit në projekte dhe investime strategjike, rritjes së pjesëmarrjes në tregjet e jashtme, zhbllokimit të potencialeve dhe aseteve materiale e financiare deri tani të pashfrytëzuara, siç janë pasuritë minerare, energjetike, pronat tokësore dhe fondet financiare që momentalisht ndodhen jashtë përdorimit dhe jashtë shfrytëzimit ekonomik”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se Strategjia Kombëtare për Zhvillim përfaqëson një qasje gjithëpërfshirëse në kontekstin e adresimit të sfidave më kritike të zhvillimit të Republikës së Kosovës.

“Kjo strategji përndryshe do të jetë një dokument planifikues që do të përmbajë një pako të prioriteteve gjatë pesë viteve të ardhshme, do të thotë nga viti 2016 deri në vitin 2021”, është shprehur Mustafa, duke shtuar se Kosova ka pasur rritje të zhvillimit përgjatë dekadës së fundit.

“Edhe pse kemi pas rritje ekonomike, kjo rritje kryesisht është bazuar në investime publike dhe jo në sektorin privat të ekonomisë, prandaj rritja ka osciluar, ashtu siç kanë osciluar investimet publike. Kjo na shtyn që strategjia e ardhshme të jetë e orientuar për një rritje të qëndrueshme, një rritje propulsive, apo diversitet i cili siguron prodhim vendor, konkurrencë dhe përmirësim të bilancit tregtar”, ka deklaruar kryeministri i vendit.