Kosnett: Qëllimet amerikane për Kosovën mbesin të pandryshuara, kushdo qoftë në Shtëpinë e Bardhë

Kosnett: Qëllimet amerikane për Kosovën mbesin të pandryshuara, kushdo qoftë në Shtëpinë e Bardhë

Aktuale January 27, 2021 - 18:10

Intervistoi: Agon Osmani

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka zhvilluar një intervistë me gazetën “Zëri”, gjegjësisht me portalin “Zeri.info”, ku ka folur për çështje aktuale politike, lokale e ndërkombëtare, por edhe për fenomene që po shqetësojnë globin anembanë.

Në këtë intervistë Kosnetti flet për mandatin e tij prej ambasadori në Kosovë dhe mundësitë e vazhdimit të tij; për ish-administratën “Trump” dhe për administratën e re “Biden”; raportet e dy administratave me partnerët ndërkombëtarë; raportet me Kosovën; për Gjykatën Speciale; për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë; për sundimin e ligjit në Kosovë, si dhe për fenomenin e lajmeve të rreme.

Kosnetti shpreson që Bideni do t’ia vazhdojë angazhimin në Kosovë

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se shpreson që administrata e re në SHBA, në krye me presidentin Joe Biden, do t’ia vazhdojë angazhimin në vendin tonë.

Në një intervistë për “Zeri.info”, Kosnetti tha se SHBA-ja i emëron disa ambasadorë politikë, të cilët përgjithësisht largohen nga pozita nëse ka ndryshim në Shtëpinë e Bardhë, mirëpo shumica e ambasadorëve amerikanë, sikurse edhe puna e tij dhe e pararendësve të tij në Kosovë, janë diplomatë të karrierës.

“Ne i shërbejmë presidentit, prandaj shpresoj të qëndroj në Kosovë derisa presidenti Biden të mendojë se ka ardhur koha për ndryshim. Siç e vutë në pah edhe ju, zakonisht ambasadorët e karrierës shërbejnë rreth tre vjet e unë sapo ia kam nisur vitit të tretë në Kosovë, prandaj pres që presidenti Biden të caktojë ambasadorin e ri diku gjatë këtij viti. Afati kohor varet nga presidenti dhe Senati”, ka deklaruar ambasadori amerikan në Kosovë.

Për të arriturat e administratës së kaluar “Trump” Kosnetti thotë se kësaj pyetjeje do t’i përgjigjen historianët për shumë kohë, por megjithatë thotë se edhe sekretari i ri i Shtetit, Tony Blinken, gjatë dëshmisë së tij tha se administrata paraprake kishte disa të arritura në politikën e jashtme, mbi të cilat ia vlen të punohet më tej.

“Në mënyrë specifike ai (Blinkeni) e përmendi punën e bërë në çështjen Kosovë - Serbi si diçka për t’u duartrokitur, por do të kalojë ca kohë derisa administrata e re të vendosë saktësisht në cilat nisma do të mundë të duan të vazhdojnë të punojnë ose mund të vendosin se çka duan të bëjnë ndryshe. Mendoj se synimi i përgjithshëm në fjalën e z. Blinkenit ishte se e çmojmë vlerën dhe punën e bërë nga administrata paraprake në çështjen Kosovë – Serbi, që është shumë e rëndësishme. Në këtë aspekt dëshiroj të them, siç e tha edhe sekretari Blinken, se ‘asnjë parti nuk ka monopol në idetë e mira’ dhe mendoj se kjo është e vërtetë si në Kosovë, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara. Prandaj, do të shpresoja që udhëheqësit kosovarë, ashtu si edhe ata amerikanë, do të jenë mendjehapur për përparimin e arritur në të kaluarën dhe të mos nguten për ta anashkaluar”, u shpreh Kosnetti në këtë intervistë.

Duke u ndalur te marrëveshja e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të ish-presidentit Trump, e cila herë po quhet marrëveshje e herë zotim, Kosnetti tha se mund të kalojmë shumë kohë duke folur për procesin dhe mënyrën se si u arrit Marrëveshja e Washingtonit, mirëpo shtoi se e rëndësishme është që të shqyrtohen elementet e saj dhe të mendohet se çka do të bëhet në të ardhmen.

 “Qëllimet amerikane për Kosovën mbesin të pandryshuara”

“Ne e konsiderojmë Marrëveshjen e Washingtonit në fuqi deri atëherë kur dikush të thotë ndryshe, por nëse i shihni specifikat e marrëveshjes, dëshirën për të përmirësuar tregtinë dhe investimet në Kosovë, për të përmirësuar integrimin ekonomik të Kosovës me fqinjët e saj, për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Izraelin, etj., etj., nëse i shikoni elementet e saj, mendoj se ka shumë gjëra aty që njerëzit nga partitë e ndryshme politike në të dyja vendet, e madje edhe në Serbi, mund të pajtohen”, deklaroi i pari i SHBA-së në Kosovë.

Kosnetti ritheksoi çështjen e qëllimeve të përgjithshme amerikane për Kosovën, duke potencuar se ato mbesin të pandryshueshme, “qofshin Republikanët ose Demokratët në Shtëpinë e Bardhë”.

“Dëshirojmë të mbështetim përpjekjet për të ndërtuar institucionet gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit për ta luftuar korrupsionin në Kosovë dhe kjo ka qenë shumë me rëndësi personalisht për mua, si dhe për këtë ambasadë qe një kohë të gjatë. Dëshirojmë të ndihmojnë në krijimin e mundësive të reja ekonomike dhe t’i sjellim energji e forcë të re ekonomisë së Kosovës. Dëshirojmë të shohim përmirësim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe fqinjëve të saj, jo vetëm me Serbinë, por edhe marrëdhënie më të mira ndërmjet komuniteteve brenda Kosovës. Pra, në vija të trasha, mendoj se qëllimet që i kanë synuar administrata e Trumpit, administrata e Obamës dhe të gjitha administratat tjera republikane ose demokrate gjatë 20 vjetëve të fundit, kanë qenë të pandryshueshme, prandaj mendoj se synimi i përgjithshëm i politikës së jashtme të administratës së Bidenit do të duket i njohur”, theksoi Kosnetti.

Duke sjellë në kujtesë deklarimet e ish-presidentit Trump gjatë fushatës zgjedhore në SHBA, se “po ndalim vrasjet masive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata janë vrarë mes vete për aq shumë vjet”, Kosnetti tha se është më konstruktive të përqendrohemi se çka do të bëjë administrata e Bidenit “sesa në deklaratat e mundshme të Trumpit”.

“Z. Trump nuk është më president i Shteteve të Bashkuara”, tha ai.

“Do ta them këtë, mendoj se pika e përgjithshme se Shtetet e Bashkuara duan të shohin ulje të tensionit dhe përmirësim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e vërtetë në vija të trasha”, potencoi Kosnetti.

I pyetur nëse edhe administrata “Biden” do ta vazhdojë mënyrën e njëjtë të komunikimit me partnerët, ambasadori amerikan tha kjo administratë veçse e ka dëshmuar të kundërtën.

“Mendoj se gjatë javës së parë tashmë kemi parë që qasja e administratës së Bidenit ndaj komunikimit me publikun dallon shumë dhe është më shumë tradicionale. Mendoj se do të shihni mënyrë më të ndryshme të qasjes ndaj komunikimit se administrata paraprake”, tha Kosnetti.

Image

 Kosnett: Presidenti Biden është dëgjues i mirë

Administrata “Trump” është kritikuar për qasjen e saj ndaj partnerëve evropianë. Kritika ka pasur edhe për qasjen ndaj dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosnetti mendon se administrata e re “Biden” do të jetë më komunikuese dhe më bashkëpunuese ndaj Evropës, por edhe ndaj partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.

“Mendoj se presidenti Biden, sekretari Blinken dhe të tjerët në administratë e kanë bërë të qartë se kjo paraqet mundësi për ne për rishikimin e natyrës së bashkëpunimit tonë, bashkëpunimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, por edhe ndërmjet miqve dhe partnerëve evropianë më përgjithësisht. Megjithatë, mendoj se tashmë po shohim kthim në stilin ku qeveria amerikane do të jetë më komunikuese dhe bashkëpunuese në qasjen e saj ndaj Evropës, si dhe ndaj partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Kjo sigurisht do të ketë ndikim në mënyrën si i qasemi Kosovës dhe Serbisë, por e di që njerëzit presin me padurim që t’i dëgjojnë hollësitë, por do të duhet kohë për të formuar specifikat e politikës së re. Kjo është bisedë që po zhvillohet brenda qeverisë së Shteteve të Bashkuara, por ne flasim dhe mësojmë edhe nga njerëzit jashtë qeverisë, nga partnerët ndërkombëtarë, nga shoqëria civile dhe shumë ekspertë të tjerë dhe mendoj se presidenti Biden, në mes të veçorive të tij të shumta të personalitetit, është se ai është edhe dëgjues i mirë. Prandaj, mendoj se ai dhe administrata e tij do të duan t’i dëgjojnë pikëpamjet e shumë njerëzve në rrugëtim e sipër”, u shpreh ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Kosnett: Është për keqardhje që partitë akuzojë njëra-tjetrën e nuk merren me programe

Ndër temat për të cilat ambasadori Kosnett foli në intervistën e dhënë për “Zërin” ishte pashmangshëm edhe çështja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë dhe për zhvillimet rreth moscertifikimit të disa prej kandidatëve për deputetë shkaku i veprave të tyre penale.

Kosnetti tha se çështja është ende duke u apeluar, megjithatë theksoi se është me rëndësi që të gjithë të përfshirët të respektojnë vendimin e gjykatës dhe t’i respektojnë vendimet gjyqësore.

“Mendoj se është në natyrën njerëzore, jo vetëm në Kosovë, por kjo është e vërtetë edhe në Amerikë, që njerëzit t’i duartrokasin vendimet gjyqësore që u pëlqejnë dhe të ankohen kur gjykatat vendosin për palën tjetër. Kjo është e natyrshme, por nuk funksionon nëse ne i zgjedhim dhe u bindemi vetëm vendimeve gjyqësore që na pëlqejnë. Gjithashtu mendoj se, e këtë e kam thënë edhe më herët dhe do të vazhdoj ta them deri në ditën e zgjedhjeve, por me siguri edhe gjatë gjithë kohës sa do të jem në Kosovë, populli i Kosovës e meriton mundësinë për të dëgjuar nga partitë politike se çfarë politikash do të ndjekin ato po të jenë në pushtet, se cilat janë programet e tyre dhe se çka do të bëjnë për t’ua përmirësuar jetën qytetarëve të Kosovës. Cikli i akuzave, kundërakuzave dhe tërë kësaj drame ka prirje të lërë nën hije çfarëdo diskutimi për politikat dhe programet. Mendoj se kjo është për keqardhje. Politika nuk është sport vetëm për t’u shikuar”, theksoi Kosnetti.

Ai mendon se çdo qytetar luan rolin e tij/saj dhe duhet të bëjë që t’i dëgjohet zëri në mënyrë paqësore rreth asaj se çka duan që qeveria e tyre të bëjë.

“Para së gjithash, mendoj se populli i Kosovës dëshiron që qeveria të funksionojë dhe kur Kuvendi është pothuajse jofunksional, kur duhet kohë e gjatë për t’u marrë me çështjen e buxhetit, me krizën e virusit Korona, për shkak se niveli i tensionit ndërmjet partive është aq i lartë, atëherë kjo nuk nënkupton që po i shërbejnë popullit të Kosovës. Pa hyrë në atë se kush është më shumë përgjegjës për këtë ose atë problem, mendoj se mund të pajtohemi që të gjitha partitë politike, të gjithë udhëheqësit institucionalë kanë përgjegjësi për t’u marrë me fakte e jo vetëm me akuza”, tha kryediplomati amerikan në Kosovë.

Pandemia COVID-19 shkaktoi telashe të mëdha në botë, shëndetësore e çfarë jo tjetër. Të paprekura nuk mbetën as Kosova e SHBA-ja. Philip Kosnett mendon se SHBA-ja ka bërë hapa të gabuar gjatë menaxhimit të pandemisë, ndërsa kërkon nga kosovarët që të mësojnë nga gabimet e Amerikës, por edhe nga sukseset e saj.

“Mendoj se të dyja vendet kanë vuajtur nga ndjenja e mund ta quash edhe kultura, nga një ndjenjë në mesin e amerikanëve, si dhe në mesin e kosovarëve, se ne jemi të fortë, kemi hequr shumë në të kaluarën, nuk duam të frikësohemi nga ky virus. E pikëpamja ime është se njerëzit nuk duhet t’i frikësohen virusit, duhet ta luftojnë atë me veglat, armët që i kanë, që përfshijnë gjërat si sapuni, maskat, e mendoj veçanërisht prej zhvillimit mjaft të shpejtë të vaksinave, njerëzit në të dyja vendet disi janë relaksuar thuajse kriza ka kaluar. Nuk ka kaluar. Kërcënimi nga virusi Korona është transnacional. Virusi nuk ndalet në kufi për të treguar vizën. Mendoj se reagimi ndërkombëtar, bashkëpunimi ndërkombëtar është jetik për ta luftuar virusin Korona, ashtu siç na duhet bashkëpunim më i mirë ndërkombëtar kundër ndryshimeve klimatike, që është prioritet i administratës së Bidenit. Mendoj se kjo është mundësi e mirë për të vënë në pah se njerëzit në Kosovë në përgjithësi u kushtojnë shumë vëmendje Shteteve të Bashkuara, e mirëpres këtë, natyrisht, është shumë mirë që kemi marrëdhënie kaq të mira, por do të nxisja popullin e Kosovës që të mësojë nga gabimet dhe dështimet e Amerikës, si dhe nga sukseset tona.

Absolutisht që kemi pasur hapa të gabuar me virusin Korona, por çështje edhe më e madhe është se rishtazi u përballëm me një krizë të tmerrshme kushtetuese. Sulmi në ndërtesën e Kapitolit më 6 janar ishte kryengritje; thjesht nuk ka fjalë tjetër për të. Ishte kërcënimi më i madh ndaj demokracisë amerikane që e kam parë gjatë jetës sime, por lajmi i mirë është se institucionet tona funksionuan. Kishte njerëz që thoshin se gjykatat tona do të binin pre e presionit politik. Ato nuk ranë, e bënë punën e tyre. Kongresi, pas shumë drame, certifikoi zgjedhjen e presidentit Biden. Nuk i dëgjoi gënjeshtrat për procesin zgjedhor dhe, siç e tha presidenti Biden gjatë inaugurimit më 20 janar, demokracia mbizotëroi. E megjithatë, ky ishte përkujtues se lufta për ta mbrojtur demokracinë vazhdon çdo ditë në çdo vend dhe nuk duhet të rehatohemi. Është me rëndësi që të gjithë qytetarët në shtetet demokratike të punojnë për të mbrojtur procesin demokratik, sepse është shumë i brishtë. E nëse kjo është e vërtetë në një vend si Shtetet e Bashkuara, që ka qenë demokraci qe pothuajse 250 vjet, është edhe më e vërtetë në një demokraci të re e të brishtë si Kosova”, theksoi ambasadori Kosnett.

“I kuptoj ankesat e njerëzve për Gjykatën Speciale, por...”

Kuvendi i Kosovës, më 2015-n, pranoi të ndryshonte pjesë të Kushtetutës për të themeluar Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë. Tashmë kjo gjykatë ka nisur punën e saj, duke akuzuar ish-krerët e UÇK-së, nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e të tjerë.

Pas ngritjes së këtyre akuzave dhe pas arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së opinioni në Kosovë u pezmatua, duke e cilësuar Gjykatën si raciste.

Ambasadori Philip Kosnett mendon se është me rëndësi që të gjitha krimet e kryera nga vitet e ’80-ta e të ’90-ta në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor të zbardhen dhe kryesit e tyre të dalin para drejtësisë.

“E dini, nuk jam zëdhënës i Gjykatës, nuk është institucion amerikan, në fakt është institucion kosovar dhe mendoj se Gjykata duhet vetë të flasë në emër të saj për qëllimet e saj. Më përgjithësisht, mendoj se është me rëndësi që njerëzit, të cilët ndoshta kanë kryer krime në vitet 1980 e 1990, nëpër tërë rajonin, duhet të përballen me drejtësinë dhe se ky është proces që duhet të vazhdojë në kujtim të viktimave dhe për të mirën e familjes dhe të mirën e shoqërisë. Do të shpresoja që në vitet e ardhshme t’i shohim të gjitha qeveritë në rajon, si dhe partnerët ndërkombëtarë, OKB-në e të tjerët, duke shqyrtuar këtë, sepse mendoj se rajoni nuk ka nevojë për më pak drejtësi, por ka nevojë për më shumë drejtësi. E kuptoj kur njerëzit ankohen se kjo gjykatë specifike duket se përqendrohet ngushtë, por përgjigjja ndaj asaj ankese nuk duhet të jetë: mirë, kjo gjykatë nuk duhet të lejohet të funksionojë, ose që këto raste nuk duhet të vazhdojnë më tej. Përgjigjja duhet të jetë - të zgjerohet fushëveprimi i drejtësisë. Dua të them se Shtetet e Bashkuara ende punojnë me partnerët evropianë për t’i shqyrtuar rastet nga shek. XX, nga mesi i shek. XX, nga Lufta Botërore. Pra, mendoj se është me rëndësi që të shohim çfarë veglash i kemi në dispozicion, çfarë veglash mund t’i marrim në dispozicion në kërkim të drejtësisë për më shumë raste”, deklaroi kryediplomati amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Kosnett: Nga viti 2003 deri më 2018-n pashë përparim në ndërtimin e institucioneve

Ambasadori Kosnett ka shërbyer në Kosovë për herë të parë në vitin 2003, kur Kosova nuk i ka pasur ende institucionet e veta dhe administrohej nga të huajt. Nga ajo kohë e deri më 2018-n, kur Kosnetti u emërua ambasador në Kosovën e pavarur, ai thotë se ishte i kënaqur me përparimin e arritur në ndërtimin e institucioneve.

Si tregim suksesi ambasadori i sheh Policinë e Kosovës, shërbimin prokurorial dhe gjykatat, por ai thotë se nuk mjafton vetëm legjislacioni i mirë nëse nuk zbatohet në praktikë.

“Nuk mendoj se situata është plotësisht e zymtë ose që nuk ka pasur përparim. Për herë të parë kam shërbyer në Kosovë në vitin 2003, kur Kosova as që e ka qeverisur vetveten. E mbani mend shumë mirë kur të huajt qeverisnin. Kur u ktheva këtu, para pak më shumë se dy vjetësh, isha shumë i kënaqur me përparimin e arritur në ndërtimin e institucioneve dhe mendoj se Policia e Kosovës ka qenë rrëfim i suksesit, shërbimi prokurorial dhe gjykatat... ka shumë gjëra pozitive. Ende mbetet punë për t’i ndërtuar institucionet. Përtej kësaj, keni të drejtë kur theksoni problemin e vullnetit politik. Kur jam kthyer para dy vjetësh shumë politikanë e ministra më thoshin se kanë legjislacion të shkëlqyeshëm për ta luftuar korrupsionin, i kanë gjithë këto vegla dhe unë ju thosha: ‘në rregull, pra, e ku qëndron problemi? Pse ende ka aq shumë korrupsion? Nuk më mahnitni nëse thoni se keni ligje të mira nëse ato nuk zbatohen’. Prandaj, mendoj se luftimi i korrupsionit mbetet prioritet kryesor për kosovarët dhe Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara ndaj saj”, potencoi Kosnetti në intervistën dhënë “Zërit”.

“Akraballëku, aspekti tjetër i korrupsionit që përbën problem në Kosovë”

Ai thotë se ajo që Ambasada Amerikane ka bërë me vite të tëra, edhe para ardhjes së tij, dhe që do të vazhdojë edhe pas largimit të tij, është nënvizimi i sukseseve në luftën për ndërtimin e sundimit të ligjit, por po ashtu edhe të ndriçojë cepat më të errët.

“Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ne nuk jemi të vetmit që e kemi këtë përgjegjësi. E kam thënë edhe më parë, kur njerëzit në Kosovë kanë njohuri, jo vetëm akuza dhe dyshime, por njohuri për sjellje kriminale dhe korrupsion, ata duhet të gjejnë mënyrë për t’i raportuar ato gjëra. Nëse nuk ndihen rehat për t’iu drejtuar Policisë ose për të dalë në televizor, mund të flasin me media, ka njerëz në Kuvend me të cilët mund të flasin. Ka mënyra sesi mund të mbrohen përderisa njoftojnë për këto informata. Nuk dua që njerëzit të dekurajohen për luftimin për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë, por në këtë diskutim është edhe një aspekt tjetër i rëndësishëm, Agon, e ai është paksa kulturor. Flasim për korrupsionin në qeveri, njerëzit që vjedhin para, njerëzit duke bërë presion në gjykata, e kështu me radhë, por aspekti tjetër i korrupsionit në Kosovë që përbën problem është akraballëku, nepotizmi, njerëzit që u bëjnë ndere miqve ose bashkëqytetarëve të tyre dhe e dini shumë mirë se Kosova tani ka shumë të rinj të talentuar, të arsimuar, shpesh që i flasin nga disa gjuhë, që mund të jenë të suksesshëm kudo në botë, por që përpiqen të ndërtojnë jetën për vete dhe familjet e tyre në Kosovë dhe ata ankohen se nuk mund të përparojnë nëse nuk kanë lidhjet e duhura politike, familjare ose gjeografike. Kjo nuk është fshehtësi. Ky është problem që nuk mund të tejkalohet me ambasadat e huaja dhe programet e tyre për përmirësimin e performancës së gjyqësorit.

Mendoj se Kosova duhet ta marrë këtë çështje më me seriozitet, sepse është problem që duhet të zgjidhet nga të gjithë. Mendoj se nganjëherë ka një qëndrim kur njerëzit thonë: Po, nuk është mirë që të gjitha mundësitë u jepen miqve, por të gjithë po e bëjnë këtë, prandaj edhe unë duhet ta luaj lojën e njëjtë. E kuptoj këtë, por duhet ta thyejmë këtë cikël. Sërish, nuk dua të dukem thuajse amerikanët i kanë të gjitha përgjigjet. Edhe SHBA-ja ka shumë probleme, kjo është e qartë, por këto probleme nuk do të zgjidhen duke i injoruar ose duke hequr dorë”, theksoi ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Çështja e fundit për të cilën diskutuam me diplomatin amerikan ishte edhe fenomeni i lajmeve të rreme.

Si Kosova, ashtu edhe SHBA-ja janë përballur me këtë fenomen viteve të fundit, sidomos në dekadën e fundit.

 “Një gënjeshtër e përsëritur shpesh fillon të besohet”

Kosnetti mendon se janë individët ata që duhet të vetëdijesohen rreth këtij fenomeni, të gjejnë burime të besueshme të informacionit e të mos i ushqejnë botëkuptimet e tyre të mëhershme.

“Mendoj se më e rëndësishmja ka të bëjë me rolin e individëve. Në Shtetet e Bashkuara, e kam parë këtë edhe në vendet e tjera, ka prirje që njerëzit të gjejnë një burim të informimit që e ushqen botëkuptimin e tyre paraekzistues, paragjykimet e tyre paraekzistuese. Kështu, nëse keni pikëpamje të krahut të djathtë, e gjeni një kanal televiziv të krahut të djathtë. Nëse anoni nga e majta, atëherë gjeni një uebfaqe liberale dhe të gjitha lajmet i merrni aty. Kjo ka ushqyer polarizimin dhe zemërimin në shoqëritë anembanë botës. E këtu i përfshij Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara. Mendoj se si konsumues i informacionit, qytetarët e kanë mundësinë, por do të thosha edhe përgjegjësinë, që të mos i besojnë vetëm zërit të parë që e dëgjojnë në mëngjes, por të kërkojnë dhe të gjejnë burime alternative të informimit, sepse të gjithë kemi të drejtë për mendimin tonë, por jo edhe në faktet tona”, mendon Kosnetti.

Ai thotë se një gënjeshtër e përsëritur shpesh fillon të besohet, qoftë ajo edhe “gjepur absurde”.

“E siç e pamë në Shtetet e Bashkuara, por edhe në vendet e tjera, nëse njerëzit e përsëritin shumë herë një gënjeshtër, do të fillojnë ta besojnë atë edhe në qoftë se është gjepur absurde. E kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme. Nuk po them që institucionet qeveritare nuk luajnë asnjë rol në këtë, por mendoj se roli i individëve dhe shoqërisë është i rëndësishëm”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, pati edhe një porosi për gazetarët, si dhe për ata që thonë se nuk na duhen më mediat tradicionale.

“Disa njerëz kanë thënë se nuk na nevojiten më mediat tradicionale, nuk na nevojiten lajmet në televizor ose radio, ose gazetat, sepse kushdo që ka e-mail ose faqe në ‘Facebook’ mund të komunikojë. Mendoj se tash më shumë se kurrë na nevojiten gazetarë profesionistë, që do të mbrojnë të vërtetën. Kjo nuk do të thotë që mediat nuk mund të kenë opinion politik; ato vetëm duhet të jenë të hapura dhe të ndershme për këtë. Për këtë arsye në kulturën gazetareske amerikane përpiqemi të bëjmë dallimin ndërmjet lajmeve dhe opinioneve dhe ta bëjmë shumë të qartë, p.sh. që një gazetë ose radiostacion mund të ketë opinion editorial, por kjo nuk duhet të ndikojë në ndershmërinë e mbulimit të lajmeve”, përfundoi ambasadori Philip Kosnett./Zëri