Deputetët kthehen nga pushimet, Kuvendi nesër vazhdon seancën

Deputetët kthehen nga pushimet, Kuvendi nesër vazhdon seancën

Aktuale September 16, 2020 - 15:36

Kuvendi i Republikës së Kosovës prej nesër i kthehet punës. Seanca plenare do të fillojë nesër në orën 10:30, ku parashihen 11 pika në rend të ditës.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të raportojë në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi për të vazhduar pikat në vijim.

“Deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, interpelanca e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, sipas kërkesës së nënkryetares së Kuvendit Arbërije Nagavcit, e nënshkruar edhe nga 7 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor në kushte të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës, interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, shqyrtimi i parë i projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e pandemisë COVID-19, shqyrtimi i parë i projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, me Ligjin nr. 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063 dhe me Ligjin 05/L-007, shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në lidhje me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2019, zgjedhja e dy (2) anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, zgjedhja e gjashtë (6) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, propozimi i GP të PDK-së për zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-19 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, njofton Kuvendi, përcjell “Zeri.info”.

Duke pasur parasysh që e gjithë hapësira e sallës plenare të Kuvendit, duke përfshirë edhe ballkonin, do të jetë në dispozicion të deputetëve, në respektim të masave të ndërmarra për shkak të situatës pandemike, prezenca e mediave në këtë seancë do të jetë e pamundur. /Zëri