Në Prishtinë s’ka investime në ujërat e zeza e në komunikacion

Në Prishtinë s’ka investime në ujërat e zeza e në komunikacion

Aktuale December 27, 2019 - 13:32
Lexoni detajet

E mori kryeqytetin nën sloganin “Jepi krah Prishtinës”, por kryetarit aktual Shpend Ahmetit i janë thyer krahët në qeverisje, pasi që 2019-n po e përmbyll me shumë pak projekte kapitale të finalizuara. Ahmeti ka humbur edhe besimin e Kuvendit Komunal të kryeqendrës, pasi ata i kanë vënë në pah pa hezituar dështimet përgjatë tërë vitit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Nga asamblistët e Kuvendit Komunal në veçanti është theksuar mungesa e finalizimit të projekteve kapitale, të cilat sipas tyre e kanë lënë Prishtinën pas komunave tjera.

Mosinvestime ka pasur edhe në sektorë tjerë si në arsim, në shëndetësi e në infrastrukturë, teksa asamblistët janë shprehur pesimistë se kjo gjendje do të përmirësohet në 2020-n.

Madje Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar edhe pezullimin e Shpend Ahmetit nga pozita e kryetarit të Prishtinës.

1/3 e Komunës së Prishtinës jeton në ujëra të zeza. Kështu pohoi Agim Gashi, nga LDK-ja e që theksoi se ujërat e zeza nuk janë trajtuar as në vendbanimet e dendura.

“Nuk është investuar as në ujërat e zeza. Pavarësisht që 1/3 e komunës së Prishtinës jeton në ujëra të zeza. Sidomos ka nevojë për investime në kolektorin e ‘Matit 1’, të ‘Matit 2’, si dhe në Kalabri, pastaj kolektori prapa Pallatit të Rinisë, si dhe kanalizimi prej fshatit Grashticë, Llukar e deri te ‘Fusha e Pajtimit’, kanalizimi në Mramor e disa territore, ku vendbanimet janë shumë të dendura dhe kanalizimet janë të patrajtuara”, ka thënë Gashi.

Asamblisti i LDK-së në Prishtinë përmendi edhe një varg sektorësh, në të cilët nuk është investuar nga Komuna.

“Nuk është investuar as në mirëmbajtjen e rrugëve, pastaj në mirëmbajtjen e hapësirave gjelbëruese, të parqeve në aspektin cilësor profesional, në zgjerimet e ujësjellësit. Pastaj ka mungesë të investimeve në komunikacion, në trajtimin dhe në ndarjen e mbeturinave e shumë të tjera”, ka thënë ai.

Asamblisti i LDK-së, Agim Gashi, për ngecjen e realizimit të planit buxhetor e fajësoi keqplanifikimin e projekteve nga Komuna.

“Komuna ka bërë një keqplanifikim për vitin 2019 dhe kjo ka pasur me keqrealizimin e planit buxhetor. Ky është një vit buxhetor shumë pak i suksesshëm, duke përjashtuar ndoshta ndonjë projekt minor”, ka thënë ai./ZERI