Kadrijaj: Kosova mund të futet në krizë financiare

Kadrijaj: Kosova mund të futet në krizë financiare

Aktuale December 27, 2019 - 12:38
Vonesat në procesin zgjedhor dhe në formimin e koalicionit qeveritar në vend kanë ndikuar që Kosova ta fillojë vitin 2020 pa miratuar buxhetin, pasi afati i fundit ligjor për dorëzimin e tij në Kuvend ishte 31 tetori

Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadrijaj, tregoi mundësinë që korniza buxhetore e miratuar për vitin 2020 të ndryshohet dhe t’i jepet qasje tjetër nga partitë, të cilat pritet ta formojnë qeverinë, shkruan gazeta "Zëri".

“Duke marrë parasysh që qeveria në detyrë i ka bërë kornizat buxhetore, vlerësoj se zgjedhjet e 6 tetorit kanë ndryshuar agjendën dhe performancën e qeverisjes. Mandatarë për qeverisje janë ish-partitë opozitare, të cilat mund të kenë qasje tjetër tek orientimi buxhetor. Kjo njëherësh do të ndikojë edhe në kahjen e zhvillimit ekonomik, pra korniza buxhetore mund të mbetet vetëm në letër”, ka thënë ai për “Zërin”.

Procedurat administrative, si dhe mosarritja e një marrëveshjeje për formimin e qeverisë dhe konstituimin e Kuvendit, sipas Kadrijajt, mund të shkaktojë vonesa në miratimin e buxhetit. “Meqë buxheti ka karakter ekonomik, politik dhe juridik, vlerësoj që do të ketë vonesa në miratimin e buxhetit, sepse ende nuk kemi marrëveshje. Po ashtu edhe procedurat administrative në Parlament marrin kohë, kështu që edhe nëse do të kemi marrëveshje në mes të LVV-së dhe LDK-së, miratimi i buxhetit do t’i ketë afatet kohore me risk, sepse nëse nuk kemi miratim buxhetor deri në mars Kosova mund të hyjë në krizë financiare, sepse kufizohen të gjitha mundësitë për të menaxhuar paranë publike”.

Kadrijaj u shpreh skeptik për sa i përket formimit të qeverisë dhe mirëqeverisjes në mes të partive që dolën fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit. “Duke qenë dëshmitar, vlerësoj që forcat politike dhe ngërçet politike po rrisin pazarin politik dhe si duket edhe forcat e tanishme, si mandataret LVV-ja dhe LDK-ja, i harruan premtimet për mirëqeverisje, për moskapje të shtetit e për luftim të korrupsionit. Po dëshmojnë që këto i kishin vetëm premtime elektorale. Edhe këta pretendues për ta qeverisur vendin po tregojnë se votën e qytetarit e shfrytëzojnë për të ardhur në pushtet e më së paku për të mirëqeverisur, pra mund të kemi ndërrim të pushteteve, por jo mirëqeverisje”, ka thënë për fund ai./ZËRI