Topi: Shqiptarët bashkohen në BE

Aktuale November 29, 2018 - 08:06
Lexo Detajet
Image

Ish-presidenti i Shqipërisë Bamir Topi gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ka thënë se bashkimi kombëtar do të ndodhë vetëm atëherë kur Shqipëria e Kosova do të pranohen në Bashkimin Evropian (BE). Me anëtarësimin në BE, sipas tij, do të ketë bashkim të trojeve shqiptare, meqë pas kësaj kufijtë do të jenë vetëm virtualë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Nuk ka shqiptar i cili nuk e do bashkimin e trojeve shqiptare. Një gjë të tillë secili mund ta ëndërrojë veçmas në prag të 28 Nëntorit, Festës së Flamurit. Kështu ka deklaruar ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i cili gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ka thënë se bashkimi kombëtar do të ndodhë vetëm atëherë kur Shqipëria e Kosova do të pranohen në Bashkimin Evropian (BE).

Me anëtarësimin në BE, sipas tij, do të ketë bashkim të trojeve shqiptare, meqë pas kësaj kufijtë do të jenë vetëm virtualë. Teksa ka folur për gjendjen e shqiptarëve përgjatë viteve ka vlerësuar se atyre u janë bërë padrejtësi të mëdha, veçmas shqiptarëve që kanë mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë. Tutje, gjatë intervistës për “Zërin” nuk ka lënë pa kritikuar klasën politike të Kosovës e të Shqipërisë.

“Nuk u falet pushtetarëve nga Shqipëria e nga Kosova që kanë këtë nivel sikurse tash, nivelin e bashkëpunimit. Ka shumë fjalë dhe shumë pak vepra”, ka theksuar Topi. Ndërkohë, gjersa ka folur për padrejtësitë që vazhdojnë t’u bëhen shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ish-presidenti i Shqipërisë ka thënë se ajo që ngjan në këtë pjesë të banuar me shqiptarë nuk ndodh askund tjetër në botë. Për situatën e shqiptarëve në Luginë Topi nuk ka amnistuar nga përgjegjësia as Shqipërinë, as Kosovën.

Historia e trazuar e shqiptarëve

Zëri: Z. Topi, 28 nëntori i këtij viti shënon 106-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Cila është rëndësia e kësaj date për shqiptarët kudo që janë?

Topi: Unë besoj që dita më e shënuar në historinë e kombeve është dita e pavarësimit të tyre. Kështu është edhe për ne shqiptarët, kudo që ndodhemi. Prandaj kjo festë konsiderohet festë kombëtare, pasi që i takon çdo shqiptari, pavarësisht që jetojmë në vise të ndryshme dhe në shtete të ndryshme. Historia padrejtësisht i ka ndarë shqiptarët, duke u rezervuar fate të ndryshme, ku pa dyshim më të paprivilegjuarit, pra më të dëmtuarit ishin shqiptarët jashtë Shqipërisë. Festa nuk është thjesht një pikë në kalendar, simbolika e saj është mjaft e gjerë dhe e thellë. Ajo shkon në historinë e kaluar të fateve të kombit dhe sidomos tek e tashmja dhe përjetësimi i ardhmërisë së shqiptarëve në rajon. Ndonëse shqiptarët politikisht janë me ndarje të thella e jorrallë edhe armiqësore midis tyre, është pikërisht festa kombëtare që i thërret të jenë bashkë, sepse interesi kombëtar është mbi të gjitha interesat politike.

Zëri: Festa e 28 Nëntorit nuk festohet vetëm në Shqipëri, përkundrazi ajo festohet edhe në Kosovë e në të gjitha trojet ku ka shqiptarë. Si e kujtoni këtë festë përgjatë viteve?

Topi: Natyrisht që 28 Nëntori para se të jetë moment ceremonial është vetë historia dhe brenga e shqiptarëve në shekuj. Sa më i privuar të jetë nga liria, aq më i sinqertë është njeriu me simbolikën e festës. Për këtë arsye ndër vite e kam parë mënyrën e veçantë se si festohet kjo festë te shqiptarët në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare jashtë shtetit amë. Kjo ditë ka treguar se me këtë festë nuk mund të luajë askush. Duke iu referuar kësaj dite shoh se festa e vërtetë përjetohet te familjet, pavarësisht deklaratave të lidershipit politik. Festa e Pavarësisë ka qenë ndryshe nga të tjerat. Te shqiptarët kanë qenë më shumë patriotë sesa janë sot. Egoizmi në politikë ka imponuar një lloj egoizmi edhe në shoqëri.

Zëri: Cili ka qenë statusi politik i shqiptarëve përgjatë këtyre 106 vjetëve?

Topi: Shqiptarët gjatë 106 vjetëve të pavarësimit kanë pasur një status politik tejet të papërcaktuar, historinë e trazuar dhe shpeshherë e shfrytëzuar nga individë, të cilët më shumë i kanë kushtuar rëndësi pushtetit të tyre e jo projektimit të një shteti që sot duhej të ishte në Evropën politike si një vend i zhvilluar. Vërtet nuk kemi pasur historikisht fqinjë të mirë në rajon, por kam përshtypjen që më shumë jemi dëmtuar brenda vetes sonë. Gjatë viteve 2008 dhe 2009 Kosova e Shqipëria përjetuan dy ngjarje nga më të rëndësishmet në historinë moderne të kombit tonë. U krijua shteti i ri i Kosovës dhe një vit më vonë, më 2009-n Shqipëria u fut me të drejta të plota si një anëtare e NATO-s. Dhjetë vjet më vonë, pra sot, më mjafton që të shprehem që gjërat duken sikur kanë mbetur në vend. Statusi i fituar edhe me ndihmën e aleatëve strategjikë nuk po përligjet nga ecuria e gjërave në vendet tona. Statusi politik nuk prodhon ekonomi të qëndrueshme familjare, zbeh edhe ndjenjën kombëtare, sepse njerëzit mërziten dhe e gjejnë atdheun e tyre diku tjetër. Asnjëherë më shumë se tani rinia shqiptare nuk e ka shikuar të ardhmen jashtë hapësirës sonë, të viseve kombëtare.

Gjendja e shqiptarëve në Ballkan, jo e mirë

Zëri: Si e shihni gjendjen e shqiptarëve sot jo vetëm në Shqipëri e në Kosovë, por përgjithësi në Ballkan?

Topi: Gjendja e shqiptarëve në Ballkan nuk mendoj se është e mirë. I ngjan asaj shprehjes që përdoret në mjekësi: i sëmuri ka probleme, por gjendja e tij është e qëndrueshme. Pra e qëndrueshme, por ka probleme. Shqiptarët në Shqipëri kanë probleme në lidhje me ekonominë, me politikën e me shtetin. Situata ekonomike është polarizuar ndjeshëm. Shtresa e mesme jo vetëm që nuk u krijua dot, por edhe nga ajo që ishte po rrëshqet në shtresën e varfër në dëm të interesit publik, pasi askush nuk mendon për politikat sociale, por thjesht për ta rrëzuar në mënyrë alternative njëri-tjetrin dhe për të ardhur e për ta shfrytëzuar pushtetin e radhës. Sipas meje, problem ka edhe Kosova, aq sa mund të më lejohet të flas për Kosovën, e cila do të duhej të kishte bërë hapa më të shpejtë në fuqizimin e shtetit dhe të ekonomisë. Nuk iu falet pushtetarëve nga Shqipëria e nga Kosova që kanë këtë nivel sikurse tash, nivelin e bashkëpunimit. Ka shumë fjalë dhe shumë pak vepra. Gjithashtu shqiptarët në Maqedoni dhe sidomos në Mal të Zi janë akoma më të përçarë. Nuk mjafton përurimi i përmendoreve, duhet më shumë bashkëpunim midis të gjallëve, gjë që e shohim shumë pak.

Topi: Çështja e Kosovës, madhore për mua

Zëri: Z. Topi, sa keni punuar ju gjersa ishit president për shqiptarët të cilët gjenden jashtë territorit të Shqipërisë?

Topi: Të jap ndjesinë personale dhe angazhimin tim gati-gati më shumë se gjysmën e agjendës sime kohore, fizike, intelektuale, shpirtërore, ia kam kushtuar shqiptarëve në Kosovë dhe në të gjitha viset. Ju e dini fare mirë që para se të shpallej pavarësia e Kosovës unë kam qenë në një vizitë zyrtare në janarin e vitit 2008. Gjithë puna me trupin diplomatik, me partnerë dhe nivele të tavolinave ndërkombëtare, kam qenë ndoshta më shumë në funksion të Kosovës atë kohë sesa në funksion të Shqipërisë, sepse ka qenë shumë e rëndësishme që të promovohej historia tragjike e Kosovës dhe domosdoshmëria që Kosova dhe qytetarët e saj të vinin me shtetin e tyre, në një vend evropian, normal dhe me të gjitha të drejtat. Nuk besoj që vetëm në atë kohë, por edhe kur kam qenë në Parlament, para se të bëhesha president, por edhe më mbrapa, çështja e Kosovës, jo vetëm si politikan, por si shqiptar, është një çështje madhore për mua. Unë e shoh çështjen e Kosovës sikurse e shoh Shqipërinë, sikurse shoh të gjithë shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi. Unë nuk i shoh të ndara këto, unë i shoh në mënyrë shumë integrale dhe besoj që gjërat të bëhen me zemër, por pastaj të bëhen edhe me një bashkëpunim e metodologji sepse jogjithmonë mjaftojnë fjalët.

Zëri: Përmendët shqiptarët e Maqedonisë e të Malit të Zi, por në anën tjetër kemi edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Atje ka një situatë pak më ndryshe, nuk lejohet as festimi i 28 Nëntorit. Madje shumë herë janë gjobitur ata që kanë ngritur flamurin me këtë datë. Si e shini këtë situatë?

Topi: Ky është momenti më i dhimbshëm. Më i dhimbshëm sepse përbën një nga të drejtat dhe liritë themelore të pakicave për t’i festuar festat e tyre kombëtare. Unë nuk besoj që ajo që ndodh në Preshevë ndodh diku tjetër. Pra mendoj që kur politikanët qoftë të Shqipërisë, qoftë të Kosovës ulen e diskutojnë me përfaqësuesit serbë, dëgjojmë lloj-lloj deklaratash, por asnjëherë deri më sot nuk kam dëgjuar që të ketë një zë të fortë për këtë punë. Kështu fare mirë mund të akuzohet politika serbe, shteti serb. Mund të akuzohet me një zë të qartë dhe pa asnjë lloj problemi. Kur ti ndalon lirinë themelore të njeriut për të, sigurisht që nuk jemi më në kohën e një Evrope moderne, por jemi në një kohë tjetër. Unë besoj që së pari e ka detyrim politika e lartë në Shqipëri e në Kosovë për ta denoncuar, pastaj vetë ato autoritet brenda atje me mundësitë që kanë. Po sigurisht mundësitë e tyre janë jashtëzakonisht të kufizuara.

Zëri: A do të thotë kjo që mbajnë përgjegjësi Shqipëria e Kosova për një gjë të tillë? A do të duhej një vëmendje më e shtuar në këtë pjesë?

Topi: Natyrisht. Atë e thashë. Nuk shoh që të jenë pa përgjegjësi. Sigurisht që kanë përgjegjësi. Kanë sepse shtetet janë të organizuara në mënyrë të tillë që komunikojnë me strukturat e një shteti tjetër, sikurse është Serbia, në të gjitha nivelet, qoftë nivel politik ose nivel diplomatik në tavolina ndërkombëtare. Këto janë temat që duhet patjetër të ngrihet zëri. Patjetër!

Thaçi duhet ta thotë qartë se në ç’kushte erdhi nevoja për të diskutuar për Luginën

Zëri: Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tash së fundmi ka nisur të pohojë se në kuadër të fazës finale të dialogut Kosovë - Serbi do të ndodhë bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën. Si e shihni këtë, sa është e mundur të realizohet ky skenar?

Topi: Tani për hir të vërtetës kjo është një çështje disi delikate. E kam ndjekur me vëmendje, madje me një vëmendje të madhe dhe hap pas hapi. Por ju duhet ta dini që jam nga ajo kategori politikanësh që nuk ia lejoj vetes ta gjykoj në distancë presidentin e Kosovës. Ajo që mund të them është fakti që ka një qëndrim me pak informacion se çfarë situate e solli këtë konsumim të ri të presidentit Thaçi. Këtë mund ta thotë vetëm ai, së paku unë nuk e pres nga dikush tjetër, por ai duhet ta thotë qartë se në ç’kushte erdhi nevoja për të prononcuar teza të tilla që janë shumë të rëndësishme. Mendimi im është që ndërmarrjet e tilla janë shumë të forta dhe duhet patjetër të diskutohen dhe të konsultohen gjatë e intensivisht, sepse janë situata që krijojnë pasiguri dhe paragjykim. Por, mendimi im është që në çdo rrethanë duhet që për çdo gjë që do të diskutohet, çdo gjë që mund të vendoset duhet patjetër një bashkëveprim i ngushtë në mënyrë të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Zëri: Domethënë konsideroni se pa miratimin e SHBA-së nuk duhen ndërmarrë iniciativa të tilla?

Topi: Jo, iniciativa sigurisht se mund të ketë, politike. Por pa konsultimin me SHBA-në unë do ta quaj një gabim të madh, në rast se nuk konsultohen me SHBA-në. Është një çështje dominuese për mua personalisht, të them që në mënyrën më absolute miku më i madh, më i sinqertë që ka përcaktuar historinë e shqiptarëve janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka një rregull të fortë, pra mikun që e ke pasur në vështirësi duhet ta kesh në çdo moment. Për më tepër është vendi më i madh në botë dhe vendi me demokracinë më të zhvilluar e vendi më mik i shqiptarëve.

Zëri: Por, megjithëkëtë presidenti Thaçi po deklarohet se e ka mbështetjen e SHBA-së, pavarësisht se Gjermania po vazhdon ta kundërshtojë lëvizjen e kufijve në Ballkan?

Topi: Unë nuk mund të hyj në asi lloj debati. Unë dhashë një qëndrim timin. Unë konsideroj që në çdo hap duhet patjetër një konsultë me faktorët politikë, me faktorët relevantë të shoqërisë, nuk janë vetëm politikanët, por janë historianët, janë akademikët, përfaqësuesit e shoqatave. Unë besoj që duhet më shumë transparencë për këtë punë.

S’ka shqiptar që nuk e do bashkimin e trojeve

Zëri: Ekzistojnë dy taborë: ata që duan bashkim kombëtar dhe ata që konsiderojnë se një veprim i tillë nuk është i duhuri. Ju personalisht a mendoni se duhet të ndodhë bashkimi kombëtar?

Topi: Nuk besoj të ketë shqiptar që të mos e dojë bashkimin e trojeve. Nuk besoj. Fakti që jemi në prag të festës kombëtare, secili mund ta ëndërrojë bashkimin e trojeve shqiptare. Problemi është në ç’kontekst, ku jemi dhe në ç’kohë jetojmë? Jetojmë në një kohë kur shqiptarët mund ta realizojnë bashkimin e tyre gati çdo ditë. Çka thashë pak më parë, kemi një pamjaftueshmëri të komunikimit, të bashkëpunimit institucional, të bashkëpunimit ekonomik. Duhet çdo ditë ta realizojmë këtë, ajo çështja tjetër është një çështje formale. Unë besoj që ditën që Shqipëria dhe Kosova do të jenë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian (dhe kjo varet nga shqiptarët vetë, nuk varet nga evropianët), ajo ditë për mua do të jetë bashkim i trojeve shqiptare sepse kufijtë do të jenë virtualë. Në rast se do ta themi një pjesë me folklorizëm, unë besoj që nuk është e mjaftueshme për këtë, se duhet ta themi, duhet ta deklarojmë, por vështirë se e realizojmë. Pra fakti që ne e kemi të gjithë jetesën tonë, funksionimin e institucioneve të vendeve tona e kemi në kuadrin e integrimit të Bashkimit Evropian, unë besoj që askush nuk mund të dalë jashtë këtyre politikave. T’i rrisim standardet çdo ditë, të bëhemi njësh në kuptimin e standardit të jetesës dhe të komunikimit, të bashkëpunimit dhe sigurisht që kufijtë pastaj janë vetëm virtualë.

Zëri: Në prag të festës pati një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë. A nuk mjaftojnë iniciativa të tilla? Si do të duhej të veprohej konkretisht?

Topi: Iniciativa të tilla natyrisht që janë zhvilluar edhe më herët. Është tjetër gjë të bësh takime ekzibicioniste për të treguar që “ne po takohemi”, por përshtypja është se çfarë ka nga takimi i fundit? Ku kemi arritur? Unë jam nga ata njerëz që shoh produktin. Takimet janë shumë të rëndësishme, janë gjithmonë të rëndësishme, të nevojshme edhe për ta krijuar një klimë bashkëpunimi, por në fund fare duhet që kur të mblidhen qeveritë të thonë “Çfarë kemi pasur si objektiv nga takimi i fundit dhe ku kemi arritur?” Kam përshtypjen që flitet shumë pak sepse realizohet pak. Unë mendoj që për takimet e rëndësishme objektivat duhet të jenë të qarta. Mblidhet qeveria një herë në vit, në prag të festës kombëtare, kjo më shumë pastaj të jep shansin të thuash që e bëjnë për një ekzibicion para njerëzve, jo duhet që mbledhjet e qeverive të jenë mbledhje të forta pune.

Zëri: Z. Topi, cila është e ardhmja e shqiptarëve sipas jush?

Topi: Unë mendoj që e ardhmja e shqiptarëve është e garantuar. Nuk kam pasur ndonjëherë dyshim për të ardhmen e shqiptarëve. Çështja është me çfarë ritmi dhe në çfarë linjash bashkëpunimi do të ecin shqiptarët. E ardhmja e shqiptarëve është e sigurt, ka garanci për këtë punë. Kanë dalë nga ajo errësira dhe izolimi i kohërave tjera. Puna është se sa do të punojnë shqiptarët së bashku për projekte të përbashkëta, për ta projektuar Shqipërinë, Kosovën dhe viset e tjera./ZERI