Tahiri: Pas 10 vjetësh kemi arritur t’i integrojmë gjyqtarët serbë në 4 komunat veriore

Aktuale November 20, 2018 - 13:58
Lexo Detajet

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka organizuar diskutimin me temën “Integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë në veriun e vendit”, në të cilin u përmendën problemet dhe kërkesat e serbëve në 4 komunat veriore të Kosovës.

Gjatë këtij diskutimi, Abelard Tahiri tha se për 10 vjet s’ka qenë e mundur që sistemi gjyqësor të shtrihet në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës.

“Republika e Kosovës e ka të shtrirë sistemin gjyqësor në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës. Pra për 10 vite ne s’kemi pasë mundësi në asnjë rrethanë që ta instalojmë sistemin tonë gjyqësor edhe në ato 4 komuna. Kemi qenë të cunguar dhe pjesa veriore ka qenë një pjesë ku ka lulëzu krimi dhe ku janë gërshetu të gjitha aktivitetet që vetëm të ligjshme s’kanë mund me qenë”.

“Pas 10 viteve, ne përmes një sistemi, nëpërmjet dialogut, kemi arritë që t’i integrojmë edhe gjyqtarët të komunitetit serb në ato 4 komuna të Republikës të Kosovës, të cilën e shoh si diçka pozitive”.

Sa për çështjen e ligjit për noterinë, Tahiri tha se pret që të dyfishohet numri i noterëve në komunat veriore.

“Unë pres që ta dyfishojmë numrin e noterëve, ta trajtojmë këtë çështje edhe për komunat veriore, sepse nuk kanë qenë të pakta kërkesat edhe të kryetarëve të komunave, edhe të qytetarëve të ndryshëm që të kemi noterë të cilët do të ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe në atë pjesë të Kosovës”.

“Konsideroj që sukses i yni është që ne kemi arritë ta shtrijmë sistemin tonë gjyqësor në atë pjesë të Kosovës dhe kemi arritë në masë jashtëzakonisht të madhe të shpërbëhen strukturat paralele që kanë qenë pengesa kryesore e zhvillimit dhe integrimit të asaj pjese në kuadër të sistemit tonë gjyqësor e prokurorial, policor e kështu me radhë”.

Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit për Legjislacion tha se për Lëvizjen Vetëvendosje ka qenë e papranueshme që për negociatat e Brukselit me Serbinë të merren përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë.

“Për ne ka qenë e papranueshme që negociatat e Brukselit me Serbinë të merren përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë. Dhe ne e kemi kundërshtuar për faktin se ka qenë një goditje për sovranitetin e Republikës së Kosovës që të flitet për çështjet tona në negociata të Brukselit”.

Sipas Haxhiut, i gjithë procesi i integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë ka qenë proces fals dhe jotransparent.

“I gjithë procesi i integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka qenë një proces komplet fals, jotransparent. Atje bëheshin pazare se kush të instalohej në gjyqësor, madje me etni të veçanta siç thuhej, kryetari i Gjykatës duhet të jetë serb. Kjo është në shpërputhje me kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Kompetencën për shtrirje të sovranitetit në këtë rast të drejtësisë dhe funksionalizimin e institucioneve të drejtësisë në veriun e vendit tonë, nën kompetencë ka qenë qeveria, gjegjësisht ministria përkatëse, Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial. Nuk kemi pasur nevojë që të bëjmë pazare me Serbinë, në emër të shtrirjes së sovranitetit”.

Nehat Idrizi, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se gjykatat në veri të Kosovës janë plotësisht funksionale dhe kanë kapacitete të mjaftueshme njerëzore, raporton EO.

“Sot gjykatat në veri janë plotësisht funksionale dhe ofrojnë të gjitha shërbimet gjyqësore sipas legjislacionit të aplikueshëm të Kosovës. Gjykatat kanë kapacitete të mjaftueshme njerëzore duke përfshirë gjyqtarë dhe stafin mbështetës administrativ. Në konkursin e fundit për rekrutim janë në proces të rekrutimit 7 gjyqtarë të rinjtë të komitetit serb”.

“Jemi duke bërë përpjekje që të sigurojmë numër të mjaftueshëm të përkthyesve me qëllim që palëve tu mundësohet që gjykimi të bëhet në gjuhën të cilën ata e kuptojnë. Ka qenë sfiduese edhe ndarja r lëndëve mirëpo momentalisht shkuam me një zgjidhje të përkohshme që edhe ndarja e lëndëve të bëhey në bazë të njohjes së gjuhës”

Blerim Isufaj, kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, konsideroi se marrëveshja e Brukselit për integrimin e sistemit paralel në sistemin e unifikuar të drejtësisë në Kosovë ka rëndësi primare për sundimin e ligjit.

“Marrëveshja e Brukselit për integrimin e sistemit paralel në sistemin e unifikuar të drejtësisë në Kosovë është e rëndësisë primare për sigurimin e sundimit të ligjit, për sigurimin e barabarësisë së palëve në procedurë, për sigurimin e së drejtës së qytetarëve për të pasë qasje në drejtësi”.

“Ne si Këshill Prokurorial i Kosovës konsiderojmë se i kemi plotësuar apo i kemi zbatuar marrëveshjet e Brukselit, kemi integruar 9 prokurorë serbë në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës kemi integruar 1 prokuror në Prokurorinë e Apelit dhe nga një prokuror në prokuroritë themelore në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan dhe Pejë”.

Rreze Hoxha nga GLSP bëri të ditur se gjyqtarët dhe prokurorët e veriut po insistojnë që ndarja e lëndëve të bëhet në baza gjuhësore etnike të palës.Por, sipas saj, një ndarje e tillë është kundër parimit ligjor esencial të ndarjes së lëndëve.

“Gjyqtarët dhe prokurorët e Veriut po insistojnë që ndarja e lëndëve të bëhet në baza gjuhësore dhe në bazë të etnisë së palës. Një ndarje e tillë e lëndëve është kundër parimit ligjor esencial të ndarjes së lëndëve që bëhet në parim të rastësisë. Dhe e njëjta konsideron gjyqësi monoetnike ku kriteri subjektiv sublimon kriterin objektiv e që në këtë rast është ligji”, ka thënë Hoxha.

“Raporti ynë gjen se ka logjikë në krijimin e një procesi për njohjen e vendimeve të strukturave paralele, mirëpo ky proces i njohjes do të duhet të kufizohej vetëm nga vendimet për lëndët civile si martesa dhe trashëgimia”, tha ajo.