Nga Serbia e pranojnë: Do të jetë e vështirë të ndalohet pranimi i Kosovës në INTERPOL

Aktuale November 19, 2018 - 21:35
Lexo Detajet

Kosova pritet që nesër ta merr vendimin për anëtarësimin ose jo në INTERPOL.

E pavarësisht propagandës së vazhdueshme dhe presionit konstant nga pala serbe, ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, po e pranon edhe vetë se do të jetë e vështirë të ndalohet anëtarësimi i Kosovës, transmeton lajmi.net.

Megjithatë, sipas tij ka tendencë të krijohet konfuzion për mënyrën e votimit në Asamblenë e Përgjithshme.

Siç thotë ai, nëse Kosova nuk i merr votat e mjaftueshme për pranim në INTERPOL, do të mbahet edhe një votim i dytë.

Krejt kjo, sipas tij po ndodhë për shkak të politizimit të këtij procesi.

“Kjo nuk është e tolerueshme. Megjithatë, Serbia do të vazhdojë përpjekjet e saja bashkë me partnëerët tanë, që të ruajmë integritetin e INTERPOL-it”, ka thënë ai.

Ministri serb foli edhe për përkrahjen që Mali i Zi i ka dhënë Kosovoës për anëtarësim në këtë organizatë, ku tha se kjo dëshmon se kartelet e drogës dhe mafias janë shumë më të lidhura me ligjin.

Sipas ministrit serb, edhe Egjipti do të jetë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

Nga ana tjetër, minstri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se votimi pritet të mbahet rreth orës 11:00.

Siç tha ai, Kosova nesër do të marrë votat e mjaftueshme për pranim.