Abdixhiku: Janë humbur 16.000 vende pune me qeverisjen e PAN-it

Aktuale November 19, 2018 - 18:36
Lexo Detajet

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK’së Lumir Abdixhiku, e ka komentuar ndarjen e buxhetit për vitin 2019. Ai ka thënë se Qeveria e PAN’it nuk ka shtuar vende pune, përkundrazi janë humbur 16 mijë vende pune, sipas tij.

Abdixhiku këto komente i ka bërë në profilin e tij në Facebook, ku ka thënë se nëpërmjet ndarjes së buxhetit pët vitin 2019, Qeveria e Kosovës e konfirmon se gjatë vitit që po lëmë pas janë humbur shumë vende pune.

“Qeveria e Kosovës, nëpërmjet Buxhetit 2019 e konfirmon se gjatë vitit të shkuar janë humbur hiq më pak se 16,000 vende pune. Jo që s’janë shtuar vende shtesë, por janë humbur edhe ato ekzistueset. Të dhënat e tyre, numrat e tyre, buxheti i tyre. Ky është një rekord i ri - gjithsesi i zi për shtetin tonë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai tutje është shprehur se për ëdo ditë pune të qeverisë, është ditë papunësie për 44 kosovarë të rinj, duke theksuar se nuk pritej ndryshe nga ky koalicion qeverisës.

“Jo që pritej ndryshe. Një qeveri e zënë me kapje institucionale e me rehatime partiake s’mund të prodhoj zhvillim për qytetarët e vet. Një qeveri që mendon vetëm për zëvendësministrat e vet, gati 100 sosh; që falë borxhe, paguan dënime e rahaton militantë në ndërmarrje publike s’mund të krijojë punë për askënd. S’dinë, s’duan, s’munden”, ka përfunduar Abdixhiku.