Thaçi dhe Putin u pajtuan shumë mirë

Aktuale November 19, 2018 - 14:55
Lexo detajet!

Presidentët Hashim Thaçi dhe Vladimir Putin u pajtuan shumë mirë gjatë takimit që zhvilluan në Paris, por ne nuk duhet të mashtrohemi sepse Rusia nuk është mike e Kosovës e as e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu ka theksuar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” David Phillips, ekspert amerikan i politikës së jashtme.

LEXO EDHE: “Këto janë kërkesat e Serbisë në Kosovë”

Ish-këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit vlerëson se presidenti rus e sheh Kosovën si një projekt amerikan dhe destabilizimi i vendit është mënyra e Putinit për t’u marrë përsëri me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndërhyrjen e NATO-s, për koordinimin e njohjes ndërkombëtare të shtetit më të ri në Evropë dhe për margjinalizimin e Rusisë në skenën botërore.

LEXO EDHE: Letra që Ramush Haradinaj ia dërgoi John Boltonit për kufijtë

Zëri: Javë më parë presidenti Thaçi ka takuar në Paris presidentin rus Vladimir Putin, i cili njëherësh është kundërshtari më i madh i pavarësisë së Kosovës. Pikësëpari, si e vlerësoni takimin Thaçi - Putin?

Phillips: Sipas të gjitha llogarive ata u pajtuan së bashku shumë mirë. Megjithatë, le të mos mashtrohemi. Rusia nuk është mike e Kosovës ose e Shteteve të Bashkuara. Ajo shet armë të sofistikuara në Serbi, duke rritur rreziqet e konfliktit të dhunshëm. Ajo krijoi një bazë të inteligjencës në Nish. Putin e sheh Kosovën si një projekt amerikan. Destabilizimi i Kosovës është mënyra e Putinit për t'u marrë përsëri me Shtetet e Bashkuara për ndërhyrjen e NATO-s, për koordinimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe për margjinalizimin e Rusisë në skenën botërore.

Zëri: Para se të takohet me presidentin Thaçi Putin ishte takuar me presidentin turk Erdogan. A e mundësoi ky i fundit takimin Thaçi - Putin, apo presidenti serb Aleksandër Vuçiq?

Phillips: Erdogan është një person ogurzi që po ndjek një agjendë neootomane e islamike në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Fitimi i pasurive dhe zgjerimi i ndikimit politik është një formë e neokolonializmit. Kosovarët nuk luftuan okupimin e Serbisë për t'u dorëzuar në duart e Erdoganit. Mjaft janë gjashtë shekuj të pushtimit turk.

Zëri: Presidenti Putin, sipas presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka deklaruar se Rusia do ta mbështesë çfarëdo marrëveshje Serbi - Kosovë. Cili është interesi i Rusisë nga kjo marrëveshje dhe pse një përkrahje e tillë për marrëveshjen kur dihet se deri më tani Rusia ka kundërshtuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare për Kosovën?

Phillips: Putin ka një pamje afatgjate të historisë. Ndarja është pjesë e planit strategjik të Putinit për të minuar ndikimin perëndimor në Kosovë dhe për të zgjeruar ndikimin e egër të Rusisë duke forcuar Serbinë. A do të garantojë Putin që Rusia do të heqë veton e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për anëtarësimin e Kosovës? A mund ta bindë Kinën? Unë jam skeptik.