“Këto janë kërkesat e Serbisë në Kosovë”

Aktuale November 19, 2018 - 11:33
Lexo detajet!

Eksperti amerikan i politikës së jashtme, David Phillips gjatë një interviste për “Zërin” ka thënë se shumica dërrmuese e kosovarëve e kundërshtojnë korrigjimin e kufirit. 

Phillips i cili e ka kundërshtuar idenë e presidentit të kosovës, Hashim Thaçi ka thënë po ashtu se Serbia pret kompensim financiar për pronat që pretendon në Kosovë, duke përfshirë objektet industriale dhe energjetike.

LEXO EDHE: Phillips: Ndarja e Kosovës, pjesë e planit strategjik të Putinit

Zëri: E keni kundërshtuar idenë e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve me Serbinë. Pse një kundërshtim i tillë, jeni të bindur se Kosova do të dalë humbëse nga kjo marrëveshje?

Phillips: Çdo marrëveshje kërkon mbështetje nga shoqëria civile dhe miratimin nga Kuvendi. Për kuptimin tim, shumica dërrmuese e kosovarëve e kundërshtojnë korrigjimin e kufirit.

Por, çfarë dëshiron Serbia? Negociatat kanë mungesë transparence, kështu që ne nuk e dimë vërtet. Por, duke u bazuar në deklaratat e zyrtarëve serbë duket se Serbia do të heqë dorë nga kërkesa e saj për gjithë Kosovën në këmbim të tokave në veri të lumit Ibër. Enklavat serbe në pjesë të tjera të Kosovës do të kishin autonomi dhe do të ushtrojnë kompetenca ekzekutive. Manastiri ortodoks serb i Deçanit dhe manastire të tjera ortodokse në Kosovë do të fitonin status të posaçëm të mbrojtur. Serbia pret gjithashtu kompensim financiar për pronat që pretendon në Kosovë, duke përfshirë objektet industriale dhe energjetike. Prandaj, ndarja ngre pyetje teknike të ndërlikuara. Si do të ndodhte demarkacioni? Shkëmbimi i tokave në veri të lumit Ibër për tokat etnike shqiptare në Serbi si: Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kërkon një formulë. A do të ishte shkëmbimi simetrik, apo i bazuar në vlerën e vlerësuar të territoreve në fjalë? Çfarë do të ndodhte me shqiptarët etnikë që aktualisht banojnë në veri të lumit Ibër? A do të mbeteshin, apo do të kishte një proces të menaxhuar për migrimin dhe për kompensimin e tyre? A do të kenë mundësi serbët e Kosovës në jug të emigrojnë në tokat veriore të lumit Ibër? Çfarë mekanizmi do të krijohej për të menaxhuar fluksin e popullsisë? Çfarë do të ndodhte me marrëveshjen ekzistuese për një Asociacion të Komunave Serbe? A do të vazhdojë Beogradi ende të kërkojë themelimin e AKS-së për komunat serbe në jug të Kosovës?

Kompensimi është gjithashtu i ndërlikuar. Për Komisionin e Kompensimit të Pronës do të ishte e nevojshme t’i shqyrtojë titullarët, të përcaktojë pronësinë, të përcaktojë vlerën e pronave dhe të rregullojë kompensimin.

Kush do t’i zotërojë minierat e “Trepçës”? Duhet të adresohen çështje të tjera të burimeve natyrore, të tilla si shfrytëzimi i Liqenit Gazivoda.

Ndarja do të hapte plagë nga lufta. Ka ende mijëra njerëz të pagjetur. Si do të adresonte llogaridhënien një marrëveshje për ndarjen? A do ta ndryshojë Serbia kushtetutën e saj për ta njohur Kosovën? A do t’i braktisë Serbia përpjekjet e saj për të penguar vendet tjera të njohin Kosovën, si dhe anëtarësimin e Kosovës në institucionet multilaterale? A është përgatitur Komisioni Evropian për t’i filluar negociatat me Kosovën lidhur me anëtarësimin e saj në BE? Cilat janë veprimet e parashikuara për vendet mosnjohëse nga BE-ja: Spanjë, Greqi, Qipro, Rumani dhe Sllovaki? A do të ndikonte marrëveshja që Rusia dhe Kina të heqin veton e anëtarësimit të Kosovës në OKB?