Kosova nuk dorëzohet karshi kërcënimeve të Serbisë

Aktuale November 19, 2018 - 09:56
Lexo detajet!
Image

Ani pse tashmë disa ditë zyrtarë nga Beogradi po paralajmërojnë ndërprerjen e dialogut me Kosovën nëse nuk hiqet taksa shtesë ndaj produkteve serbe, ky proces nuk pritet të ndalet as tani. Njohës të procesit të dialogut në vend kanë konsideruar se vazhdimi i bisedimeve është më shumë në interes të Serbisë, andaj edhe me ndaljen e tyre ky shtet do të dëmtohej më së shumti. Sipas tyre,  Kosova do të duhej ta kushtëzonte Serbinë dhe si mjet për kushtëzim të përdorte edhe tregun që ka Serbia në Kosovëm, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Kushtëzimi për ndaljen e bisedimeve nuk i ka frikësuar as subjektet politike në vend, deputetët e të cilave kanë thënë se nuk do t’i pranojnë kushtet e shtetit serb.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se Kosova duhet t’i rrisë edhe më shumë taksat ndaj shtetit serb.

Sipas tij, Kosova ka shumë arsye për të kushtëzuar Serbinë në procesin e dialogut.

“Nëse bisedimet zhvillohen përmes kushtëzimeve Kosova i ka 100 arsye për t’i vënë 100 kushte sepse Serbia asgjë nuk respekton, ka nënshkruar disa marrëveshje, por asnjërën nuk e respekton. Këto taksa jo vetëm që janë të drejta, por nuk janë të mjaftueshme. Serbia duhet të paguajë taksa edhe më të mëdha, atyre do të duhej që t’u rriteshin taksat ose t’i ndërpritej lejimi i futjes së mallrave të tyre në Kosovë. Çështja e dialogut është në interes të Serbisë dhe ata janë në nguti. Nëse asaj nuk i ngutet sa i përket Kosovës, për ne ende ka kohë që të presim”, ka thënë ai.

Kurteshi ka thënë se LVV-ja është pro vazhdimit të dialogut, ku do të shqyrtoheshin kërkesat e Kosovës.

“Ne gjithmonë kemi qenë kundër kësaj forme të bisedimeve. Ne jemi për dialog, por dialog me parime ku Kosova i ka kërkesat e veta dhe jo vetëm të shkojmë t’i shqyrtojmë kërkesat e Serbisë”, ka shtuar ai.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, ka thënë për “Zërin” se Kosova nuk do të pranojë të bëjë dialog me kushtet e Serbisë.

“Dialogu duhet të zhvillohet pa kushte. Ne nuk pranojmë të bëjmë dialog me kushte. Dialogu duhet të vazhdojë pa kushte në mes të dyja shteteve të barabarta”, ka thënë ai.

Sipas tij, Serbia nuk do të ndalë dialogun me Kosovën, pasi bisedimet janë në interes të saj.

“Në bazë të praktikave, kushtëzimet nuk duhet të jenë pjesë të dialogut. Nuk mendoj që Serbia do ta ndalë dialogun sepse edhe ajo i ka interesat e saj për t’u integruar në Bashkimin Evropian, mirëpo ata po përdorin njëlloj presioni në këtë moment dhe kjo gjë është e kuptueshme për ne”, ka thënë ai.

Violeta Haxholli, njohëse e procesit të dialogut nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka konsideruar se kërcënimi i palës serbe për ta ndalur dialogun është i përkohshëm, pasi vazhdimi i dialogut është më shumë në interes të Serbisë.

Sipas saj, tregu që ka Serbia në Kosovë është një mjet i mirë për ta kushtëzuar Serbinë në bisedime.

“Taksa të cilën e ka vendosur Qeveria është e drejtë. Ajo ka ardhur si kundërpërgjigje e shtetit të Kosovës ndaj fushatës lobuese të vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës, kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme. Serbia mund të mungojë në disa takime të dialogut, por në fund dialogu është më shumë në interes të Serbisë sesa në të Kosovës, për shkak se Serbia me Bashkimin Evropian e ka të hapur Kapitullin 35 dhe një nga kushtet për ta përmbyllur këtë kapitull është edhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën”, ka thënë ajo.

Haxholli ka thënë për “Zërin” se Kosova duhet t’i vërë kushte Serbisë në çdo fazë të dialogut.

“Mendoj që Kosova ka disa karta në dorë të cilat mund t’i përdorë, si kërkesa ndaj Serbisë ose parakushte për t’u ulur në dialog. Nuk do të thotë që gjithmonë të jemi pala konstruktive që ulet pa ndonjë kusht në tavolinën e dialogut dhe meqenëse rruga e Serbisë drejt BE-së lidhet me Kosovën ne mund ta përdorim për ta kushtëzuar Serbinë në çdo fazë të dialogut dhe mendoj që nuk e kemi shfrytëzuar mjaft këtë. Është mirë që më në fund Qeveria e Kosovës ka shfrytëzuar njërën prej tyre, që është vendosja e taksës në produktet e Serbisë”, ka thënë ajo.