Nesër vendimi i INTERPOL-it për Kosovën

Aktuale November 19, 2018 - 07:55
Lexo detajet!
Image

Ka mbetur vetëm edhe një ditë kur Kosova do ta marrë përgjigjen përfundimtare mbi kërkesën për anëtarësim në INTERPOL. Përfaqësuesit e Qeverisë tashmë janë shprehur të vendosur se kjo përgjigje e vendeve anëtare të INTERPOL-it do të jetë pozitive për Kosovën. Pavarësisht kësaj, ata thonë se Serbia nuk po rresht së lobuari kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Gjatë ditës së nesërme (të martën) pritet që në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it të votohet mbi kërkesën e Kosovës për t’u bërë pjesë e organizatës më të madhe të policisë ndërkombëtare.

LEXO EDHE: S’ka ushtri më 28 nëntor

Me këtë rast, pas votimit nga shtetet anëtare do të bëhet e ditur përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtari i 193-të i INTERPOL-it ose jo.

Dje, kur edhe ka nisur punimet kjo Asamble, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës janë shprehur të sigurt se Kosova do ta marrë lajmin e shumëpritur gjatë ditës së nesërme.

Se Kosova do të bëhet pjesë e INTERPOL-it janë shprehur optimistë edhe njohës të sigurisë e përfaqësues të partive opozitare, megjithëse sipas këtyre të fundit institucionet e Kosovës nuk kanë punuar sa duhet në këtë drejtim.

Për t’u bërë pjesë e organizatës në fjalë nevojitet që “pro” anëtarësimit të Kosovës të votojnë 2/3-at e vendeve anëtare që janë të pranishme gjatë votimit.

Ndërkohë punimet e Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate, që po mbahen në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet të zgjasin deri më 21 nëntor (e mërkurë).  

Partitë në pushtet, të bindur për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Teksa ka folur për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, ka pohuar sërish se votimi për Kosovën do të ndodhë gjatë të martës, një ditë para se Asambleja e Përgjithshme e kësaj organizate t’i përfundojë punimet për këtë vit.

Pacolli me këtë rast ka thënë se një gjë e tillë paraqet një fillim të mbarë për Kosovën.  

“Fillim i mbarë. U konfirmua agjenda e samitit të INTERPOL-it dhe pika ku Kosova aplikon për të qenë anëtare. Lufta kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmit është synimi ynë. Votimi do të ndodhë të martën”, ka deklaruar gjatë së dielës Pacolli.

Kurse kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Haxhi Shala, nga Nisma, është shprehur i sigurt se Kosova do të bëhet pjesë e INTERPOL-it qysh nga dita e nesërme.

“Besoj se këtë vit Kosova do të jetë pjesë e INTERPOL-it nga dita e martë, pra do të votohet. Institucionet e Kosovës, njëkohësisht edhe Komisioni për Punë të Brendshme kanë bërë punën e vet, kanë lobuar në shumicën e vendeve, kanë marrë premtime që do ta votojnë Kosovën si anëtare të INTERPOL-it. Kështu që unë pres që ditën e martë Kosova veç do të bëhet anëtare e INTERPOL-it”, ka theksuar Shala gjatë një bisede për “Zërin”.

“Lufta” e ashpër e Serbisë për ta ndalur Kosovën

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për ta penguar Kosovën në këtë rrugëtim Haxhi Shala ka thënë se Kosova do t’ia dalë të bëhet pjesë e organizatës më të madhe të policisë ndërkombëtare.

 “Kosova do të votohet përkundër lobimit që ka bërë Serbia që Kosova të mos anëtarësohet. Besoj shumë shtete e kanë kuptuar, edhe INTERPOL-i ka përfitimet e veta që ta ketë Kosovën brenda saj, por edhe Kosova ka përfitimet e saj”, është shprehur i pari i Komisionit për Punë të Brendshme.

Në anën tjetër edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka vlerësuar që Serbia është duke bërë përpjekje të vazhdueshme për ta ndalur Kosovën në rrugëtimin drejt INTERPOL-it.

Megjithëkëtë, ai është shprehur optimist se anëtarësimi në këtë organizatë do të ndodhë gjatë kësaj jave.

“Duke u bazuar në informatat që i kemi, gjasat që Kosova të pranohet në INTERPOL janë të mëdha, sepse shumë vende mike që janë me ndikim të madh në atë organizatë e përkrahin anëtarësimin e Kosovës. Në anën tjetër Serbia po lobon shumë që një gjë e tillë të mos ndodhë”, ka deklaruar ai.

Porse sipas tij, shumë shtete të fuqishme janë pro anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

“Shtetet më të rëndësishme dhe më me ndikim, që janë shumë, e mbështesin. Vetëm disa shtete ku Serbia po ka ndikim janë deklaruar se nuk do ta mbështesin, por natyrisht që këtë punë duhet marrë me rezervë, sepse Serbia është shumë aktive për ta penguar Kosovën në anëtarësimin e organizatave ndërkombëtare, siç është aktive në zhbërjen e njohjes së Kosovës nga disa shtete”, ka theksuar deputeti i LVV-së. 

Opozita: Qeveria nuk loboi sa duhet

Ismajl Kurteshi gjatë bisedës ka vlerësuar se institucionet e Kosovës nuk kanë punuar sa duhet sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizatën më të madhe të policisë ndërkombëtare.

Madje, siç Kurteshi është shprehur, as deputetët nuk janë të informuar se çfarë aktivitetesh janë ndërmarrë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga Qeveria në përgjithësi lidhur me këtë çështje.

Ndërkohë edhe Nuredin Ibishi, ish-deputet i LDK-së dhe njohës i çështjeve të sigurisë, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka lobuar sa duhet për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Një gjë të tillë, siç ai është shprehur, më shumë e kanë bërë partnerët strategjikë të Kosovës.

Megjithëkëtë, ai ka konsideruar se Kosova këtë herë ka gjasa reale për t’u bërë anëtare e INTERPOL-it.  

“Sido që të jetë, unë jam optimist që do të pranohemi. Unë po e shoh edhe prej reagimeve të kundërshtarëve, Serbia ka bërë shumë lobim kundër, së bashku me Rusinë, me Kinën e me partnerët e tjerë”, ka theksuar ai.

Sipas Ibishit, lufta e ashpër e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë është e disfavorshme për Kosovën, por megjithëkëtë ai ka vlerësuar se Kosova i ka votat e mjaftueshme për t’u bërë anëtarja më e re e INTEPROL-it.