Phillips: Ndarja e Kosovës, pjesë e planit strategjik të Putinit
David Phillips, ekspert amerikan i politikës së jashtme, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka theksuar se presidenti rus e sheh Kosovën si një projekt amerikan dhe destabilizimi i vendit është mënyra e Putinit për t’u marrë përsëri me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndërhyrjen e NATO-s. Sipas tij, ndarja është pjesë e planit strategjik të Putinit për të minuar ndikimin perëndimor në Kosovë dhe për të zgjeruar ndikimin e egër të shtetit të tij duke e forcuar Serbinë, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Presidentët Hashim Thaçi dhe Vladimir Putin u pajtuan shumë mirë gjatë takimit që zhvilluan në Paris, por ne nuk duhet të mashtrohemi sepse Rusia nuk është mike e Kosovës e as e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kështu ka theksuar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” David Phillips, ekspert amerikan i politikës së jashtme.
Ish-këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit vlerëson se presidenti rus e sheh Kosovën si një projekt amerikan dhe destabilizimi i vendit është mënyra e Putinit për t’u marrë përsëri me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndërhyrjen e NATO-s, për koordinimin e njohjes ndërkombëtare të shtetit më të ri në Evropë dhe për margjinalizimin e Rusisë në skenën botërore.
Sipas tij, ndarja është pjesë e planit strategjik të Putinit për të minuar ndikimin perëndimor në Kosovë dhe për të zgjeruar ndikimin e egër të Rusisë, duke e forcuar Serbinë.
“A do të garantojë Putin që Rusia do të heqë veton e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për anëtarësimin e Kosovës? A mund ta bindë Kinën? Unë jam skeptik”, thotë mes tjerash Phillips.
Eksperti amerikan i politikës së jashtme gjatë kësaj interviste për “Zërin” po ashtu ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj për çështjen e kufijve në shtator të këtij viti i ka shkruar letër këshilltarit të sigurisë kombëtare në SHBA, John Bolton, përderisa nga një kopje të kësaj letre u është dërguar sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo dhe sekretarit të Mbrojtjes James Mattis.
“Letra e Haradinajt i komunikoi pikëpamjet e tij mbi përpjekjet e rrezikshme dhe destruktive nga disa elementë të Kosovës dhe të Serbisë për të hyrë në një lloj shkëmbim territori. Aq sa di unë, Bolton nuk u përgjigj në këtë letër. Për më tepër, SHBA-ja nuk ka arritur të shprehë qartë qëndrimin e saj mbi ndarjen. Ndarja mund të nxiste një fazë të re të konfliktit etnik në Kosovë dhe në rajon, duke destabilizuar shtetet e brishta multietnike”, ka potencuar Phillips.
Phillips ka folur edhe për vizitën e fundit në Serbi dhe në Kosovë të zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit Matthew A. Palmer, e cila vizitë, sipas tij, më shumë krijoi konfuzion sesa qartësi.
“Palmer gjatë kësaj vizite shfuqizoi rolin udhëheqës të Amerikës. Ai këmbënguli se SHBA-ja nuk ishte ‘një palë negociuese’ për detajet e normalizimit në mes të Serbisë dhe të Kosovës”.
Zëri: Z. Phillips, Kosova ka hyrë në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë. Kur mendoni se ky dialog do të përfundojë dhe cili do të jetë epilogu?
Phillips: Normalizimi është kritik. Megjithatë, një marrëveshje e keqe është më e dëmshme sesa asnjë marrëveshje. Dialogu duhet të përfundojë kur Kosova t’i arrijë objektivat e saj kryesore, duke përfshirë garancitë nga SHBA-ja dhe bashkësia ndërkombëtare. Sovraniteti i Kosovës dhe integriteti territorial janë vendime të rëndësishme. Negociatat nuk duhet të nxiten ose të kryhen në fshehtësi prapa dyerve të mbyllura.
“Këto janë kërkesat e Serbisë në Kosovë”
Zëri: E keni kundërshtuar idenë e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve me Serbinë. Pse një kundërshtim i tillë, jeni të bindur se Kosova do të dalë humbëse nga kjo marrëveshje?
Phillips: Çdo marrëveshje kërkon mbështetje nga shoqëria civile dhe miratimin nga Kuvendi. Për kuptimin tim, shumica dërrmuese e kosovarëve e kundërshtojnë korrigjimin e kufirit.
Por, çfarë dëshiron Serbia? Negociatat kanë mungesë transparence, kështu që ne nuk e dimë vërtet. Por, duke u bazuar në deklaratat e zyrtarëve serbë duket se Serbia do të heqë dorë nga kërkesa e saj për gjithë Kosovën në këmbim të tokave në veri të lumit Ibër. Enklavat serbe në pjesë të tjera të Kosovës do të kishin autonomi dhe do të ushtrojnë kompetenca ekzekutive. Manastiri ortodoks serb i Deçanit dhe manastire të tjera ortodokse në Kosovë do të fitonin status të posaçëm të mbrojtur. Serbia pret gjithashtu kompensim financiar për pronat që pretendon në Kosovë, duke përfshirë objektet industriale dhe energjetike. Prandaj, ndarja ngre pyetje teknike të ndërlikuara. Si do të ndodhte demarkacioni? Shkëmbimi i tokave në veri të lumit Ibër për tokat etnike shqiptare në Serbi si: Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kërkon një formulë. A do të ishte shkëmbimi simetrik, apo i bazuar në vlerën e vlerësuar të territoreve në fjalë? Çfarë do të ndodhte me shqiptarët etnikë që aktualisht banojnë në veri të lumit Ibër? A do të mbeteshin, apo do të kishte një proces të menaxhuar për migrimin dhe për kompensimin e tyre? A do të kenë mundësi serbët e Kosovës në jug të emigrojnë në tokat veriore të lumit Ibër? Çfarë mekanizmi do të krijohej për të menaxhuar fluksin e popullsisë? Çfarë do të ndodhte me marrëveshjen ekzistuese për një Asociacion të Komunave Serbe? A do të vazhdojë Beogradi ende të kërkojë themelimin e AKS-së për komunat serbe në jug të Kosovës?
Kompensimi është gjithashtu i ndërlikuar. Për Komisionin e Kompensimit të Pronës do të ishte e nevojshme t’i shqyrtojë titullarët, të përcaktojë pronësinë, të përcaktojë vlerën e pronave dhe të rregullojë kompensimin.
Kush do t’i zotërojë minierat e “Trepçës”? Duhet të adresohen çështje të tjera të burimeve natyrore, të tilla si shfrytëzimi i Liqenit Gazivoda.
Ndarja do të hapte plagë nga lufta. Ka ende mijëra njerëz të pagjetur. Si do të adresonte llogaridhënien një marrëveshje për ndarjen? A do ta ndryshojë Serbia kushtetutën e saj për ta njohur Kosovën? A do t’i braktisë Serbia përpjekjet e saj për të penguar vendet tjera të njohin Kosovën, si dhe anëtarësimin e Kosovës në institucionet multilaterale? A është përgatitur Komisioni Evropian për t’i filluar negociatat me Kosovën lidhur me anëtarësimin e saj në BE? Cilat janë veprimet e parashikuara për vendet mosnjohëse nga BE-ja: Spanjë, Greqi, Qipro, Rumani dhe Sllovaki? A do të ndikonte marrëveshja që Rusia dhe Kina të heqin veton e anëtarësimit të Kosovës në OKB?
Thaçi dhe Putin u pajtuan shumë mirë
Zëri: Javë më parë presidenti Thaçi ka takuar në Paris presidentin rus Vladimir Putin, i cili njëherësh është kundërshtari më i madh i pavarësisë së Kosovës. Pikësëpari, si e vlerësoni takimin Thaçi - Putin?
Phillips: Sipas të gjitha llogarive ata u pajtuan së bashku shumë mirë. Megjithatë, le të mos mashtrohemi. Rusia nuk është mike e Kosovës ose e Shteteve të Bashkuara. Ajo shet armë të sofistikuara në Serbi, duke rritur rreziqet e konfliktit të dhunshëm. Ajo krijoi një bazë të inteligjencës në Nish. Putin e sheh Kosovën si një projekt amerikan. Destabilizimi i Kosovës është mënyra e Putinit për t'u marrë përsëri me Shtetet e Bashkuara për ndërhyrjen e NATO-s, për koordinimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe për margjinalizimin e Rusisë në skenën botërore.
Zëri: Para se të takohet me presidentin Thaçi Putin ishte takuar me presidentin turk Erdogan. A e mundësoi ky i fundit takimin Thaçi - Putin, apo presidenti serb Aleksandër Vuçiq?
Phillips: Erdogan është një person ogurzi që po ndjek një agjendë neootomane e islamike në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Fitimi i pasurive dhe zgjerimi i ndikimit politik është një formë e neokolonializmit. Kosovarët nuk luftuan okupimin e Serbisë për t'u dorëzuar në duart e Erdoganit. Mjaft janë gjashtë shekuj të pushtimit turk.
Zëri: Presidenti Putin, sipas presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka deklaruar se Rusia do ta mbështesë çfarëdo marrëveshje Serbi - Kosovë. Cili është interesi i Rusisë nga kjo marrëveshje dhe pse një përkrahje e tillë për marrëveshjen kur dihet se deri më tani Rusia ka kundërshtuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare për Kosovën?
Phillips: Putin ka një pamje afatgjate të historisë. Ndarja është pjesë e planit strategjik të Putinit për të minuar ndikimin perëndimor në Kosovë dhe për të zgjeruar ndikimin e egër të Rusisë duke forcuar Serbinë. A do të garantojë Putin që Rusia do të heqë veton e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për anëtarësimin e Kosovës? A mund ta bindë Kinën? Unë jam skeptik.
Zëri: A ka rrezik se nga një marrëveshje përfundimtare me Serbinë Kosova t’i humbë komunat veriore të banuara me shumicë serbe, ndërsa nuk do ta marrë as Luginën e Preshevës në jug të Serbisë, siç po pretendon Thaçi?
Phillips: Ne nuk kemi parë një letër mbi kushtet e marrëveshjes. Derisa negociatat të jenë transparente dhe të kodifikuara për të dhënat publike nuk dimë se çfarë do të ndodhë me Luginën e Preshevës.
Zëri: Presidenti Thaçi nuk po fiton kurrfarë përkrahje politike në vend për ta realizuar idenë e tij me Serbinë. Si mund të nënshkruhet një marrëveshje, e cila nuk do të mundë t’i sigurojë 80 vota në Kuvendin e Kosovës?
Phillips: Deputetët e Kuvendit do të votojnë pasi t’i kenë studiuar detajet. Deri atëherë është e paqartë se sa mbështetje ka Thaçi në Kuvend. Kam mësuar gjatë diskutimeve të mia në Prishtinë se edhe anëtarët e PDK-së janë skeptikë.
Haradinaj i shkroi Boltonit për kufijtë, por nuk mori kurrfarë përgjigje
Zëri: Për dallim nga presidenti Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj po e kundërshton ashpër idenë për korrigjimin e kufijve me Serbinë. Madje thuhet se për këtë çështje Haradinaj i ka shkruar letër edhe administratës amerikane në Uashington. A keni njohuri për një letër të tillë dhe a ka marrë ndonjë përgjigje nga administrata e presidentit Trump?
Phillips: Po, ai i ka shkruar këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Bolton, më 18 shtator 2018, duke e bërë të qartë kundërshtimin e tij ndaj korrigjimit të kufirit. Letra i komunikoi pikëpamjet e tij mbi “përpjekjet e rrezikshme dhe destruktive nga disa elementë të Kosovës dhe të Serbisë për të hyrë në një lloj shkëmbim territori”. Ai paralajmëroi se rregullimi i kufirit “do të sjellë shkatërrim në vendet tona dhe do të kërcënojë stabilitetin në Ballkan dhe në Evropë. Shumica dërrmuese e popullit kosovar i kundërvihet fuqishëm idesë së tmerrshme që propozohet tani. Kjo është e njëjta ide që shkaktoi të gjitha luftërat e kaluara; duke u përpjekur të krijohen shtete etnikisht të pastra duke lëvizur kufijtë dhe popujt”. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe sekretari i Mbrojtjes James Mattis morën kopje të letrës. Aq sa di unë, Bolton nuk u përgjigj. Për më tepër, SHBA-ja nuk ka arritur të shprehë qartë qëndrimin e saj mbi ndarjen.
A do të sjellë paqe korrigjimi kufitar? Ndarja mund të nxiste një fazë të re të konfliktit etnik në Kosovë dhe në rajon, duke destabilizuar shtetet e brishta multietnike. Shumë njerëz vdiqën për të ruajtur idealin e shteteve demokratike, etnikisht të ndryshme në Ballkanin Perëndimor. Ndarja do të paralajmëronte humbjen e Kosovës si një shoqëri multietnike. Qëllimi i Sllobodan Millosheviqit ishte gjithmonë që të bashkonte kombin serb dhe të krijonte “Serbinë e Madhe”. Ndarja e Kosovës do të arrinte në tryezën e negociatave që Millosheviq nuk arriti ta arrinte nëpërmjet spastrimit etnik.
Zëri: Qasja e administratës së presidentit Trump karshi Serbisë ka ndryshuar dukshëm, e krahasuar me administratën e presidentit Obama. Pse një ndryshim i tillë i politikës amerikane?
Phillips: Administrata e Trumpit deklaron se nuk ka “linja të kuqe”, që do të thotë se çdo gjë është e mundur nëse palët bien dakord me të. A do të thotë kjo mbështetje për korrigjimin e kufirit? Qeveria e Kosovës meriton një deklaratë të qartë të politikës amerikane. Biseda e dyfishtë ngatërruese nuk është e mjaftueshme.
Zëri: Cili është ndikimi konkret i lobit serb te administrata e presidentit Trump?
Phillips: Unë nuk kam njohuri për lobin serb. E di, megjithatë, se lobi shqiptar historikisht ka pasur ndikim të madh. Shqiptaro-amerikanët duhet të shprehin me zë të lartë dhe qartë pikëpamjet e tyre mbi ndarjen tek anëtarët e Kongresit dhe të Administratës. Tani është koha që shqiptarët amerikanë të veprojnë.
Palmer shfuqizoi rolin udhëheqës të Amerikës
Zëri: Z. Palmer javë më parë gjatë vizitës në Beograd dhe në Prishtinë ka deklaruar se Amerika nuk ka vija të kuqe për marrëveshjen Kosovë - Serbi. Ai ka punuar për disa vite në Ambasadën e SHBA-së në Beograd, ku ka këshilluar ambasadorin për raportet në mes të Serbisë dhe të SHBA-së. Si e komentoni një deklaratë të tillë dhe pse ky ndryshim i qëndrimit politik të SHBA-së karshi Kosovës?
Phillips: Zëvendësndihmëssekretari i Shtetit Matthew A. Palmer, vizitoi Serbinë dhe Kosovën (19-23 tetor 2018). Vizita e tij krijoi më shumë konfuzion sesa qartësi. Para se të shkonte në Kosovë Palmer vizitoi Serbinë, ku u takua me presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili i bëri atij një kundërshtim të madh për krijimin e ushtrisë së Kosovës. Në Serbi Palmer u fotografua me një karficë në veshjen e tij me flamuj, të SHBA-së dhe atë të Serbisë. Fotografia u shpërnda gjerësisht nga agjencia shtetërore e lajmeve “Tanjug”. Përtej fotos, optika e udhëtimit të Palmerit ishte e gabuar. Ai do të duhej të shkonte në Kosovë së pari dhe pastaj në Beograd. Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë një marrëdhënie të veçantë. SHBA-ja dhe NATO-ja hynë në luftë për të parandaluar gjenocidin ndaj shqiptarëve nga forcat e Millosheviqit.
Çfarë mesazhi ka përcjellë Palmer? “Ajo që ne duam të arrijmë është një normalizim i plotë i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe kjo është një sfidë komplekse”, tha Palmer për Radiotelevizionin e Serbisë. Ai shtoi se “nuk ka vija të kuqe”. Sipas Palmerit, “çdo marrëveshje duhet të trajtojë pasurinë e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe një pjesë që ka të bëjë me rajonet e Gazivodës dhe të ‘Trepçës’”. A thua deklarata e Palmerit nënkupton se këto rajone janë gati për t'u marrë? Palmer gjithashtu shfuqizoi rolin udhëheqës të Amerikës. Ai këmbënguli se SHBA-ja nuk ishte “një palë negociuese” për detajet e normalizimit në mes të Serbisë dhe të Kosovës.
Zëri: Si e shihni qëndrimin e deritanishëm të Gjermanisë në çështjen e dialogut Kosovë - Serbi dhe a mendoni se edhe kancelarja Merkel në fund do të mundë ta pranojë një marrëveshje eventuale Thaçi -Vuçiq?
Phillips: QUINT-i përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia. Gjermania dhe Britania kundërshtojnë korrigjimin e kufirit. Franca dhe Italia janë më fleksibile.
Specialja të veprojë ose të pushojë
Zëri: Muajin e kaluar Kosovën e vizitoi edhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, vizitë kjo që u komentua në Kosovë si parapërgatitje e terrenit për ngritjen e aktakuzave të para. Kur mendoni se do të ngrihen aktakuzat e para dhe a do të jenë në mesin e të akuzuarve edhe liderët shtetërorë të Kosovës?
Phillips: Ky proces ka shkuar shumë larg. Gjykata Speciale duhet të veprojë ose thjesht t’i pushojë shqyrtimet. Është e padrejtë që politikanët e Kosovës të kenë një shpatë mbi kokat e tyre.
BE-ja, ndërmjetëse e dobët
Zëri: Qytetarëve të Kosovës u është premtuar që në fund të këtij viti do të mundë të lëvizin pa viza në BE, por janë disa shtete anëtare që po e kundërshtojnë heqjen e vizave për Kosovën. Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, duke përfshirë edhe zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj, po deklarojnë se Kosova duhet ta kushtëzojë vazhdimin e dialogut me çështjen e vizave. A do të mundë Kosova realisht ta bëjë një kushtëzim të tillë?
Phillips: BE-ja është një ndërmjetëse e dobët. Arkitektura e ndërmjetësimit duhet të përmirësohet për të përfshirë një rol të barabartë për Shtetet e Bashkuara. Negociatat nuk mund të jenë pa limite të caktuara. Kosova duhet të kërkojë një marrëveshje deri në kohën kur mandati i Federica Mogherinit përfundon në maj të vitit 2019. Sa më gjatë që merr kohë, kjo është përparësi më e madhe për Serbinë. Sot BE-ja mbështet Kapitullin 35, i cili thotë se Serbia nuk mund të bëjë përparim me kandidaturën e saj për në BE derisa t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Nuk kemi asnjë siguri për mbështetjen e saj për Kapitullin 35 në të ardhmen.
Zëri: Javën e ardhshme do të votohet për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. A mendoni se është siguruar përkrahja e nevojshme për anëtarësim në këtë organizatë?
Phillips: Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL ka gjasa të ndodhë, pjesërisht për shkak të diplomacisë efektive nga autoritetet e Kosovës dhe mbështetjes së fortë nga Uashingtoni. Anëtarësimi në INTERPOL do të demonstrojë se çfarë mund të arrihet kur personalitetet politike të Kosovës punojnë së bashku në mbështetje të interesit kombëtar dhe jo të vet interesit të tyre personal.