Dështimi i seancave përcillet edhe te komisionet

Aktuale November 17, 2018 - 08:03
Lexo tjera detaje

Marigona Brahimi/Prishtinë

Përveç ndërprerjes së pothuajse secilës seancë plenare të Kuvendit të Kosovës në mungesë të kuorumit, tashmë kanë filluar të dështojnë edhe mbledhjet e komisioneve parlamentare. Deputetët kanë filluar që t’i bojkotojnë edhe mbledhjet e komisioneve. Ndërsa monitoruesit e punës së Kuvendit thonë se dështimet e seancave po pasqyrohen edhe në komisione. Ndërkohë, partitë opozitare thonë se koalicioni qeverisës tashmë është jofunksional. “Dështimet e shpeshta të mbledhjeve të komisioneve parlamentare janë kryesisht për shkak të bojkotit të punës në Kuvend nga partitë opozitare dhe nga parti që aktualisht janë në koalicion qeverisës, siç është Lista Serbe, por edhe për shkak që shumica prej deputetëve janë anëtarë në më shumë se një komision”, ka theksuar Agnesa Haxhiu, monitoruese e punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ajo më tej ka thënë se shkak tjetër për dështimin e këtyre komisioneve është edhe moskoordinimi i kohës se kur do të mbahen seancat dhe kur komisionet. “Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, komisionet parlamentare obligohen që të mbajnë së paku dy takime brenda muajit dhe po e njëjta rregull vlen edhe për seancat plenare, por kjo është bërë problematikë më e theksuar sidomos për shkak të mbajtjes së seancave në kohën kur është paraparë të mbahen edhe mbledhjet e komisioneve”, ka deklaruar Haxhiu.

Sipas saj, i takon Kryesisë së Kuvendit që ta bëjë praktikë respektimin e kalendarit të punës në atë mënyrë që t’i caktojë ditët kur do të duhej të mbaheshin seancat plenare, për t’u dhënë hapësirë komisioneve që të planifikojnë mbajtjen e takimeve të tyre në kohën kur nuk planifikohet mbajtja e seancës.

Më tutje Haxhiu shtoi se aktualisht Kuvendi e ka para vetes një agjendë të stërngarkuar, ku janë në procedurë të shqyrtimit edhe 63 projektligje që do të duhej të përfundonin deri në fund të këtij viti, duke thënë se në qoftë se performanca do të vazhdojë të jetë në këtë nivel përmbushja e kësaj agjende do të jetë sfidë për Kuvendin.

Selmanaj: Qeveria nuk varet nga funksionimi i komisioneve e i seancave

Deputeti nga koalicioni qeverisës, Rasim Selmanaj, deklaroi për gazetën “Zëri” se mungesa e deputetëve në komisione, por edhe në seanca nuk shkakton pengesë në punën e Qeverisë, pasi siç theksoi ai projektimi dhe miratimi i ligjeve nuk është vetëm obligim i koalicionit qeverisës. “Bojkotet e këtyre komisioneve dhe seancave të Kuvendit nuk e pengojnë në asnjë mënyrë Qeverinë ta bëjë punën e vet, sepse ligjet nuk do të duhej të shiheshin vetëm si obligim i deputetëve të koalicionit, por edhe si obligim i opozitës. Ne nuk po bëjmë ligje për pozitën ose opozitën, por për qytetarët e vendit tonë”, shtoi Selmanaj.

Deputeti Selmanaj ka thënë se është i paarsyeshëm bojkoti i komisioneve parlamentare nga deputetët e pozitës, duke shtuar se mungesa e deputetëve opozitarë mund të jetë më e kuptueshme. “Sa i përket mbledhjes së komisioneve, kur opozita për qëllime politike i bojkoton, kjo është deri diku e kuptueshme, por pjesa e deputetëve të koalicionit që i bojkotojnë mendoj që është e paarsyeshme dhe nuk do të duhej të ndodhte”, ka potencuar Selmanaj.

Millaku akuzon pushtetin për papërgjegjësi

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për “Zërin” se mazhoranca nuk po është e pranishme nëpër komisione parlamentare për shkak të papërgjegjësisë së tyre dhe rrjedhimisht edhe seancat plenare nuk po mbahen për shkak të kësaj papërgjegjësie.

Më tutje Millaku theksoi se duhen zgjedhje të reja, pasi sipas saj kryeministri aktual nuk është i zoti t’i kryejë përgjegjësitë që ka. “Seancat plenare nuk po mbahen për shkak të papërgjegjësisë së kësaj qeverie, në çdo seancë Qeveria nuk është e pranishme, gjithashtu edhe nëpër komisione mazhoranca nuk po është e pranishme, sepse janë në vizita jashtë shtetit, pra rrjedhimisht kjo qeveri jo vetëm që është e papërgjegjshme, kjo tanimë është bërë edhe e rrezikshme, andaj duhet sa më shpejt vendi të shkojë në zgjedhje”, potencoi Millaku.

Baftiu: LVV-ja e LDK-ja, fajtore për mosfunksionim të Kuvendit

Deputetja e Partisë Socialdemokrate, Besa Baftiu, në një prononcim për “Zërin” akuzoi dy partitë tjera opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, për dështim të Kuvendit se me bojkotin e tyre të seancave në Kuvend po ia zgjasin jetën Qeverisë aktuale. “E kemi thënë që ne si PSD jemi që kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi, mirëpo në mënyrën si LDK-ja dhe LVV-ja po veprojnë kjo qeveri do të mbetet deri në fund të mandatit”, ka thënë Baftiu.

Ajo po ashtu ka thënë se pavarësisht mungesave në komisione e në seanca Qeveria nuk po ndikohet. Ajo shtoi se kjo qeveri nuk duhet të vazhdojë më tutje dhe se për mosfunksionimin e saj fajtore po i gjen partitë opozitare që nuk po gjejnë një gjuhë të përbashkët për rrëzimin e saj. “Opozita nuk është duke e bërë punën si duhet për arsye se do të duhej të ishim më të unifikuar, ta bëjmë një strategji se si do të dukej Qeveria e ardhshme dhe ne si opozitë nëse do të kishim një plan strategjik, atëherë po besoj se edhe deputetët e pozitës, të cilët nuk janë të kënaqur me këtë qeverisje, mund të na bashkohen dhe ta rrëzojmë Qeverinë”, ka deklaruar Baftiu.