Shtetet hezituese për liberalizim

Aktuale November 17, 2018 - 07:57
Lexo tjera detaje
Image

Tri javët në vijim janë përcaktuese nëse Kosova do të mundë të hyjë sivjet në agjendën e Këshillit të Ministrave për liberalizimin e vizave. Ndërkohë që deri tani mbi 10 shtete të Bashkimit Evropian po hezitojnë ta mbështesin heqjen e regjimit të vizave për kosovarët. Këtu përfshihen shtete të rëndësishme si Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda, Austria, vendet skandinave, si dhe vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në pjesën e parë të dhjetorit është takimi i fundit i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për këtë vit. Ndërkohë, kryeministri Ramush Haradinaj ditë më parë ka thënë se shpreson që liberalizimi i vizave për Kosovën do të arrijë të hyjë në agjendë sivjet. Në anën tjetër, njohësi i proceseve integruese thotë se janë mbi 10 shtete që ende kanë hezitime nëse duhet të hiqen vizat për kosovarët ose jo. Madje në mesin e këtyre shteteve, sipas analistëve, janë edhe vende me fuqi të madhe brenda BE-së, si Gjermania, Franca, Austria, Belgjika, Holanda, vendet skandinave dhe shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në krye me Spanjën. Vlerësohet se gjasat që Kosova këtë vit të marrë liberalizimin e vizave janë minimale.  

Ndërkohë, diskutimet mes tri organeve të BE-së, Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit të BE-së, po vazhdojnë dhe pas përfundimit të këtyre diskutimeve dhe votimit në Grupin Punues për Viza (COWEB), nëse ka pëlqim propozimi kalon në nivelin e COREPER-it, ku ulen ambasadorët e Shteteve Anëtare të BE-së për të diskutuar për këtë çështje dhe tek në fund çështja kalon në Këshillin e Ministrave për votim.

Ujkani: Kundërshtimet vijnë nga shtetet ku ka kosovarë

Profesori i së drejtës evropiane, Emrush Ujkani, për “Zërin” ka thënë që kundërshtimet për heqjen e vizave për Kosovën vijnë nga shtetet ku ka më së shumti banorë nga Kosova. Gjermania, Holanda, Belgjika dhe Austria, sipas tij, janë shtetet që mund ta kundërshtojnë këtë proces. “Kundërshtimet më të mëdha vijnë nga ato vende ku Kosova ka mërgatën e vet, si në Gjermani, Francë, Austri, një pjesë e vendeve skandinave, Belgjikë e Holandë, pra në këto vende pritet të ketë reagim më shumë. Vlerësoj se këto vende kanë qenë edhe hezituese të deritanishme, dikush më zhurmshëm e dikush më pak, sido që të jetë ato kanë dhënë opinionin e vet, mirëpo qëndrimin e tyre ende nuk e dimë”, ka thënë Ujkani. 

Ai është shprehur pesimist se liberalizimi mund të ndodhë këtë vit. “Procesi i liberalizimit të vizave ka hyrë në një fazë shumë kritike me arsyetimin se tanimë kemi një qëndrim të disa prej shteteve anëtare të BE-së, të cilat kanë qenë mbështetëse të Kosovës gjithmonë, por në këtë pikë nuk janë të sigurt nëse do ta votojnë ose jo çështjen e liberalizimit të vizave. Por institucionet tona duhet të jenë të matura në veprimet e veta karshi Bashkimit Evropian, por edhe karshi shteteve anëtare. Duhet të kuptohet një gjë se jemi në një fazë shumë sensitive”, ka theksuar ai. 

Ai po ashtu ka thënë që problemet e shumta që ka BE-ja në këtë fazë e bëjnë edhe më të komplikuar procesin e heqjes së vizave për Kosovën.

Vasolli: Procesi i heqjes së vizave mund të shtyhet deri në 2020-n

Kurse njohësi i procesit të integrimit, Besnik Vasolli, ka thënë për “Zërin” që përderisa procesi për heqjen e vizave është në fazën përfundimtare, nëse nuk hyn këtë vit në agjendë të Këshillit të Ministrave, atëherë sipas tij kjo gjë rrezikon të shtyhet deri në vitin 2020. “Procesi i liberalizimit të vizave është në stadin përfundimtar. Unë pres dhe shpresoj që në dhjetor do të diskutohet çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe që do të merret një vendim pozitiv. Por opsioni i dytë është që vendimi të merret në mars të vitit 2019 dhe të hyjë në fuqi në maj, kur edhe përfundon mandati i Parlamentit Evropian. Nëse shkohet me këtë opsion, atëherë kam frikë që disa deputetë në Parlamentin Evropian mund të jenë më skeptikë shkaku i fushatës politike që ata veç do ta zhvillojnë në atë kohë”, ka thekusar Vasolli.

Sipas tij, opsioni tjetër me rrezik për këtë proces është që vendimmarrja për heqjen e vizave të shtyhet pas zgjedhjeve të reja në Parlament Evropian. “Opsioni tjetër, aspak i favorshëm, është që vendimmarrja të shtyhet deri pas zgjedhjeve në maj. Duke pasur parasysh kohën e nevojshme për konsolidim të institucioneve të reja pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, atëherë ekziston një drojë e bazuar që procesi i liberalizimit të vizave në Kosovë të ndodhë tek në vitin 2020. Sido që të jetë, ky është një proces shumë politik dhe ne mund të ndikojmë shumë pak”, ka thënë ai. 

Vasolli më tutje ka vlerësuar se është pozitive që janë duke u zhvilluar takime lobuese anembanë BE-së, si dhe që fushata vetëdijsuese për këtë proces është duke ndodhur. “Ajo çka ne duhet të vazhdojmë të bëjmë është të sigurohemi që zbatimi i kritereve të vazhdojë të jetë prioritare për ne, është shumë me rendësi që numri i migruesve jo të rregullt të bjerë edhe më tutje dhe të vazhdohet me ritëm të njëjtë riatdhesimi i atyre që janë në listë për t’u rikthyer në Kosovë”, ka thënë ai. 

Skepticizmi për heqjen e vizave është rritur

Taulant Kryeziu, kryetar i Bordit Ekzekutiv të Institutit EPIK, ka thënë që pas votimit të Parlamentit Evropian për çështjen e vizave të Kosovës skepticizmi i shteteve anëtare të BE-së është rritur. “Kur e përmendim Gjermaninë, Holandën dhe Francën, e dimë skepticizmin e tyre duke u bazuar në votimin e tyre në Parlamentin Evropian, kur u është dhënë mandati përfaqësuesve të komitetit LIBE që të fillojnë dialogun me shtetet anëtare të BE-së. Tash skepticizmi është rritur dhe ky numër është ngritur në 10 ose 12 shtete, kjo e vë në pikëpyetje atë që vendimmarrja mund të ndodhë sivjet”, ka thënë Kryeziu. 
Sipas tij, në rritjen e skepticizmit të këtyre vendeve ka ndikuar mospërparimi në fushën e sundimit dhe të ligjit në Kosovë. “Njëri element që ka ndikuar në rritjen e skepticizmit te këto shtete është regresi në sundimin e ligjit, gjë që është konfirmuar edhe nga Zyra e BE-së, edhe nga Gjermania. Pra, vendet kryesore po thonë që luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit lidhet me vullnetin politik të këtyre shteteve, pra kjo ka ndikuar që këto shtete të hezitojnë për këtë proces, sepse ne në vend që të kontribuojmë për mirë kemi kontribuar negativisht”, ka potencuar ai. 

Ndërsa duke folur për 5 shtetet të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Kryeziu ka thënë që këto vende mosnjohëse nuk e kanë fuqinë bllokuese në procesin e liberalizimit të vizave, sepse pakica bllokuese nënkupton 4 shtete që përfaqësojnë 35% të popullsisë së BE-së e këto 5 vendet mosnjohëse nuk përbëjnë këtë përqindje./ZËRI