Kushtetuesja tejkalon afatin për t’iu përgjigjur Thaçit

Aktuale November 17, 2018 - 07:52
Lexo tjera detaje
Image

Gjykata Kushtetuese para dy muajsh ka pranuar kërkesën e presidentit Hashim Thaçi për të sqaruar nëse marrëveshjet e nënshkruara nga kreu i shtetit duhet t’i nënshtrohen ratifikimit në Kuvend ose jo. Njohësit e çështjeve juridike thonë se Kushtetuesja ka tejkaluar afatet për ta shqyrtuar këtë lëndë. Ata gjithashtu thonë se Thaçi shpreson që gardiania e Kushtetutës do t’ia mundësojë ta anashkalojë Kuvendin për marrëveshjen me Serbinë, shkruan sot Gazeta "Zëri".                                                         

Para më shumë se dy muajsh presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që ta bënte interpretimin e Nenit 18 të Kushtetutës, në të cilin thuhet se marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen me dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Me këtë rast kreu i shtetit kishte kërkuar nga Kushtetuesja që të saktësonte nëse marrëveshjet e tilla konsiderohen të ratifikuara në momentin që nënshkruhen nga presidenti ose duhet të kalojnë edhe në Kuvend që të votohen me 2/3-at e votave të deputetëve. Megjithëkëtë, Gjykata Kushtetuese ka tejkaluar tashmë afatin kohor të përcaktuar me Rregulloren e Punës së Gjykatës Kushtetuese, duke mos dalë ende me një interpretim rreth kësaj çështjeje. Pavarësisht kësaj, nga Kushtetuesja i kanë thënë gazetës se vendimi mbi kërkesën e kreut të shtetit do të merret pas shqyrtimit të të gjitha aspekteve kushtetuese të çështjes së parashtruar. Ndërkaq ekspertët e sistemit të drejtësisë konsiderojnë se pas tejkalimit të afatit kohor Kushtetuesja duhet ta njoftojë publikun nëse ka kërkuar kohë shtesë për ta trajtuar çështjen në fjalë.

Kushtetuesja: Vendimi, brenda një afati të arsyeshëm kohor

Të pyetur nëse është shqyrtuar kërkesa e presidentit të shtetit lidhur me interpretimin e Nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës, nga Gjykata Kushtetuese kanë thënë se kjo kërkesë ende është në proces të shqyrtimit. “Kjo kërkesë është ende në fazën e shqyrtimit”, thuhet shkurt në përgjigjen e Gjykatës dhënë “Zërit”.

Në këtë përgjigje më tej bëhet e thuhet se Kushtetuesja do të marrë vendim pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet e çështjes së parashtruar. “Vendimi do të merret brenda një afati të arsyeshëm kohor, pasi që Gjykata t’i shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese të çështjes së parashtruar në kërkesë”, potencohet më tutje.

Miftaraj: Gjykata duhet ta njoftojë publikun nëse ka kërkuar kohë shtesë

Ndërkaq teksa ka folur rreth kësaj çështjeje, Ehat Miftaraj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se Gjykata Kushtetuese mund ta njoftojë parashtruesin e kërkesës për vendimin e marrë brenda 15 ditëve. “Rregullorja e Punës së Gjykatës Kushtetuese në rregullin 68 ka përcaktuar se në rastet kur Kuvendi i Kosovës, presidenti i Republikës së Kosovës dhe Qeveria si palë të autorizuara ngrehin çështjet nga Neni 113, paragrafi 3 i Kushtetutës së Kosovës, Sekretariati i Gjykatës Kushtetuese mund të njoftojë autoritetin që ka paraqitur kërkesën brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga data e njoftimit, përveç nëse tregohet arsye e mirë për një kohë më të gjatë dhe nëse zgjatja përkatëse miratohet”, ka deklaruar ai.

Rrjedhimisht, siç Miftaraj është shprehur, afati i Kushtetueses për të dalë me një përgjigje rreth kërkesës së parashtruar tashmë ka kaluar. “Në këtë drejtim afati i përcaktuar nga vetë Gjykata Kushtetuese tanimë ka kaluar dhe sigurisht se kjo gjykatë duhet ta njoftojë publikun nëse ka kërkuar kohë shtesë për ta trajtuar një çështje të tillë”, ka potencuar ai gjatë një përgjigjeje për “Zërin”.

Tendenca e presidentit për ta anashkaluar Kuvendin

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi ka konsideruar se kërkesa që ka parashtruar kreu i shtetit në Gjykatë Kushtetuese është jashtë çdo logjike.

Kjo pasi, sipas tij, shteti i Kosovës nuk duhet në asnjë rrethanë të ndërlidhet me vetëm një person. “Ky vend nuk do të duhej të varej prej një individi, kushdo qoftë ai dhe nuk do të kishte kuptim që të kishte Kuvend të Kosovës dhe institucione të tjera. Pra, kërkesa është shumë e padrejtë, shumë e dëmshme dhe krejt absurde dhe si e tillë duhet të hidhet si e papranueshme”, është shprehur ai.

Kurteshi më tutje ka thënë se Kushtetuesja nuk mund të dalë me një interpretim që ia lejon presidentit ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në mënyrë të pavarur.

Sipas tij, kërkesa e presidentit, e cila i është drejtuar Gjykatës, ka të bëjë kryekëput me qëllimin për ta mënjanuar rolin e Kuvendit, si dhe për ta arritur marrëveshjen finale me Serbinë, duke i realizuar projektet e Serbisë. “S’ka asnjë arsye tjetër pos të anashkalohet Kuvendi i Kosovës dhe të realizohen projektet e Serbisë. Projekt i Serbisë është për ndryshim kufijsh, por unë besoj që në këtë vend ka mjaft njerëz që u intereson e ardhmja e këtij vendi, statusi i këtij vendi dhe nuk e lejojnë këtë”, ka potencuar deputeti i Vetëvendosjes.

Ndërkohë, vetë presidenti Thaçi para pak ditësh ka kërkuar mbështetje nga përfaqësuesit evropianë që të ndihmojnë në finalizimin e marrëveshjes finale me Serbinë para se të mbahen zgjedhjet brenda BE-së (në maj). Një deklaratë e tillë nga kreu i shtetit është bërë teksa Thaçi është duke pritur përgjigje nga Gjykata Kushtetuese mbi ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare tash e më shumë se dy muaj.

Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, kompetencë e Kuvendit

Gjersa ka folur rreth kërkesës së kreut të shtetit, Ehat Miftaraj ka thënë se Kushtetuta e Kosovës ka përcaktuar qartë se Kuvendi i Kosovës është i vetmi autoritet në Kosovë që  me votat e 2/3-ve të të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për çështje që lidhen me territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake; të drejtat dhe liritë themelore; anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Republikës së Kosovës.

Andaj, sipas tij, çdo tejkalim i kësaj praktike çon drejt shkeljes së parimeve bazë të Kushtetutës së vendit. “Kompetencat e lartpërmendura në bazë të Kushtetutës mund të ushtrohen vetëm nga sovrani përmes përfaqësuesve të saj në Kuvendin e Kosovës, andaj çdo tejkalim i kësaj praktike përbën shkelje të parimeve themeltare të Kushtetutës së Kosovës”, ka nënvizuar ai.

Ndërkohë, edhe njohësi i çështjeve kushtetuese Mazllum Baraliu ka vlerësuar se Neni 18 i Kushtetutës tregon qartazi se marrëveshjet ndërkombëtare duhet të kalojnë nëpër duart e deputetëve për t’u konsideruar të ratifikuara. “Ajo që mund të thuhet krahas kësaj është se në atë nen, mbi të cilin është bazuar presidenti, shkruan qartë se si dhe kur duhet të nënshkruhen marrëveshjet ndërkombëtare. Marrëveshjet ndërkombëtare nënshkruhen atëherë kur miratohen në Kuvend, pra Kuvendi duhet t’i ratifikojë”, ka nënvizuar Baraliu.