Daut Haradinaj: Edhe vetë Hashim Thaçi do të heq dorë nga ideja e shkëmbimit të territoreve

Aktuale November 16, 2018 - 22:12
Lexo tjera detaje

Sonte i ftuar në “Blic Interview” me Astrit Gashin, është ish- luftëtari i dalluar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe aktualisht deputeti i Kuvendit të Kosovës, Daut Haradinaj.

Ai në këtë intervistë ka thënë se Kuvendi i Kosovës nuk do të lejoj ndarjen e Kosovës.

“Jam i bindur që deputetët do të jemi unik kundër një shkëmbimi të territoreve”, ka thënë ai, raporton Gazeta Blic.

Madje, sipas tij, deputetët edhe janë betuar që do ta mbrojnë Kosovën. “Dhe do të jemi kujdestarë të mbrojtjes së vendit”, tha ai.

Hardinaj ka thënë se shpreson që kjo temë fare mos të jetë në tavolinën e bisedimeve.

“Mirëpo, nëse shkëmbimi i territoreve do të jetë në tavolinën e bisedimeve, unë do të jem kundër dhe nuk do ta jap votën për”, tha ai, në “Blic Interview” me Astrit Gashin.

Daut Haradinaj ka theksuar se të gjitha partitë politike në Kosovë janë kundër shkëmbimit të territoreve.

Ai ka thënë se edhe vetë Hashim Thaçi do ta kuptoj se kjo është një ide që nuk është e mundur të realizohet dhe do të heq dorë nga këto ide, që ne i konsiderojmë që nuk janë në të mirën e Kosovës.

“Dhe nuk duhet të luhet me ndjenjat e qytetarëve të Luginës së Preshevës në këto raste, sepse edhe ne si deputet, por edhe si kauzë e të kaluarës, nuk po ndjehemi mirë kur edhe unë personalisht duhet të them se jam kundër bashkimit të Luginës së Preshevës. Ne nuk jemi kundër bashkimit me Luginën, por nuk jemi të gatshëm të japim territore, për të cilat ne vetë e kemi shpallur pavarësinë me 17 të vitit 2008”, tha Haradinaj.

Sipas tij, deputetët duhet të jenë kujdestar të asaj deklarate të pavarësisë dhe të Kushtetutës.