Kryeredaktori i Gazetës 'Zëri' Lavdim Hamidi fiton Çmimin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Aktuale November 16, 2018 - 12:21
Detajet

Kryeredaktori i gazetës “Zëri”, Lavdim Hamidi, është shpërblyer sot në Tiranë me çmimin e përvitshëm “Vangjush Gambeta”, i cili ndahet nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

Juria profesionale e ka vlerësuar lart profesionalizmin gazetaresk në storjen hulumtuese, të botuar nga Hamidi në gazetën “Zëri” me titull: “Sheikët e Shipitullës”, ku bëhet fjalë për keqpërdorimin e miliona eurove të buxhetit të Kosovës me rastin e shpronësimit të pronave private në Hade dhe në Shipitullë (Obiliq) për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Hamidi në shkrimin e tij ka argumentuar se si kostoja e shpronësimit në Shipitullë brenda një periudhe të shkurtër kohore u pesëfishua, përkatësisht nga 4.5 milionë euro në mbi 25 milionë euro.

Nëpërmjet këtij hulumtimi gazetaresk dëshmohet në mënyrë të dokumentuar keqpërdorimi i madh  financiar nga ky proces i shpronësimit dhe njëkohësisht shpërfaqen ndërtimet e cilësisë shumë të ulët që ishin bërë nga banorët vetëm për të realizuar përfitime maksimale financiare nga buxheti i kompanisë publike.

Me rastin e pranimit të këtij çmimi, Hamidi ka deklaruar se ky është një rast tipik i keqpërdorimit të buxhetit të varfër të Kosovës, ku shumë banorë të papërgjegjshëm dhe të lidhur me strukturat politike përfituan shuma të mëdha të parave, përderisa institucionet e drejtësisë sikur e kanë amnistuar një keqpërdorim të tillë milionësh.

Hamidi është njëri nga gazetarët kosovarë më të shpërblyer për punën gazetareske, duke fituar disa çmime vendore e ndërkombëtare në gazetari. 

- Në vitin 2008 ai kishte fituar çmimin e parë në garën për Bursë Ballkanike, në një ceremoni të organizuar në Vjenë të Austrisë, të ndarë nga “Robert Bosch Stiftung”, “Erste Stiftung” dhe nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).

- Në vitin 2011 ai ka fituar çmimin vjetor për gazetari “Rexhai Surroi”, i cili ndahet nga kompania mediale “Koha”.

-  Në vitin 2012 Hamidi ka fituar Çmimin Special për Gazetari Hulumtuese nga UNDP-ja dhe nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit.

- Në vitin 2015 ai ka fituar çmimin e tretë për Gazetari Hulumtuese të ndarë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

- Ai ka fituar edhe Çmim Gazetaresk nga Zyra e Komisionit Evropian në Kosovës, etj.

Image

Image

Image

Image

Image