Hyseni: Anëtarësimi në INTERPOL ka qenë i sigurt vitin e kaluar

Aktuale November 16, 2018 - 09:29
Detajet

Lobimi për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL vazhdon të mbetet sekret nga Ministria e Punëve të Jashtme, pasi ky dikaster qeveritar që i prin procesit të anëtarësimit në organizatën më të madhe të policisë në botë nuk pranon të japë informata se cilat shtete janë pro e cilat janë kundër. Pavarësisht kësaj, zyrtarët qeveritarë dhe deputetët janë optimistë se më 20 nëntor Kosova do të anëtarësohet, shkruan sot gazeta "Zëri".

Pavarësisht këtyre Skender Hyseni, ish-ministër i Punëve të Brendshme dhe ish-drejtues i Ministrisë së Punëve të Jashtme, po ashtu ka thënë se këtë vit Kosova do ta ketë më vështirë për t’u bërë pjesë e INTERPOL-it.

 “Mund të jetë më vështirë sesa ka qenë vitin e kaluar për shkak se këtë vit është vetëm një aplikacion, është vetëm ky i Kosovës. Ndërkaq vitin e kaluar kanë qenë edhe dy aplikacione të tjera e pak a shumë votohej në pako. Ato dy vende, Palestina dhe Ishujt Solomo, janë pranuar, por për fat të keq Qeveria pati vendosur vitin e kaluar që ta tërhiqte aplikacionin”, ka deklaruar për “Zërin” Hyseni.

LEXO EDHE: Rruga sekrete drejt INTERPOL-it

Vitin e shkuar, sipas tij, Kosova i ka pasur votat e sigurta për t’u bërë anëtare e kësaj organizate.  Megjithëkëtë, sipas tij, se a do të pranohet Kosova sivjet ose jo varet nga puna që ka bërë Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Punëve të Brendshme gjatë këtij viti.

E pavarësisht deklarimeve të qeveritarëve, të cilët shprehen të vendosur se këtë muaj Kosova do të bëhet pjesë e INTERPOL-it, Hyseni ka vlerësuar se nuk mund të flitet me siguri të plotë rreth kësaj çështjeje.  

“Një vend i ri në INTERPOL pranohet me 2/3 e votave të anëtarëve të pranishëm në Asamble dhe që votojnë. Jo të gjithë janë të pranishëm. Ta zëmë nëse janë 120 në Asamble, nga 190 anëtarë sa ka, mjaftojnë 80 vota dhe Kosova pranohet. Mirëpo nuk mund të thuash me siguri kur votat nuk janë në dorën tënde, por janë në dorën e vendeve anëtare”, ka nënvizuar ish-udhëheqësi i MPB-së. /ZËRI