Ngecja me ushtrinë

Aktuale November 16, 2018 - 08:08
Ja kur pritet që të formohet ushtria
Image

Tri projektligjet që mundësojnë transformimin e misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision ushtarak ende nuk janë shqyrtuar nga komisionet parlamentare për t'u proceduar në seancë plenare. Pas votimit në lexim të parë të këtyre projektligjeve kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se miratimi i tyre do të ndodhë pas 20 nëntorit. Por shqyrtimi i projektligjeve për ushtrinë ka ngecur në komisione, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Para një muaji tri projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të vendit janë votuar në lexim të parë, por ende nuk dihet se kur kjo pako e projektligjeve do të procedohet në Kuvend për lexim të dytë. Projektligji për Ministrinë e Forcës, ai për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës janë duke u shqyrtuar ende në Komisionin për Mbikëqyrjen e FSK-së.

LEXO EDHE: Rruga sekrete drejt INTERPOL-it

Menjëherë pasi kjo pako ishte votuar në parim gjatë muajit tetor kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj qe deklaruar se leximi i dytë do të kalonte menjëherë pas 20 nëntorit. Porse, tash kur vetëm katër ditë na ndajë nga kjo datë, drejtues të Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së i kanë thënë gazetës "Zëri" se procedurat e shqyrtimit nuk kanë përfunduar ende. Ndërkohë pas përfundimit të procedurave në këtë Komision, projektligjet për ushtrinë do t’u kalohen komisioneve të përhershme parlamentare, të cilat do të kenë dy javë kohë për ta shqyrtuar pakon e projektligjeve për avancimin e misionit të FSK-së, shkruan tutje gazeta "Zëri".

 Pavarësisht kohës së limituar që ka mbetur, përfaqësuesit e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) janë shprehur të bindur se çështja e ushtrisë do të përmbyllet brenda këtij viti.

Pakoja e projektligjeve të ushtrisë, ende duke u shqyrtuar

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së, Haxhi Shala, ka bërë të ditur për “Zërin” se shqyrtimi i pakos së tri projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri nuk ka përfunduar ende.

 “Projektligjet tashmë janë kthyer nga seanca, janë sjellë në Komision, Komisioni është duke bërë punën e vet, ka krijuar grupin punues i cili është duke shikuar me radhë çdo ligj. Njëkohësisht grupi punues e ka edhe opinionin e deputetëve në seancë, edhe opinionin e qytetarëve pasi janë bërë dy lexime publike. Në bashkëpunim me Ministrinë e FSK-së është duke e kryer punën e vet”, ka deklaruar ai.

Me këtë rast Shala është shprehur optimist se grupi punues do ta përfundojë punën shumë shpejt.

 “Pas aprovimit të punës së grupit punues, atëherë ligjet i dërgohen komisioneve të përhershme, pra komisionet e përhershme brenda dy javëve duhet ta përfundojnë punën e tyre dhe në bazë të Rregullores t’ia kthejnë Komisionit dhe Komisioni menjëherë i procedon në Kryesi”, ka shtuar ai.

Por ani pse fillimisht ishte thënë se në nëntor do të mbahej leximi i dytë i projektligjeve, Shala ka thënë se nuk mund të dihet me saktësi se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

 “Se kur ndodh kjo, sa merr kohë, nuk e di. Nuk mund të themi një javë, dy javë, tri, katër ose pesë javë. Por sidoqoftë është në procedurë, procedurat janë duke u zbatuar dhe besoj që shumë shpejt do të përfundojë dhe do të procedohet në seancë për lexim të dytë”, ka theksuar ai, teksa është shprehur optimist se brenda këtij viti do të ndodhë leximi i dytë dhe do të përfundojë çështja e transformimit të FSK-së.  

Ndërkaq nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se projektligjet për ushtrinë do të dërgohen para deputetëve posa të vijnë në Kryesi nga komisioni përkatës. 

“Projektligjet janë në shqyrtim nëpër komisionet e Kuvendit dhe kur të përfundojë shqyrtimi në komisione, protokollohen dhe ndoshta nuk do të ketë nevojë që të ketë diskutim publik. Por sidoqoftë varet nga Ministria e FSK-së, nga Qeveria, se a do të organizojë dëgjim publik”, është shprehur ai.  

Megjithëkëtë para leximit të dytë, sipas Halitit, duhet që fillimisht të rregullohen disa çështje. 

“Janë disa çështje që kanë të bëjnë me buxhetin, kanë të bëjnë me raportet tona që i kemi me NATO-n. Nuk jam shumë i sigurt se cilat do të jenë përgjigjet sa i përket kësaj çështjeje. Në njërën mënyrë ose në tjetrën ne duhet t’i konsultojmë”, ka shtuar ai. 

Ramadani: Çështja e ushtrisë përmbyllet gjatë këtij viti

Në anën tjetër zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani, ka thënë se transformimi i FSK-së në ushtri tashmë e ka mbështetjen e të gjitha shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. 

“Është një mbështetje gjithëpërfshirëse, respektivisht shtetet që e njohin Kosovën e mbështesin tranzicionin legjitim dhe gradual të FSK-së. Është një koordinim jashtëzakonisht i detajuar, një mbështetje jashtëzakonisht e fuqishme për tranzicionin legjitim dhe gradual të FSK-së. Si i tillë, ky proces vazhdon me saktësi dhe pa asnjë problem”, ka nënvizuar Ramadani.  

Ai më tej është shprehur i vendosur se transformimi i FSK-së në ushtri do të finalizohet përgjatë vitit 2018. 

“Besoj që kjo është çështje e cila do të përmbyllet sivjet, sipas procedurës së rregullt parlamentare, sepse ne si Qeveri nuk kemi kërkuar procedurë urgjente parlamentare, sepse kjo çështje meriton debatin profesional të deputetëve të të gjitha subjekteve politike, pastaj siç kemi parë ka pasur angazhim edhe me dëgjimet publike, qoftë në Prizren, qoftë në Graçanicë. Në përgjithësi pres që leximi i dytë, respektivisht përmbyllja dhe hyrja në fuqi e këtyre ligjeve të ndodhë gjatë këtij viti”, ka theksuar ai.  

Kurse njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri ka thënë se pakoja e projektligjeve për transformimin e FSK-së do të votohet njëzëri edhe në leximin e dytë sikurse kishte ndodhur në leximin e parë gjatë muajit të kaluar. Por sipas Tahirit, transformimi i FSK-së në ushtri merr kohë deri në 10 vjet. Sipas tij, përgjatë kësaj kohe ka mundësi që edhe Kushtetuta e Kosovës të ndryshohet dhe aty të përfshihet edhe çështja e ndryshimit të emrit të ushtrisë. 

Por aktualisht, siç ai është shprehur,  është vendosur që  transformimi i FSK-së të bëhet me ndryshime ligjore. Përmes ndryshimeve ligjore FSK-së vetëm i avancon misioni, porse emri nuk i ndryshon, i mbetet po ai i njëjti që ka aktualisht. Porse me kalimin e viteve, sipas Tahirit, FSK-ja do të shndërrohet përfundimisht në ushtri, pa i prishur fare marrëdhëniet me NATO-n.