Rruga sekrete drejt INTERPOL-it

Aktuale November 16, 2018 - 07:58
Detajet
Image

Marigona Brahimi

Lobimi për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL vazhdon të mbetet sekret nga Ministria e Punëve të Jashtme, pasi ky dikaster qeveritar që i prin procesit të anëtarësimit në organizatën më të madhe të policisë në botë nuk pranon të japë informata se cilat shtete janë pro e cilat janë kundër. Pavarësisht kësaj, zyrtarët qeveritarë dhe deputetët janë optimistë se më 20 nëntor Kosova do të anëtarësohet, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ndonëse tash e disa muaj përfaqësuesit e Qeverisë po shprehen të bindur se Kosova do të anëtarësohet në INTERPOL në fillim të javës së ardhshme, ende nuk është bërë e ditur se cilat shtete mbështesin e cilat kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

LEXO EDHE: Përplasjet Thaçi - Haradinaj çojnë në zgjedhje

Ministria e Punëve të Jashtme po heziton të japë të dhëna konkrete sa i përket lobimit për pranim në INTERPOL ani pse kanë mbetur edhe pak ditë deri te votimi. Deri më tani disa shtete të rëndësishme janë deklaruar pro anëtarësimit të Kosovës, madje përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara u kanë bërë thirrje shteteve tjera që ta mbështesin Kosovën në këtë proceS. 

Porse në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, e cila do të mbahet më 18-21 nëntor në Emiratet e Bashkuara Arabe, duhet që dy të tretat e vendeve anëtare që janë të pranishme të votojnë pro në mënyrë që Kosova të bëhet përfundimisht anëtare e organizatës më të madhe të policisë ndërkombëtare.

Ndërkohë edhe vitin e kaluar Kosova kishte aplikuar për t’u bërë pjesë e organizatës në fjalë, por pak ditë para votimit kishte tërhequr kërkesën për anëtarësim. Një vendim të tillë kryeministri Ramush Haradinaj e pati arsyetuar duke pohuar se nuk ishin votat e nevojshme për t’u bërë pjesë e INTERPOL-it.

MPJ-ja nuk jep detaje rreth lobimit

Pavarësisht se nuk ka mbetur as edhe një javë deri te votimi i kërkesës së Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL, Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka pranuar në asnjë formë që të japë detaje rreth shteteve të cilat do ta mbështesin Kosovën dhe as për procesin në tërësi.  

Gazeta “Zëri” ka provuar të marrë një qëndrim nga Ministria e Punëve të Jashtme lidhur me këtë çështje, porse askush nga ky dikaster nuk ka pranuar të përgjigjet.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, ka thënë shkurt për gazetën se çdo deklarim rreth kësaj çështjeje i sjell dëm procesit në fjalë. “Jemi para Asamblesë së Përgjithshme dhe çdo prononcim yni mund ta dëmtojë procesin duke e parë betejën që po e bën Serbia kundër nesh”, ka deklaruar shkurt Vuniqi.

MPB-ja, e bindur se Kosova do të bëhet pjesë e INTRPOL-it

Pavarësisht kësaj zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj, ka thënë se kjo Ministri ka bërë punë të jashtëzakonshme sa i përket anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL. Andaj ai është shprehur i bindur se Kosova do të bëhet pjesë e kësaj organizate.

“Besoj shumë që do ta marrim një lajm të mirë me 20 nëntor, faktikisht më 21 nëntor”, ka theksuar ai gjatë një bisede për “Zërin”.

Ndërkohë i pyetur nëse MPB-ja ka ndonjë listë të shteteve që përkrahin anëtarësimin e Kosovës, Xhemajlaj ka thënë se nuk ekziston një listë e tillë. “Jo, nuk kemi. Por edhe nuk është për t’u dhënë, sepse ka kohë edhe disa ditë dhe nuk ka nevojë të publikohet. Edhe mediet duhet të na kursejnë. E di që është në interes të medieve, por duhet të na kursejnë”, ka theksuar ai.

Hyseni: Anëtarësimi në INTERPOL ka qenë i sigurt vitin e kaluar

Pavarësisht këtyre Skender Hyseni, ish-ministër i Punëve të Brendshme dhe ish-drejtues i Ministrisë së Punëve të Jashtme, po ashtu ka thënë se këtë vit Kosova do ta ketë më vështirë për t’u bërë pjesë e INTERPOL-it.

“Mund të jetë më vështirë sesa ka qenë vitin e kaluar për shkak se këtë vit është vetëm një aplikacion, është vetëm ky i Kosovës. Ndërkaq vitin e kaluar kanë qenë edhe dy aplikacione të tjera e pak a shumë votohej në pako. Ato dy vende, Palestina dhe Ishujt Solomo, janë pranuar, por për fat të keq Qeveria pati vendosur vitin e kaluar që ta tërhiqte aplikacionin”, ka deklaruar për “Zërin” Hyseni.

Vitin e shkuar, sipas tij, Kosova i ka pasur votat e sigurta për t’u bërë anëtare e kësaj organizate.  Megjithëkëtë, sipas tij, se a do të pranohet Kosova sivjet ose jo varet nga puna që ka bërë Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Punëve të Brendshme gjatë këtij viti.

E pavarësisht deklarimeve të qeveritarëve, të cilët shprehen të vendosur se këtë muaj Kosova do të bëhet pjesë e INTERPOL-it, Hyseni ka vlerësuar se nuk mund të flitet me siguri të plotë rreth kësaj çështjeje.

 “Një vend i ri në INTERPOL pranohet me 2/3 e votave të anëtarëve të pranishëm në Asamble dhe që votojnë. Jo të gjithë janë të pranishëm. Ta zëmë nëse janë 120 në Asamble, nga 190 anëtarë sa ka, mjaftojnë 80 vota dhe Kosova pranohet. Mirëpo nuk mund të thuash me siguri kur votat nuk janë në dorën tënde, por janë në dorën e vendeve anëtare”, ka nënvizuar ish-udhëheqësi i MPB-së.

Skepticizmi brenda opozitës

Në anën tjetër anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme, Fatmir Xhelili (PDK), ka thënë se institucionet e Kosovës kanë punuar mjaft shumë rreth anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

“Institucionet e Kosovës, të gjitha segmentet dhe instrumentet e shtetit, posaçërisht Policia ka punuar me përkushtim, ka arritur që të jetë një polici e besueshme, një polici që zbaton rend e ligj dhe një polici që është e besueshme për të hyrë në raporte kontraktuale dhe në partneritet me policitë e tjera”, është shprehur ai.

Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL sipas Xhelilit do të shkonte edhe në interesin e vet organizatës dhe të shteteve anëtare.

“Edhe ashtu Policia jonë ka raporte kontraktuale edhe me shumë polici të shteteve në rajon dhe në Evropë, mirëpo normalisht që anëtarësimi në INTERPOL do ta krijonte edhe një hapësirë më të volitshme që Policia jonë të jetë pjesë integrale e policive botërore dhe do të ishte një interes i dyanshëm, edhe për INTERPOL-in, edhe për shtetet anëtare, edhe për Policinë tonë”, ka theksuar ai. 

Në anën tjetër anëtari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Dukagjin Gorani (PSD), ka thënë se shpreson që Kosova të ketë sukses në këtë çështje, megjithatë ai është shprehur skeptik nëse Kosova do t’ia dalë të bëhet pjesë e INTERPOL-it.

Sipas Goranit, Kosova ende nuk është mjaftueshëm e përgatitur për t’u futur në INTERPOL.

“Çfarë mund të them është që ky proces është mjaft problematik dhe shpresoj që do të ketë sukses, por duket që përgatitjet nga ana e Kosovës nuk kanë qenë të mjaftueshme”, ka deklaruar Gorani.

Pavarësisht tij, njohësi i çështjeve të sigurisë Avni Ismali është shprehur optimist se Kosova do të bëhet pjesë e INTERPOL-it përgjatë këtij muaji. “Kam besim të plotë që më datë 20 të këtij muaji Kosova do të anëtarësohet në INTERPOL dhe kësaj radhe Policia e Kosovës do të bëhet e barabartë me të gjitha policitë e tjera”, ka potencuar Islami. /ZERI