Jepet versioni si arriti i kërkuari Gruevski të kalojë përmes Shqipërisë në Hungari

Aktuale November 15, 2018 - 18:41
Lexo Detajet

Policia e Shtetit në Shqipëri ka dhënë një sqarim zyrtar, për mënyrën se si ish-kryeministri i Maqedonisë Nikol Gruevski, arriti t'i shpëtoj drejtësisë në shtetin e tij duke kaluar përmes kufirit shqiptar.

Ndaj Gruevskit është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, por Policia shqiptare thotë se Interpol Shkupi i ka dërguar Interpol Tiranës njoftimin për shpalljen në kërkim, më datë 13 nëntor. ndërkohë, Gruevski ka kaluar përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit, më datë 11 nëntor, ditë kur siç thotë Policia, ndaj Nikola Gruevskit nuk ka pasur asnjë njoftim në kufi se ai është person i shpallur në kërkim. Autoritetet maqedonase lëshuan fletë-arrestin për të më 12 Nëntor pasi ai nuk u paraqit vullnetarisht për vuajtjen e dënimit me dy vjet burg për shkak të një vepre penale.

Burime nga policia thonë se Gruvski ka hyrë në territorin shqiptar përmes kufirit të gjelbër, pasi nuk rezulton i regjistruar në sistemin TIMS. Ai ka dalë më tej nga Shqipëria përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit, me një makinë të ambasadës hungareze në Tiranë, me targë  CD1013A. Më tej, nga Mali i Zi ai ka shkuar në Hungari ku edhe ka kërkuar strehim politik nga autoritetet atje.

Mbi Gruevskin rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës gjatë blerjes për nevojat e qeverisë të një “Mercedesi” në vlerë rreth 600 mijë euro. Nikolla Gruevski u dënua nga Gjykata për keqpërdorim të detyrës zyrtare me vendim të plotfuqishëm me dy vjet burg. Përveç kësaj, Gruevski gjykohet për katër akuza të tjera penale.

Reagimi i Policisë të Shqipërisë

Departamenti  i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit duke iu përgjigjur interesimit të meidas në lidhje me hyrjen  dhe daljen nga territori i Republikës së  Shqipërisë të shtetasit Nikola Gruevski,  ju informon se:

Shtetasi Nikola Gruevski më datë 11.11.2018, rreth orës ora 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin  me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë.

Në datën 11.11.2018 për shtetasin Nikola Gruevski nuk ka patur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim.

Interpol Shkupi në datë 13.11.2018, rreth orës  19.35 i ka dërguar Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas.