Hungaria e palëkundur në mbështetjen e Kosovës për vizat

Aktuale November 15, 2018 - 14:32
Detajet

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, tha sot se Hungaria mbetet një përkrahëse e përkushtuar e liberalizmit të vizave për Kosovën, raporton “Zeri.info”.

”Hungaria do të jetë përkrahëse e palëkundur për vizat për Kosovën, shpresoj që Këshilli i Ministrave të Evropës ta fusë në agjendë dhe Hungaria do të votojë pro liberalizmit”, tha ministri hungarez.

Në një konferencë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje për implementimin e projektit të Sistemit Inteligjent të Transportit, ministri i jashtëm hungarez tha se është e padrejtë se si Bashkimi Evropian sillet me Kosovën në çështjen e liberalizmit të vizave sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet që i janë vënë për liberalizim.

Tutje, ministri Szijjártó, tha se Hungaria e përkrah edhe dialogun e Kosovës me Serbinë për të cilin tha se çfarëdo që të jetë përfundimi i tij Hungaria do ta respektojë.

LEXO EDHE: Thaçi: Është krijuar pajtim global për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi

“Ne jemi përkrahës të plotë që ju të jeni të suksesshëm në përmbylljen e dialogut, ne do ta respektojmë sido që do ta mbyllni atë. Ne ndodhemi në afërsi të Ballkanit Perëndimor dhe e kuptojmë mirë çka do të thotë të ketë paqe në rajon”, u shpreh ministri hungarez.

Image

Ai shtoi se edhe Hungaria ka arritur një marrëveshje miqësore mjaft të vështirë me Serbinë dhe se ajo që mund të duket e pabesueshme sot, mund të jetë realitet nesër, raporton tutje “Zëri.info”.

Ndërsa Ministri I punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli falënderoi Hungarinë për përkrahjen që po i’a bën Kosovës në infrastrukturë por edhe në proceset e integrimeve evropiane.

“Un pata një bisedë shumë miqësore, konstruktive, biseduam edhe për dialogun edhe për integrimet e Kosovës dhe ju them se Hungaria qëndron fuqishëm pas nesh”, tha ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Sot Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar një marrëveshje me Hungarinë për

implementimin e projektit të Sistemit Inteligjent të Transportit, ky projekt është financuar prej qeverisë hungareze me një kredi të butë dhe kjo kredi përfshin edhe katër kontrata tjera për ujërat e zeza që janë në implementim e sipër.

Ministri I Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se Hungaria është zotuar se do ta ndihmojë Kosovën në fushën e infrastrukturës dhe trajtimit të ujërave të zeza.

“Edhe ne po ecim drejtë një standardi që e kanë pothuajse të gjitha shtet në Evropë dhe ky është një hap konkret në këtë drejtim”, tha Lekaj. /ZËRI