Takimi Thaçi - Putin, i konvenon Rusisë

Aktuale November 14, 2018 - 14:40
Lexo detajet!

Presidenti Hashim Thaçi në fillim të këtij viti kishte shkruar një editorial për Forumin Ekonomik Botëror, në të cilin kishte akuzuar Rusinë se po tenton ta rrënojë shtetin e Kosovës. Por pas vetëm dhjetë muajve, pasi ka takuar homologun e tij rus Vladimir Putin në Paris ai ka një qëndrim diametralisht të kundërt, duke thënë se Rusia do ta mbështesë marrëveshjen paqësore, i cili do të arrihet në mes të Kosovës e Serbisë, shkruan "Zëri". 

Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike, duke e komentuar takimin e presidentit Thaçi me homologun e tij rus ka thënë që ky takim i konvenon vetëm shtetit të Rusisë, por jo edhe Kosovës.

“Ky takim është bërë për interes të Rusisë, e cila e ka shfrytëzuar Kosovën me qëllim që t’i zgjidhë problemet që i ka brenda shtetit të vet”, ka thënë Mushkolaj për “Zërin”.

Ai ka shtuar se duhet të dihet arsyeja e vërtetë se pse Rusia po takohet me presidentin e një shteti që nuk e njeh dhe po tregohet “miqësore” me të.

“Ka një sërë pikëpyetjesh për këtë takim e që duhet të sqarohen ato, me qëllim që të kuptohet se në çfarë suazash është organizuar takimi, kush kanë qenë ndërmjetësuesit, pse pikërisht tani është zhvilluar ky takim dhe a ka pasur diskutim tjetër përpos asaj që na u është thënë nga presidenti Thaçi”, ka thënë ai. /ZERI