LDK e LVV: Kuvendi i bllokuar, vendi të shkojë në zgjedhje

Aktuale November 14, 2018 - 12:04
Lexo detajet!

Mungesa e numrave për koalicionin qeverisës në Kuvend ka bërë që seancat plenare të dështojnë në vazhdimësi gjatë kësaj legjislature e veçanërisht në këtë vit. Koalicioni qeverisës ka mbetur me vetëm 50 deputetë, ndërkohë që dy partitë opozitare,  LDK-ja e Vetëvendosja, marrin pjesë vetëm në seancat që ndërlidhen me proceset ndërkombëtare, shkruan "Zëri". 

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxheri, ka thënë për “Zërin” se legjislatura e tanishme e ka të vështirë ta vazhdojë punën në këtë formë. Sipas saj, koalicioni qeverisës nuk po mundet t’i votojë as ligjet e thjeshta në Kuvend.

“Kjo legjislaturë është e pamundur që të vazhdojë kështu. Njëkohësisht edhe të koalicionit qeverisës nuk kanë koordinim me subjektet politike dhe shihet qartë se ata nuk janë në gjendje të votojnë ligjet e thjeshta. Konsideroj se ata duhet t’i thërrasin ndërgjegjes dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ata duhet vetë të kërkojnë që ne të shkojmë në zgjedhje”, ka theksuar ajo.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë për “Zërin” se Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë të ketë probleme.

Sipas tij, koalicioni qeverisës duhet ta kuptojë se kështu nuk mund të funksionojë gjatë, prandaj vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Kuvendi ka pasur probleme të këtilla vazhdimisht. Edhe në të ardhmen mendoj që do të ketë probleme kjo qeveri që të funksionojë, prandaj edhe kërkesa e opozitës është që ata të kuptojnë se kështu nuk funksionohet dhe që të mundësojnë zgjedhjet e reja, mendoj që kjo është e drejtë”, ka deklaruar Kurteshi. /ZERI