Hoxha kërkon përkrahje për vizat nga Italia në votimin e Këshillit të Ministrave

Aktuale November 14, 2018 - 10:03
Lexo detajet!

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, po qëndron për vizitë zyrtare në Itali. 

Ajo ka takuar Nicola Molteni, zëvendës ministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Italisë me ç’rast diskutoi për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

Hoxha, në takim me Moltenin, theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për përmbushjen me sukses të 95 kushteve për liberalizim dhe pritshmërinë që pas përmbushjes së kritereve të kemi rezultatin e pritur e që është liberalizimi i vizave për qytetaret tanë.

“Emigrimi ilegal është hequr nga agjenda e institucioneve tona, ngase, nga viti 2015, kjo dukuri ka rënë në vlerat më të ulëta, aq sa shtetasit e Kosovës nuk gjenden as brenda 30 shteteve për kërkesat e parashtruara për azil në vendet e BE-së. Menaxhimi i azilit në vend si dhe riatdhesimit është për t’u vlerësuar, sepse, Kosova po zbaton jo vetëm marrëveshjet ndërkombëtare por edhe rekomandimet që dalin nga këto marrëveshje”, theksoi Ministrja Hoxha.

Ministrja kërkoi nga zëvendësministri Molteni, përkrahje në mbledhjen e  radhës së Këshillit të Ministrave, për t’u mundësuar lëvizjen e lirë qytetarëve tanë.

Hoxha po ashtu e vlerësoi lartë përkrahjen e Italisë, por, theksoi ajo, na duhet jashtëzakonisht shumë kjo përkrahje edhe në Këshillin e Ministrave që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë, ashtu, ata do të jenë edhe më afër por edhe pjesë e vlerave integruese, në procesin integrues euro-atlantik.