Dështimet e njëpasnjëshme

Aktuale November 14, 2018 - 07:40
Lexo detajet!
Image

Mungesa e numrave për koalicionin qeverisës në Kuvend ka bërë që seancat plenare të dështojnë në vazhdimësi gjatë kësaj legjislature e veçanërisht në këtë vit. Koalicioni qeverisës ka mbetur me vetëm 50 deputetë, ndërkohë që dy partitë opozitare,  LDK-ja e Vetëvendosja, marrin pjesë vetëm në seancat që ndërlidhen me proceset ndërkombëtare, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Shumica absolute e seancave në këtë legjislaturë janë ndërprerë në mungesë kuorumi, duke bërë që shumë ligje të mbesin pa u miratuar pasi po barten nga njëra seancë në tjetrën.

LEXO EDHE: Evoluimi i Thaçit - Rusia e keqe, Rusia e mirë!

Madje, kjo pritet të bëhet gjë e zakonshme tani kur koalicioni qeverisës ka mbetur me vetëm 50 deputetë pas me vendimin e Listës Serbe për të vepruar si opozitë në Kuvend si reagim ndaj vendosjes së taksës 10% për produktet serbe.

Në ndërkohë dy subjektet e mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, vazhdojnë t’i bojkotojnë seancat e Kuvendit.

Këto dy parti thonë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe marrin pjesë vetëm në seancat që ndërlidhen me proceset integruese ose me marrëveshjet ndërkombëtare.

Haliti: Nëse nuk ka kuorum institucionet duhet të dinë se çfarë do të bëjnë

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë për gazetën “Zëri” se në momentin që koalicioni nuk arrin të sigurojë kuorumin për të mbajtur seanca duhet që institucionet përgjegjëse të vendosin se si duhet të veprohet më tutje.

“Gjendja është në rregull derisa ka kuorum për të funksionuar, nëse nuk ka kuorum, atëherë është në duart e institucioneve kushtetuese që të vendosin se çfarë duhet të bëjnë. Kuvendi i Kosovës do të funksionojë siç ka funksionuar deri tani. Nëse ka shumicën e votave do të funksionojë, nëse nuk i ka do të thirret seanca për çështje që janë të dhëna për rend të ditës dhe do të pritet kur do të ketë numër të mjaftueshëm të deputetëve për të votuar. Opozita mund të vazhdojë të ushtrojë presion për interesat që i ka për çështjet që i kanë ngritur”, ka thënë ai.

Haliti po ashtu ka thënë se është mirë që opozita të qëndrojë në seanca dhe të diskutojë bashkë me pozitën. Sipas tij, deri tani pozitive ka qenë që opozita ka marrë pjesë së paku në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Unë po besoj që pushteti do të veprojë në përputhje me interesat jo vetëm të saj, por edhe çështjet që do t’i ngrejë opozita. Seancat duhet të mbahen edhe për debatet të cilat i dëshiron opozita, por duhet që edhe opozita të ketë parasysh që është mirë të qëndrojë në seanca dhe të luftojë në Parlament, sepse vetëm në Parlament lufta politike është e denjë”, ka shtuar Haliti.

LDK e LVV: Kuvendi i bllokuar, vendi të shkojë në zgjedhje

E deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxheri, ka thënë për “Zërin” se legjislatura e tanishme e ka të vështirë ta vazhdojë punën në këtë formë.

Sipas saj, koalicioni qeverisës nuk po mundet t’i votojë as ligjet e thjeshta në Kuvend.

“Kjo legjislaturë është e pamundur që të vazhdojë kështu. Njëkohësisht edhe të koalicionit qeverisës nuk kanë koordinim me subjektet politike dhe shihet qartë se ata nuk janë në gjendje të votojnë ligjet e thjeshta. Konsideroj se ata duhet t’i thërrasin ndërgjegjes dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ata duhet vetë të kërkojnë që ne të shkojmë në zgjedhje”, ka theksuar ajo.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë për “Zërin” se Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë të ketë probleme.

Sipas tij, koalicioni qeverisës duhet ta kuptojë se kështu nuk mund të funksionojë gjatë, prandaj vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Kuvendi ka pasur probleme të këtilla vazhdimisht. Edhe në të ardhmen mendoj që do të ketë probleme kjo qeveri që të funksionojë, prandaj edhe kërkesa e opozitës është që ata të kuptojnë se kështu nuk funksionohet dhe që të mundësojnë zgjedhjet e reja, mendoj që kjo është e drejtë”, ka deklaruar Kurteshi.

Haxhiu: Në Kuvend janë grumbulluar shumë projektligje të pashqyrtuara

Monitoruesja e Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Agnesa Haxhiu, ka thënë për “Zërin” se tashmë janë grumbulluar shumë projektligje dhe çështje të cilat kanë mbetur pa u shqyrtuar.

Sipas saj, që nga fillimi i këtij viti Kuvendi nuk ka arritur të funksionojë normalisht.

“Mosmbajtja e seancave me rregull vetëm sa i ka grumbulluar më shumë projektligjet dhe çështjet e tjera që Kuvendi i ka në agjendë për shqyrtim. Karakteristikë për këtë vit është numri i madh i projektligjeve të proceduara nga Qeveria, gjë për të cilën në legjislaturat e kaluara Kuvendi ka fajësuar ekzekutivin për mosprocedim të projektligjeve të parapara në agjendë. Për sesionin vjeshtor Kuvendi ka në procedurë të shqyrtimit deri më tani gjithsej 63 projektligje e që ky numër mund të rritet me projektligjet e tjera që Qeveria pritet t’i procedojë në Kuvend deri në fund të vitit”, ka thënë ajo.

Haxhiu është shprehur skeptike se deri në fund të vitit do të përmbushet e gjithë agjenda e Kuvendit.

“Nuk ka mbetur më shumë se një muaj deri në përfundim të këtij sesioni dhe përmbushja e kësaj agjende do të jetë shumë sfidë për Kuvendin në qoftë se do të vazhdojë të jetë në këtë nivel performanca e punës së tij. Andaj me shumë gjasa do të përsëritet praktika e njëjtë si çdo vit, bartja e projektligjeve nga një vit në tjetrin për shkak të mosshqyrtimit në kohën e paraparë. Kuvendi aktualisht ka çështje të diskutimit, që janë paraparë për shqyrtim që nga muaji qershor, por që nuk po arrijnë të marrin epilog për shkak të mungesës së kuorumit”, ka thënë ajo.

Sipas saj, nëse Kuvendi vazhdon të jetë i paorganizuar nuk do të ketë produktivitet në Kuvend.

“Kryesia e Kuvendit po vazhdon me praktikën e caktimit të seancave të reja ende pa përfunduar ato të vjetrat, gjë që sipas saj është duke shkaktuar kaos në mbarëvajtjen e punëve. Për më tepër, nëse Kuvendi vazhdon të jetë i paorganizuar sikurse në sesionin pranveror, pa një orar të rregullt të mbajtjes së seancave dhe të mbledhjeve të komisioneve parlamentare, nuk do të mundë të ketë produktivitet në punë”, ka shtuar Haxhiu.