Serbia në të gjitha ‘fronet’ mundohet të dalë kundër Ushtrisë së Kosovës

Aktuale November 13, 2018 - 21:55
Lexo tjera detaje

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, do të ‘luftojë’ me të gjitha forcat për ta parandaluar themelimin e ushtrisë së Kosovës.

Një ditë para se të mbahet seanca e radhës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka treguar se çfarë do të diskutojë në këtë mbledhje, transmeton lajmi.net.

Daçiq ka thënë se në KS të OKB-së, do të diskutojë për themelimin e ushtrisë së Kosovës dhe siç u shpreh ai, do të përdor të gjitha “forcat” kundër themelimit të saj.

Daçiq ka konfirmuar për “Sputnik”, se themelimi i ushtrisë së Kosovës është në kundërshtim me Rezolutën 1244.

“Unë do të argumentoj para të gjitha forcave më të mëdha të botës se themelimi i ushtrisë së Kosovës është në kundërshtim me Rezolutën 1244, rezolutë kjo që është miratuar nga Këshilli i Sigurimit”, deklaroi Daçiq, transmeton lajmi.net.

Daçiq po ashtu ka thënë se në mbledhjen e nesërme do ta paraqes edhe çështjen e ngritjes së taksës prej 10 për qind nga qeveria e Kosovës për mallrat serbe. Sipas tij, në KS të OKB-së, do të paraqes edhe të gjitha siç i i quajti ai, vendimet e njëanshme që janë bllokuar plotësisht nga Prishtina në dialogun që është duke u zhvilluar në Bruksel.

“Prishtina ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s duke ngritur taksë për mallrat e Serbisë. Prishtina po ashtu është duke lobuar për anëtarësim në INTERPOL, edhe pse nuk është anëtare e plotë e OKB-së. Të gjitha argumentet janë në anën e Beogradit, i cili i ka përmbushur të gjitha detyrimet e ndërmarra. Ne e repsektojmë plotësisht Rezolutën 1244, por edhe dialogun që po e zhvillojmë në Bruksel”, deklaroi kreu i diplomacisë serbe, Daçiq, i cili shtoi se, mbledhja e nesërme për të diskutuar për Kosovën është thirrur me iniciativë të Kinës.

Ndryshe në mbledhjen e nesërme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të diskutohet rreth raporti të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres mbi punën e UNMIK-ut në Kosovë.

Kujtojmë se seanca e kaluar në të cilën u diskutua për Kosovën është mbajtur më 18 maj të këtij vit. Që nga ajo kohë nuk është mbajtur më asnjë mbledhje sepse përfaqësuesit e tre shteteve më të mëdha në OKB, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, kërkuan që këto mbledhje çdo gjashtë muaj dhe jo çdo tre muaj siç ishin mbajtur zakonisht.