Agjensia Ruse: Takimi i Putin me Thaçi, i paplanifikuar

Aktuale November 12, 2018 - 19:18
Lexo Detajet

Kremlini zyrtar ende nuk ka bërë asnjë njoftim rreth takimit që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se e pati me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Agjencia ruse, ‘Tass’, në një shkrim të cilin e ka publikuar pas fotografisë që Thaçi e ka shfaqur me Putinin, shkruan se agjenda e Putinit për vizitën e tij në 11 nëntor në Paris përfshinte ngjarje të dedikuara për 100 vjetorin e Armistikës së Luftës së Parë Botërore, ndërkohë që nuk ishin planifikuar bisedime dypalëshe, transmeton Express.

Megjithatë, sipas ‘Tass’, Kremlini nuk përjashtoi që Putin të mbante takime të shkurtra me pjesëmarrësit e tjerë në festimet e Parisit.

Takime të tilla mund të bëhen veçanërisht gjatë një dreke pune në Pallatin Elysee.

Ndryshe, Presidenti Thaçi, gjatë orëve të para të pasdites të së hënës përmes një fotografie të postuar në Twitter, ka shkruar se me Putinin kanë biseduar rreth dialogut me Serbinë

"Në Paris u takova më presidentin Putin, u fokusuam në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme. Në këtë temë presidenti Putin ishte i qartë: Nëse Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë atë", ka shkruar Thaçi.