Për takimin e Thaçit me Putinin, Krasniqi i ka 7 pyetje

Aktuale November 12, 2018 - 17:24
Lexo Detajet

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka komentuar në faqen e tij në Facebook takimin që pati presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Krasniqi ka disa pyetje për presidentin Thaçi i cili shkroi se ka marrë përkrahjen e Putinit nëse “Serbia e Kosova arrijnë marrëveshje”.

“A e ka autorizuar Kuvendi i Kosovës, Kryetarin Thaçi për ketë çështje?”, “A mund t’ju besohet kjo çështje kaq e madhe dy kryetarëve të Kosovës e Serbisë?”, “Kush e garanton ketë Marrëveshje nga pala ndërkombëtare?”, janë disa nga pyetjet e ish-partiakut të Thaçit, tash pjesë e Nismës.

Postimi i plotë:

KRYETARI I KOSOVËS PASKA THËNË:

“Me presidentin rus Putin, u përqendruam për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme. Për këtë temë, Putini ishte i qartë. ‘Nëse ju (Kosova dhe Serbia) arrini marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë atë’”, citohet nga Thaçi t’i ketë thënë Putini.

Nga kjo dalin disa pyetje:

1. Kush duhet ta përgatitë atë marrëveshje?

2. A e ka autorizuar Kuvendi i Kosovës, Kryetarin Thaçi për ketë çështje?

3. A ka një dokument iniciues dhe kush e ka inicuar atë?

4. A mund t'ju besohet kjo çështje kaq e madhe dy kryetarëve të Kosovës e Serbisë?

5. Cilat janë shtyllat kryesore të kësaj Marrëveshjeje?

6. Kjo Marrëveshje a do të jetë definitive për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi?

7. Kush e garanton ketë Marrëveshje nga pala ndërkombëtare?