Ditët vendimtare për rrëzimin e Qeverisë

Aktuale November 12, 2018 - 16:34
Lexo Detajet

Mocioni për rrëzim të Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj më në fund mund të bëhet realitet. Krejt kjo falë votave që i ka ofruar opozitës Lista Serbe, pas vendimit për taksën prej 10 për qind. Nga opozita ende nuk e kanë të qartë a do të bashkohen me deputetët serbë, ndërkaq Thaçi në këtë rast qëndron në një linjë me ta. LDK-ja sot do të mblidhet për të vendosur rreth kësaj oferte, shkruan Gazeta Express.

E hëna pritet të jetë ditë e ngjeshur për partinë e Isa Mustafës. Kjo e  fundit sot do ta ketë barrën për të vendosur nëse do të bëhet bashkë me Listën Serbe për ta dërguar në shtëpi Qeverinë Haradinaj.

Lista Serbe ka bërë një ofertë joshëse për mocionin e paralajmëruar nga LDK-ja duke thënë se ia ofron 10 votat e saj për ta rrëzuar Qeverinë aktuale, njësoj siç kishin vepruar në kohën kur udhëhiqte Isa Mustafa.

 

E me Listën serbe në krah, partitë opozitare tashmë kanë numrat e nevojshëm pasi që këta dhjetë deputetë u deklaruan se do të përkrahin çdo përpjekje për ta dërguar në shtëpi Ramush Haradinajn.

Në një komunikatë thuhet se “serbët e Kosovës nuk mund dhe nuk duan të jenë peng i përfaqësuesve të papërgjegjshëm shqiptarë dhe luftës demagogjike dhe kapriçioze për mbijetesën e tyre politike”.

E në një linjë me ta po qëndron edhe i pari i shtetit Hashim Thaçi që pas këtyre deklaratave ka paralajmëruar një qeveri tjetër.

 

“Nëse Qeveria humb funksionalitetin do të ketë një ristrukturim të partnerëve qeverisës – rrjedhimisht një qeveri tjetër”, u deklaruar Thaçi.

Kjo nuk është hera parë që Presidenti ka kërcënuar Haradinajn me shkarkim, njësoj kishte vepruar edhe kur nuk ishin dakorduar me idenë për korrigjim të kufijve.

Mirëpo, ende paqartësi për këtë ofertë të Listës Serbe kanë opozita. Përderisa nga Lëvizja Vetëvendosje u treguan të prerë se nuk do të bashkëpunojnë me ta, partitë tjera ende nuk kanë vendim zyrtar.

Gazeta nga burimet e saj mëson se kjo ofertë ka joshur opozitën. Këta të fundit ende nuk e dinë se a do të përkrahin këtë vendim, mirëpo, sipas të gjitha gjasave për të rrëzuar qeverinë e Haradinajt do të vendosin vetëm pas mbledhjes së strukturave dhe vendosjes së një qëndrimi unik.

Është i pari, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa që ka thirrur kryetarët e degëve. Siç mëson Express në takimin që do të mbahet sot do të dilet me një qëndrim zyrtar për këtë çështje. Edhe pse nga partia nuk kanë pranuar të flasin duke thënë se kjo do të bëhet publike nga vetë Mustafa sapo të përfundojë takimi.

E pas LDK-së do të mbahet edhe kryesia e një partie tjetër.

Mediumi mëson se Alternativa do të mblidhet gjatë kësaj jave e aty do të diskutohet vendimi për mocion duke u ndihmuar nga Lista Serbe.

“Alternativa do të mbajë mbledhjen e Kryesisë gjatë kësaj jave për ta shqyrtuar këtë situatë”, konfirmoi për Express deputeti i kësaj partie, Ilir Deda.

Duke për folur për vendimin e Listës Serbe dhe për deklarimin e Thaçit, analisti Astrit Gashi tha se Thaçi është duke hasur në probleme të jashtëzakonshme të brendshme.

“Hashim Thaçi është duke hasur në problem të jashtëzakonshme të brendshme. As nuk është i kënaqur me mungesën e përkrahjes dhe me kundërshtimin e madh të qeverisë në krye me gjuhën e ashpër të Kryeministrit Haradinaj dhe as nuk është në të mirën e tij provokimi i zgjedhjeve. Thaçi frikësohet me të drejtë se shkuarja në zgjedhje do të vononte një marrëveshje me Serbinë, e në anën tjetër duke qenë jo i mbështetur nga Qeveria e tëra që ka në duar tani ta frikësohej atë”, u deklarua Gashi.

Sipas tij, po të dëshironte me të vërtetë Thaçi të rrëzonte Qeverinë do t’i ofronte votat e partisë që kishte udhëhequr dikur.

“Po t’i kishte në interes ai mund t’i ofronte opozitës votat e 6 deputetëve të tij në PDK dhe do të bënte një puç të rrëzimit të Qeverisë. Prandaj ai kryesisht përmes deklaratave e Listës serbe po e kërcënon Qeverinë dhe partnerët e tij të koalicionit duke shpresuar se kështu mund të ndërroj qëndrimin e tyre”, shton ai.

Kjo do të mbetet të shihet pasi që Gashi thotë se presidenti është duke luajtur lojën ngreh e mos këput sikurse në taksën e 10 përqindëshit, ndërkaq Lista Serbe me kërcënimet që është duke bërë po e mban të gjallë qeverinë dhe të ndarë opozitën në qëndrimin e saj për të rrëzuar qeverinë.

Gashi përfundon se përderisa Qeveria është e bllokuar, kuvendi i bllokuar dhe opozita gjithashtu, Kosova është shndërruar në mbretëri në të cilën sundon Thaçi.

Lista Serbe ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Ata janë Sasha Milosavljevic, Miljana Nikoliq, Zoran Mojsiloviç, Jasmina Zivkoviç, Jelena Bontiç, Verica Ceraniç, Igor Simiç, Slavko Simiç, Srdjan Mitroviç dhe Adem Hoxha.