Sveçla: Disa institucione po mundohen të fshehin të vërtetën për gylenistët

Aktuale November 12, 2018 - 15:58
Detajet

Sapo ka përfunduar raportimi i ish drejtorit të policisë, Shpend Maxhuni I cili gjatë ditës së sotme u intervistua nga Komisioni Hetimor për dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi raporton “Zeri.info”.

Lidhur me këtë takim ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveqla i cili ka thënë që në disa raste gjatë hetimit është munduar të fshihet e vërteta nga institucionet e vendit të përfshira në këtë rast. Ai theksoi se gjatë mbledhjes së materialeve është vërejtur tendenca për të fshehur informatat mbi këtë rast.

“Është e vërtetë që kemi mangësi në dokumentacion, e kemi kuptuar që disa nga institucionet nuk na kanë dhënë gjithë materialin apo informatat që ata kanë, mirëpo ne në ndërkohë po plotësojmë materialet dhe po bëjmë kërkesa shtesë e disa prej tyre po i bëjmë duke i intervistuar bartësit e këtij procesi siç ishte rasti i sotëm”, tha Sveqla pas takimit.

LEXO EDHE: Kurti: Ne nuk jemi kundër popullit serb

Svelqa gjatë deklaratës së tij ka thënë që tashmë komisioni hetimor për rastin e gylenistëve tashmë i dinë iniciatorët e asaj çfarë ka ndodhur mirëpo një gjë e tillë sipas tij ka mbetur që të dëshmohet.

Ndërkohë ai nuk ka pranuar të jap detaje se cilat institucione po i fshehin informatat e tyre.

“Përderisa jemi në kërkim të këtyre informatave nuk do kisha thënë se cili institucion cilën informatë nuk na ka dhënë. Jemi në proces dhe për mos dëmtimit e këtij procesi nuk kisha folur në detaje”, tha tutje ai. /ZERI